
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, do t’i drejtohet vetë Komisionit të Venecias për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri.Kjo bëhet e ditur përmes një letre dërguar Përfaqësueses së Përhershme të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Margharita Gega, ku ai përsërit edhe njëherë mesazhin e tij për situatën e krijuar në Shqipëri. Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së shprehet se do të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias pasi të përfundojë procesi i zgjedhjeve në Shqipëri, me qëllim që të shmangen problemet në zgjedhjet e ardhshme. “Njëkohësisht, dëshiroj të ripërsëris synimin tim që menjëherë pas përfundimit të procedurave të sipërpërmendura, t’i kërkoj Komisionit të Venecias opinionin e tij mbi çështjet e mbetura lidhur me sistemin zgjedhor në Shqipëri, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të shmangen probleme të tilla të ngjashme”, thekson ai në letër. Jagland ka apeluar që mes palëve të ketë dialog politik, duke respektuar kështu shtetin ligjor dhe institucionet e tij. Në lidhje me procesin paszgjedhor, e vuri theksin te respektimi i vendimit të Kolegjit. “Dëshiroj t’i referohem bisedës sime të djeshme me ministrin Haxhinasto dhe të ripërsëris mesazhet kryesore të letrës sime të datës 10 qershor për kryeministrin Berisha dhe konkretisht, thirrjes për dialog politik mbi bazën e respektimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike. Sigurisht që referimi ndaj shtetit të së drejtës nënkupton detyrimin e të gjitha palëve të interesuara për të respektuar vendimet e institucioneve të Drejtësisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim”, thotë Jangland në letrën e tij. Si një ndjekës i kujdesshëm i situatës politike në Shqipëri, sidomos pas zgjedhjeve të 8 majit, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës i dërgoi një letër edhe kryeministrit Sali Berisha.
Në letrën e tij, Jagland shprehet se shumë shpresonin se zgjedhjet vendore të 8 majit do të vendosnin standarde të reja në zhvillimin e zgjedhjeve si dhe për përgjegjshmërinë e liderëve politikë dhe funksionimin e institucioneve demokratike, shpresa që, sipas tij, u përforcuan ditën e votimit që shkoi pa probleme.
Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së thekson më tej se, për fat të keq, Shqipëria tashmë po përballet me një situatë të acaruar dhe me ndarje politike. Sipas Jagland, këto ndarje mund të kërcënojnë funksionimin e institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë dhe progresin e mëtejshëm ekonomik.
Brush: Shqipëria s’mund të jetë shteti i 53-të i SHBA
Drejtoresha për çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jennifer Brush, tha dje në Tiranë se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë vetëm në BE. Sipas diplomates së lartë amerikane, shqiptarët duhet të përqendrohen në rekomandimet e Bashkimit Europian. “Ne jemi të lumtur ta mbështesim Shqipërinë, por nuk mund të zgjidhim të gjitha problemet tuaja këtu. Dhe jo vetëm kaq. Nuk mund të jeni vendi i 53-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është e mundur. Kjo nuk është e ardhmja e Shqipërisë. E ardhmja e vendit tuaj është t’i bashkoheni familjes europiane. Ne punojmë me Bashkimin Europian në një partneritet me ta, por Bashkimi Europian është një lider në këtë rajon dhe kjo nuk ka për të ndryshuar”, tha Brush.
Hysi: Vendimi i Kolegjit ligjëroi ndryshimin e rregullave
Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, u shpreh dje se vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka ligjëruar ndryshimin e rregullave të lojës të KQZ-së. “Ky vendim, sado argumente të mira ligjore e juridike që ka, në fund të fundit ka legjitimuar një proces që përmban në vetvete paligjshmëri. Më falni që e theksoj këtë moment paligjshmërie, pasi ajo ka filluar pikërisht në KQZ. Ajo që po bëhet është për të mbuluar sadopak paligjshmërinë që legjitimoi KQZ-ja me hapjen e 117 kutive. Kjo është vazhdim i ndryshimit të rregullave të lojës”, tha Hysi. Ajo u shpreh se socialistët nuk janë kundër numërimit të çdo vote të qytetarëve, por kundër procesit. Sipas saj, mosrakordimi i shifrave është flagrant. “Asnjëherë nuk kemi qenë për mosnumërimin e vullnetit të qytetarit, sepse është abuzuar shumë nga PD, sikur PS nuk vlerëson votën e qytetarit. Jo, ne vlerësojmë votën e çdo qytetari, por jetojmë në shtetin e së drejtës që ka formë dhe përmbajtje. Pra, procedurat në Kodin Zgjedhor janë të përcaktuara qartë. Fleta e votimit hidhet në kutinë përkatëse”, shtoi Hysi.
Bumçi: S’ka arsye për bojkot
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, tha dje se nuk ka arsye për bojkot nga opozita. “Nuk ka asnjë arsye që opozita të mungojë në jetën parlamentare në Shqipëri. Zgjedhjet e 2011-s ishin zgjedhje të lira e të ndershme. Opozita ka fituar kudo që qytetarët e kanë votuar. Gara e ngushtë në Tiranë dhe fati i zgjedhjeve në Tiranë vendosen nga qytetarët shqiptarë. Është vullneti i tyre që e vendos dhe nuk jemi ne që e vendosim me vullnetin tonë apo me zgjedhje të tjera. Qytetarët kanë folur. Vota e tyre është lexuar, do të lexohet dhe ajo do të vendosë fatin e garës në Tiranë. Kjo nuk ka arsye që të mbajë opozitën jashtë Parlamentit”, tha Bumçi.
© Panorama.al











