KiE: Presidenti, jo shkak për krizë mes maxhorancës dhe PS-së

Jun 6, 2012 | 13:41

Këshilli i Europës i bën apel klasës politike në vend të zgjedhë një President konsensual dhe çështja e kreut të shtetit të mos bëhet shkak për një tjetër krizë mes maxhorancës dhe opozitës. Në raportin e hartuar nga dy reporterët, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenko, të cilët ishin në prill në Tiranë, thuhet se “është e rëndësishme që këto zgjedhje të mos bëhen një burim i fërkimeve të reja dhe krizave politike, siç ishte rasti me zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Së dyti, Presidenti që duhet të zgjidhet duhet të ketë mbështetjen e shumicës në pushtet dhe opozitës, në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë rolin ndërmjetësues dhe të unifikimit që parashikon Kushtetuta. Në përputhje me aktorë të tjerë ndërkombëtarë, ne kemi theksuar, në të gjitha rastet, që dy partitë më të mëdha duhet të përpiqet të synojnë për kandidat konsensual për President, ose të paktën të pranueshëm”. Duke u ndalur te emrat e përfolur të Fatos Nanos dhe Jozefina Topallit, KiE shprehet në raport: “Znj. Topali është një aleate e ngushtë dhe e hapur e z. Berisha. Nuk ka gjasa që kandidatura e saj do të mbështetet nga PS-ja dhe me siguri kjo do të shihet si një provokim nga ana e PS-së. Z. Nano është një ish-kryeministër i PS. Ai dha dorëheqjen nga posti i tij pas një sfide mbi lidershipin, z. Rama, pas humbjes së PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Ai ka jetuar në Vjenë prej dorëheqjes së tij. PS ka deklaruar se ata nuk e kundërshtojnë në parim kandidaturën e tij, por nuk do ta propozojnë atë si kandidat të PS-së. Nga ana e tij, zoti Berisha deklaroi pas takimit me z. Nano se koalicioni qeverisës do të dalë me një kandidat nga radhët e veta”.

© Panorama.al

Te lidhura