
Interi rrezikon sërish të bëjë një vals pankinash. Shkarkimi i Xhanpiero Gasperinit në fillim të sezonit ishte vendimi i parë i Masimo Moratit për t’u dhënë një shkundje zikaltërve. Ish-trajneri i Xhenoas nuk ka bindur që në fillim, sepse mënyra e tij e të luajturit nuk i ka pëlqyer asnjërit prej drejtuesve zikaltër. Për pasojë, pankina i është besuar Klaudio Ranierit, i cili ka ngjitur formacionin milanez nga zona e ftohtë e renditjes në atë afër kreut, më saktësisht në vendin e pestë. Vetëm se në ndeshjet e fundit Interi duket se ka hyrë sërish në një tunel pa rrugëdalje, sepse ka humbur me Leçen 1-0, ka barazuar 4-4 me Palermon dhe është larguar nga “Olimpiko” me një humbje të thellë 4-0 ndaj Romës. Tetë gola në katër ndeshjet e fundit tregojnë se mbrojtja e skuadrës është në krizë dhe Ranieri nuk po arrin të kuptojë se çfarë u ka ndodhur lojtarëve të tij. Shitja e Tiago Motës mund të justifikojë pjesërisht rezultatet negative të kohëve të fundit, por përshtypja kryesore që është krijuar nga paraqitja në fushë është se ekipi ka hequr dorë tërësisht, ndoshta për shkak të rraskapitjes psikologjike dhe fizike pas përmbysjes së rëndësishme në kampionat me shtatë fitore radhazi. Zikaltrit kundër Novarës duhet të fitojnë me patjetër për të shpresuar në arritjen e vendit të tretë në klasifikimin e përgjithshëm. Trajneri italian është i detyruar të luajë rolin e ndreqësit, por nuk do ta ketë aspak të lehtë, sepse skuadra duket se e ka humbur rrugën e duhur. Këtu lind pyetja: Po nëse “kura Ranieri” nuk funksionon? Morati nuk dëshiron aspak të humbasë trenin për zonën Champions, që nënkupton edhe marrjen e stimujve të nevojshëm për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes në qershor. Për këtë arsye, nëse Interi nuk fiton me Novarën, atëherë është gati Luis Figo. Portugezi do të ishte zëvendësuesi ideal, edhe pse do të ishte një zgjedhje e rrezikshme, duke pasur parasysh faktin që i mungon totalisht eksperienca si trajner.










