
Ish-nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, aktualisht drejtues i partisë politike Aleanca Kuq e Zi, hyn në proces gjyqësor me Këshillin e Lartë të Drejtësisë të cilin e drejtoi për disa vite. “Strumbullari” i kësaj “beteje gjyqësore” është një shumë prej 2100 eurosh e shpenzuar nga Spahiu gjatë udhëtimeve jashtë Shqipërisë. Sipas një urdhri të lëshuar nga strukturat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në maj të këtij viti, ish-nënkryetari Spahiu duhet ta zhdëmtojë këtë shumë të shpenzuar me udhëtime. Ajo rezulton si shpenzim për udhëtim dhe dieta jashtë shtetit prej ish-anëtarit Spahiu, gjatë kohës që ai ishte në pozicionin e nënkryetarit të KLD. Nga ana e tij, Spahiu përmes një padie civile i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku kërkon shfuqizimin e këtij urdhri. Dosja është regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku pritet të fillojë edhe shqyrtimi i saj. Shpenzimet e Spahiut për udhëtimet jashtë vendit ishin argumenti kryesor i Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur ndaj Spahiut, para se ai të dorëhiqej nga KLD. Sipas Komisionit Hetimor, Spahiu kishte shpenzuar nga buxheti i KLD-së me udhëtime jashtë vendit për llogari të lëvizjes “Aleanca Kuq e Zi”. Kreshnik Spahiu paraqiti dorëheqjen e tij nga KLD më 10 shkurt të këtij viti, dorëheqje që u pranua nga Këshilli tri ditë më pas. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit para afatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, me shkak dorëheqjen prej tij, si dhe referimi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për plotësimin e vendit vakant”, thuhej në vendimin e KLD-së të datës 13 shkurt.
PADIA
Katër muaj pasi Spahiu dha dorëheqjen nga anëtarësia në KLD, kërkon të përballet në Gjykatë me këtë institucion. Padia civile, ku palë paditëse është Kreshnik Spahiu dhe palë e paditur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, u regjistrua dje në Gjykatën e Tiranës. Çështja mban numrin 13135. Shqyrtimi i saj pritet të nisë ditët në vazhdim, ndërsa si togë e zezë e përzgjedhur për shqyrtimin e saj është gjyqtari Shkëlqim Mustafa. Referuar objektit të padisë, ish-nënkryetari Spahiu kërkon shfuqizimin dhe pezullimin e aktit administrativ të datës 14 maj 2012. “Shfuqizimi i aktit administrativ, urdhrit nr. 799 prot. datë 14.05.2012 ‘për zhdëmtimin e shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë shtetit’. Pezullimin e aktit administrativ”, thuhej në objektin e padisë. Burime konfidenciale pranë KLD bënë të ditur se bëhet fjalë për një shumë prej 2100 eurosh, të shpenzuara gjatë dy udhëtimeve të Spahiut jashtë vendit. Burime jozyrtare pohuan se udhëtimet, të realizuara muaj më parë, kanë qenë në Kosovë dhe në Maqedoni.
Udhëtimet
“Gjatë vitit 2011, z. Kreshnik Spahiu rezulton të ketë kryer gjithsej 15 udhëtime jashtë shtetit. Në funksion të këtyre udhëtimeve, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar, në kundërshtim me ligjin, 65% e shpenzimeve vjetore për udhëtim e dieta. Udhëtimet jashtë shtetit të përballuara me shpenzimet buxhetore paraqesin parregullsi dokumentacioni dhe tregojnë abuzim financiar me buxhetin e institucionit”, thuhej në raportin e Komisionit Hetimor, që u miratua në Kuvend më 1 mars të këtij viti. Po sipas raportit, gjatë vitit të kaluar Spahiu ka udhëtuar jashtë shtetit 26 ditë kalendarike, pa llogaritur këtu lejen njëmujore dhe vetëm në dy dalje, nga tetë gjithsej, ka njoftuar kryetarin e KLD-së, Presidentin Bamir Topi.
ARMAND BAJRAMI











