Kina interesohet për Shëndetësinë, firmoset marrëveshja me Vasilin

Jun 29, 2011 | 10:25
Ministri i Shëndetësisë Vasili dhe zv.ministri kinez, Xiaohong

Shëndetësia do të jetë fusha tjetër ku do të përqendrohet katër vitet e ardhshme bashkëpunimi Shqipëri-Kinë. Marrëveshja katër-vjeçare e nënshkruar dje nga zv.ministri i Shëndetësisë i Kinës Chen Xiaohong dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përcakton edhe pikat se ku do të mbështetet ky bashkëpunim. Në një dalje publike, ministri Petrit Vasili dhe zv.mnistri i Kinës, Xiaohong, kanë bërë të ditura dhe detajet. Në fjalën e të dy përfaqësuesve nuk ka munguar riprodhimi i historisë dhe marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, si dhe vlerësimet reciproke. Ministri Vasili e konsideroi bashkëpunimin 2011-2015 si një mundësi të madhe për shëndetësinë shqiptare, e cila do të jenë më afër mjekësisë kineze dhe që gëzon një reputacion të lartë në gjithë botën. “Është një fakt i pamohueshëm që realiteti i zhvillimit ekonomik në Kinë dhe përkthimi i eksperiencave të një menaxhimi efikas të zhdërvjellët në fushën e shëndetësisë janë eksperienca për t’u marrë në konsideratë seriozisht dhe për t’u përdorur si një model i zhdërvjellët menaxhimi dhe në fushën e mjekësisë shqiptare”, tha Vasili. Ndërkohë që zv.ministri i Kinës ka shpje-guar më qartë se ku do të bazohet bashkëpunimi. “Ne kemi shkëmbyer mendime me z. Vasili për bashkëpunime në disa fusha shëndetësore, si kontrollin e barnave, kujdesin parësor publik dhe fusha të tjera. Ne kemi shkëmbyer mendime për mjekësi rehabilituese. Plani i ri i bashkëpunimit, 2011-2015 do të krijojë një bazë të rëndësishme për bashkëpunimet në të ardhmen”, tha ai.

Takimi me kryeministrin Berisha

Pas takimit dhe firmosje së marrëveshjes me ministrin e Shëndetësisë, delegacioni i kinës, vizitoi edhe kryeministrinë. Zv.Ministri Chen Xiaohong i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzime dhe vlerësime për drejtimin e Task Forcës për thellimin reformave në shëndetësi. “Duke vlerësuar arritjet e deritanishme, Kryeministri siguroi krijimin e një klime të favorshme për investitorët kinezë në fushën e mjekësisë e farmaceutikës.”, theksohet në njoftimin e qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura