Një autobus dykatësh u përplas me një tanker të mbushur me substancën djegëse metanol në veri të Kinës, duke shkaktuar djegien e të dyja mjeteve, si dhe dhjetëra viktima. Sipas burimeve zyrtare, deri tani janë konfirmuar 39 viktima. Autobusi kryente itinerare të gjata dhe njerëzit kanë qenë në gjumë kur është bërë përplasja. Vetëm tre persona kanë mbijetuar. Tankeri sapo ishte kthyer në rrugë, pas një pushimi në orët e para të mëngjesit, kur u godit nga autobusi afër qytetit Yan’an në provincën Shanxi, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve “Xinhua”. Kjo agjenci tregoi fotot e aksidentit ku nga autobusi kishte mbetur vetëm një skelet metalik dhe ai ishte i ngjeshur në pjesën e pasme të tankerit.











