
Grupet e interesit kërkojnë që të shtyhet afati i dixhitalizimit.
Miratimi i projektligjit të transmetimeve me zë dhe figurë është kundërshtuar dje nga grupet e interesit. Aktorët kryesorë të tregut mediatik janë shprehur kundër draftit që po shqyrtohet aktualisht në Komisionin e Edukimit dhe Medias. Në të njëjtën linjë shprehet dhe kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, Endira Bushati, e cila ka kërkuar që projektligji të miratohet pas përfundimit të strategjisë së dixhitalizimit. Miratimi i këtij projektligji pa bashkërenduar punën me strategjinë e kalimit të operatorëve nga analog në numerik do të krijonte pasoja të pariparueshme në tregun mediatik. “Në qoftë se parashikohet të miratohet siç është tani, ai mbetet i paaplikueshëm në praktikë dhe mund të sjellë pasoja që do të jenë vështirësisht të ndreqshme nga amendimet që mund t’i behën pas miratimit të tij. Prandaj, kërkesa jonë kryesore është që ligji të mos miratohet në formën siç është, por të bashkërendohet më miratimin e strategjisë së kalimit në transmetime dixhitale”, theksoi Bushati. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, i cili theksoi se nëse drafti do të kalojë pa përfunduar strategjia e dixhitalizimit, atëherë në një kohë të shkurtër do të lindë nevoja për amendime të tjera në ligj. Sipas Becit, me këtë ligj lindin dhe përplasje institucionale midis TVSH-së dhe KKRT-së. “Nuk mundet një organ i aprovuar nga Parlamenti t’i kërkojë llogari një organi tjetër të miratuar nga Parlamenti, kur janë institucione të së njëjtës fushë. Në këtë rast, nuk ka sens që të miratojë KKRT-ja shumicën e programeve apo të proceseve të tjera të RTSH-së”, theksoi drejtori i RTSH-së.
Përfaqësuesit e mediave
Operatorët që operojnë në tregun e transmetimeve dixhitale kanë kërkuar dje në Komisionin e Medias që të liberalizohet procesi i dixhitalizimit. Alban Jaho, përfaqësuesi i “Dixhitalb”, theksoi se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Italisë për të liberalizuar tregun. Përfaqësuesit e mediave e kanë cilësuar si të pamjaftueshëm afatin e vendosur që deri në vitin 2015 të gjithë operatorët të kalojnë në transmetime dixhitale.
Ndërrimi emrit
Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit, sipas projektligjit të ri që pritet të miratohet, do të jetë një autoritet i pavarur dhe më një emër të ri. Nëse projektligji do të miratohet, KKRT-ja do të quhet me emrin e ri, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Kryetarja Endira Bushati theksoi se duhet ndryshuar dhe mënyra e ndarjes së gjobave, 60% të kalojnë në arkën e shtetit dhe 40% në buxhetin e AMA-s.
Përbërja e KKRT, jo politike
Përfaqësuesit e mediave kundërshtuan formulën e propozuar në projektligj për të përzgjedhur anëtarët e KKRT-së. Artan Dulaku theksoi se propozimi i anëtarëve të KKRT-së nga partitë politike lë shkas që këta të fundit të shndërrohen në ushtarë politikë. “Kemi të bëjmë me një KKRT tërësisht politike e nuk ka të bëjë fare me ligjin dhe i merr vendimet sipas dëshirës. Problem mbetet politizimi i anëtarëve, sepse duke u propozuar nga forcat politike ata do të jenë gjithnjë ushtarë politikë dhe i njëjti ligj do të zbatohet në mënyra të ndryshme në media të ndryshme. Për të njëjtën shkelje, ju garantojë që ka pasur masa të ndryshme për mediat”, theksoi Dulaku.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











