
Kur ishte 11 vjeç, puthja me Brad Pitt i ishte dukur “e neveritshme”, sot nuk do t’i vinte keq të ndodhte sërish. Aktorja Kirsten Dunst fitoi “Palmën e artë” si aktorja më e mirë në Kanë. Por, veç fitores duhet të kalonte edhe sikletin e thënieve të regjisorit të saj në lidhje me Hitlerin
Aktorja amerikane fitoni në Kanë, pavarësisht regjisorit të saj. “Lars von Trier gaboi mbi Hitlerin, por peshkaqenët e vërtetë janë të tjerët. Për shembull, ca politikanë…”. kështu do të shprehej Kirsten Dunst, 29-vjeçarja, e cila fitoi “Palmën” si aktorja më e mirë për interpretimin në filmin “Melankolia”. Gjatë ditëve të Festivalit të Filmit, kur regjisori i filmit të saj u shpreh se adhuronte Hitlerin, u ndie jo pak keq, por në një intervistë për revistën italian “A”, ajo e ka mbrojtur atë. Është distancuar prej thënies së tij, por pranon se do të punonte sërish me të, qysh të nesërmen. Dunst tregon për filmin, sëmundjen e saj depresive dhe puthjen e parë me Brad Pitt kur ishte 11 vjeç e i ishte dukur “e neveritshme”.
Ankoheni shpesh për mediat…
Pjesa më e madhe e atyre që shkruajnë, janë gënjeshtra. Shpesh zbuloj se kam qenë në vende që nuk kam qenë kurrë. Nuk e pranoj se jam tipi që shkoj në shtrat me partnerët e vet apo me të parin që takon në lokal. Nuk flas për jetën time private: për të mbrojtur historitë e “vërteta”. Nëse do të martohem ndonjëherë? Sigurisht, por do ta merrni vesh kur gjithçka të jetë kryer.
Por çështja e Lars von Trier nuk është manipulim i mediave, apo jo?
Nuk ka justifikime për Lars. Asnjë provokim nuk mund të shkojë aq larg. As arti nuk e justifikon: me Hitlerin nuk mund të bësh shaka. Distancohem tërësisht nga kjo, por vazhdoj ta konsideroj një regjisor të madh dhe një mik të vërtetë. Asnjë burrë nuk ka qenë kaq i hapur me mua: më ka mallëngjyer. Nuk mund ta përshkruaj se sa më ka ndryshuar takimi ynë. Do të kthehesha të punoja me atë që nesër.
Në 2008, kur kaluat 6 javë në një klinikë në Utah, u shkrua se ishit e alkoolizuar, por në fakt ishte një depresion i fortë, sëmundje prej nga vuan edhe Von Trier. Ju vjen keq të flisni për këtë?
Tani jo më. Ia kisha hedhur, por të flisja me të ishte kura përfundimtare. Nuk kam pasur frikë që ta vendosja sëmundjen time në film (kur arrin ta tregosh, do të thotë se je shëruar). Nëse mendoni që Lars, që ende “nuk ka dalë” prej saj, “më ka përdorur”, sigurisht, por unë isha e ndërgjegjshme. Ishte regjisori im, por edhe një mik që porosiste ushqim meksikan për mua.
Personazhi juaj mendon se duke u martuar, duke pranuar “normalitetin”, do të shërohej, juve ç’ju ka shëruar?
Familja dhe miqtë e mi. Vazhdimisht pyesja veten se përse nuk ndihesha e lumtur. Jam shëruar kur kuptova se isha e burgosura e pritshmërive. Jam krenare që kam arritur të bëhem nga një aktore-fëmijë, në një grua aktore. Sot nuk jam gjithnjë e lumtur, por është vetja ime pika e referimit.
Keni mbetur melankolike domethënë?
Po. Jam romantike, por edhe praktike. Është shumë tërheqëse të ndihesh melankolik. Por, të jesh i lidhur me realitetin, është thelbësore. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që kam frekuentuar një shkollë normale. Kam qenë e detyruar të lë ca javë për të xhiruar ndonjë film, por gjithnjë kthehesha. Edhe për mua ka qenë standarde të dashurohesha me shokun që nuk i pëlqeja fare.
Deklarata më e klikuar në internet është thënia juaj që, të puthje Brad Pitt ishte e neveritshme….
Atëherë isha 11 vjeç. Sot them: Çfarë humbje! Të merrje puthjen e parë nga Brad Pitt dhe të mos e vlerësoje!? Jo rastësisht filmi “Intervistë me vampirin” është i vetmi film imi që nuk e kam riparë kurrë.











