Kinemaja shqiptare, katër ditë në Romë

Jun 1, 2012 | 15:01

Në vazhdën e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, nga data 2-5 qershor, shoqata “Syri Blu- Anna Cenerini Bova” organizon në Romë “Shqipëria përmes kinemasë”. Gjatë këtyre ditëve do të shfaqen 8 filma, prodhime të viteve 1995-2011, që vërtiten rreth denoncimit të diktaturës së Enver Hoxhës, analiza të temave të mëdha sociale, si emigracioni, tensionet intime që lindin në kushtet e një modernizimi kontradiktor, që në një mënyrë apo në një tjetër ndihmojnë për të krijuar një imazh më të qartë mbi Shqipërinë. Filmat e përzgjedhur janë “Parullat”, “Kolonel Bunker”, “Muaj mjalti”, “Tirana, viti zero”, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Natë pa hënë”, “Vdekja e kalit” dhe “Amnistia”. Mësohet se projektimi i filmave do të shoqërohet edhe me nga një takim me regjisorët përkatës. Aktiviteti do të nisë nesër në orën 18:00, ku do të marrin pjesë jo vetëm organizatorët, por edhe emra të njohur të kinemasë si Giuliano Montaldo e Marco Belloçhio. Filmi që do të hapë siparin do të jetë “Parullat”, me regji të Gjergj Xhuvanit, i ndjekur nga filmi “Kolonel Bunker”, i cili do të prezantohet nga vetë regjisori Kujtim Çashku. Të nesërmen, të ftuar do të jenë Pirro dhe Eno Milkani, që do të prezantojnë filmin e tyre “Trishtimi i zonjës Shnajder”, si dhe aktori Michele Placido, i cili luan në këtë film. Ditët në vijim do të ketë të tjerë të ftuar dhe diskutime rreth filmave. Këto ditë të kinemasë shqiptare mundësohen me mbështetjen e shoqatës “Syri Blu” në Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ambasadës Shqiptare në Romë etj.

© Panorama.al

Te lidhura