KKRT e RTSH, rikthehet konsensusi PD-PS

Feb 1, 2012 | 11:54

Komisioni i Medias

Maxhoranca e opozita caktojnë dy relatorë për projektligjin e ri “Për transmetimet me zë dhe figurë”

Dalipi: BE e OSBE kërkojnë balancim. Marku: Jemi në fazë shqyrtimi

Maxhoranca dhe opozita i rikthehen konsensusit në Parlament, pas përplasjes për projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Demokratët dhe socialistët po shqyrtojnë formulën e përzgjedhjes me konsensus të anëtarëve të Bordeve Drejtuese të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit dhe të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Projektligji “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë dhe figurë” ka risjellë bashkëpunimin e palëve për balancimin e  institucioneve që monitorojnë mediat. Relatori i opozitës për ndryshimet në këtë projektligj, Alfred Dalipi, u shpreh dje për “Panorama” lidhur me formulën se si do të procedohet me zgjedhjen e anëtarëve të KKRT-së. Sipas Dalipit, institucioni i KKRT-së do t’i nënshtrohet riformatimit dhe anëtarët do të zgjidhen: 3 të propozuar nga opozita, 3 nga maxhoranca dhe një anëtar do të zgjidhet me konsensus midis palëve. “Sipas variantit të mbështetur nga përfaqësues të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, 3 do të jenë të opozitës dhe 3 të maxhorancës dhe një do të zgjidhet nga palët me konsensus. Në rastet kur mungon konsensusi, anëtari i shtatë do të zgjidhet me short”, theksoi Dalipi. Relatori i maxhorancës për ndryshimet në projektligjin e transmetimeve me zë dhe figurë, Mark Marku, i pyetur nga “Panorama”, theksoi se është ende në fazë shqyrtimi formula e re me të cilën do të përzgjidhen drejtuesit e Bordit të KKRT-së dhe të RTSH-së. “Ndryshimi për mënyrën se si zgjidhen organet mbikëqyrëse të mediave audiovizive, është ende në fazë shqyrtimi dhe po vlerësojmë sugjerimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së. Ky ligj është një produkt i mirë i bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare. Është një ligj europian i licencuar, dhe për shkak të pjesëmarrjes së madhe të specialistëve të huaj në këtë proces”, pohoi Marku.
Përzgjedhja
Anëtarët e Bordeve drejtuese të KKRT-së dhe RTSH-së do të propozohen nga partitë, por ata nuk duhet të jenë përfaqësues partiakë, por pjesëtarë të medies ose shoqërisë civile. “Propozimet gjithmonë do të bëhen në përputhje me kriteret që janë vendosur në ligj. Ata duhet të jenë njerëz të shoqërisë civile dhe jo të partive politike. Në këtë pikëpamje, partitë politike vetëm do të mbështesin kandidaturat që do t’i vijnë Komisionit. Dhe sot vijnë propozime nga Shoqata e Gazetarëve nga universiteti. I njëjti parim do të ndiqet dhe për Bordin e RTSH-së. Kjo është bërë që gjithnjë të zgjidhen në krye të institucioneve individët me kompromise, nëpërmjet votës dhe jo vullnetit politik të Kuvendit”, theksoi Dalipi. Për çdo kandidaturë për Bordin Drejtues të KKRT-së dhe të RTSH-së do të këtë katër propozime nga partitë politike, të cilat do të shqyrtohen në Komisionin Parlamentar të Medias. Nga këto, vetëm dy do të përzgjidhen nga Komisioni dhe më pas do të dërgohen në Parlament për të votuar vetëm njërin prej tyre.

Dalipi: Ndryshimet prekin konsumatorin
Relatori i Partisë Socialiste për projektligjin “Për transmetimet më zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë”, Alfred Dalipi, deklaroi dje se ndryshimet kryesore të këtij drafti prekin direkt konsumatorët. “Risia e parë është që disa nga operatorët komercialë që kanë ngritur shërbimet e tyre dhe kanë kryer investimet në këtë fushë, do të cenohen nga pamundësia që do të kenë në të ardhmen për shkak të kufizimit të frekuencave. Ajo që është e rëndësishme, edhe konsumatori do të ketë një kosto financiare, pasi teknologjia dhe afatet e përcaktuara nga Bashkimi Europian do të ndikojnë te publiku dhe konsumatori, duke ndryshuar teknikën e marrjes së sinjalit, pra aparati televiziv nga një periudhë e përcaktuar në ligj do të ketë një kosto për çdo shqiptar”, tha Dalipi.

Marku: Formulë e re për pronësinë e mediave
Relatori i Partisë Demokratike për ndryshimin e ligjin për mediat, Mark Marku, theksoi dje se drafti final do të konsultohet gjerësisht me të gjithë aktorët e mediave. Marku pohoi se në projektligj parashikohet dhe një ndryshim në formulën e pronësisë së mediave. “Ligji u përgjigjet zhvillimeve të tregut mediatik në Shqipëri dhe plotëson të gjitha nevojat që pritet të kalojë ky treg. Ndryshimet kanë të bëjnë me pjesën e pronësisë, ka një ndryshim të formulës së pronësisë që u lejohet të gjitha bizneseve që të ushtrojnë aktivitet në mënyrë të ligjshme, u lejohet të gjitha bizneseve të ushtrojnë biznes privat. I njëjti stacion kombëtar të mos ketë më shumë se 20% apo 40% të aksioneve në mediat e tjera kombëtare”, tha Marku.

Këshilli Drejtues i RTSH-së
Anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar, sipas formulës së re të parashikuar në projektligjin “Për transmetimet me figurë dhe me zë”, do të propozohen 5 nga opozita, 5 nga maxhoranca. Një anëtar do të zgjidhet me konsensus midis palëve në raste të mungesës së konsensusit, ndërsa anëtari i 11 do të zgjidhet me short.

Projektet në Komisionin e Medias

Dekriminalizimi i shpifjes, gati ndryshimet në Kodin Penal e Civil
Komisioni Parlamentar i Medias dhe Edukimit do të shqyrtojë ditën e hënë propozimet për ndryshimin e Kodit Penal dhe atij Civil. Komisioni i Mediave do të shqyrtojë vetëm nenin 1 të ndryshimeve në Kodin Penal, që ka të bëjë me dekriminalizimin e shpifjes në media. Sipas draftit të Kodit Civil parashikohet që të vendoset një afat i arsyeshëm parashikimi për paditë, që synojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe reputacionit të personit. “Zgjidhja që Kodi Civil i bën këtij problemi, duke mos parashikuar afate për çdo lloj padish, është problematikë nga pikëpamja e lirisë së shprehjes. Për këtë arsye, bëhet ë vështirë për palët të provojnë të gjitha hollësitë faktike, që janë shpesh vendimtare në rastet e shpifjes. Të dyja palët dhe publiku i gjerë kanë interes, që e vërteta të sqarohet sa më shpejt dhe reputacioni i personit në fjalë (reputacioni personal i paditësit dhe reputacioni profesional i autorit, gazetarit e tij të paditur) të vihet në vend pa vonesë. Për këto arsye, propozohet një shtesë në nenin 115, ku caktohet një afat parashkrimi njëvjeçar, që heq çdo dyshim për interpretimin e saktë të Kodit për këto lloje padish”, thuhet në relacionin shpjegues të Kodit Civil.

ndryshimi
“Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër për të cilat dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura