Duket se shfaqja në jetën argëtuese të Tiranës e këshilltarit të ish-presidentit dhe tashmë zëvendëskryeministrit të parë kosovar, Behgjet Pacolli, ka shtuar kuriozitetin e të gjithëve për të ditur më shumë për jetën e tij. Djali biond i quajtur Esad Pushkar është nga ata të huaj në Shqipëri, që frekuenton ambientet e njohura në kryeqytet, dhe ndoshta nuk do të binte aq shumë në sy nëse nuk do të shihej të dalë në lokale me vajza të njohura, sidomos me ato vajza që u bënë të njohura nga reality show “Big Brother”.
Kështu, djali me origjinë boshnjake por që ka jetuar edhe në Kosovë, para se të fotografohej me Bertinën në një nga lokalet e natës, më parë është shoqëruar me Pamelën, një tjetër vajzë që mori pjesë në këtë lojë dy vite më parë. Por tashmë që në faqet e gazetave rozë janë publikuar disa foto të Bertinës me Esad Pushkar, thuhet se ata nuk janë parë herë tjetër bashkë, ndërsa qarkullojnë fjalë se me Bertinën ai ka thjesht një flirt. Lajmi se Bertina, ish-banorja e “Big Brother”, është parë duke u argëtuar në klub në krah me Esad Pushkar, u përhap me shpejtësi edhe për faktin se si Bertina harroi kaq shpejt historinë me Erionin. Bertina Mehmeti u fotografua disa ditë më parë në një mbrëmje “latin party”, ku gjatë gjithë kohës ka qenë nën shoqërinë e Pushkarit. Pushkar ishte bërë i famshëm në Kosovë gjatë zgjedhjes së Behgjet Pacollit si President i vendit, me SMS-të që kishte shkëmbyer atë ditë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christofer Dell dhe rasti njihet edhe si “skandali i SMS-ve”. Ndërkohë që arsyeja e qëndrimit të tij në Shqipëri lidhet me disa financime të tij këtu.











