Këshilli Bashkiak, mbledhja më 23 korrik

Jul 17, 2011 | 11:02

Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të mblidhet në fund të javës së ardhshme. Këtë e konfirmoi për gazetën “Panorama” sekretari i Këshillit Bashkiak të kryeqyetit, Vladimir Gjonaj, i cili është personi, që sipas Ligjit për pushtetin vendor, duhet të thërrasë mbledhjen e parë. Në këto kushte, marrja zyrtarisht e postit të kryetarit të Bashkisë nga Lulzim Basha do të bëhet të shtunën e ardhshme. Ai tha se të premten, në orën 16:00, i kanë mbërritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dokumentet e nevojshme që vërtetojnë ndarjen e mandateve sipas koalicioneve dhe partive në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të tetë majit. Gjithashtu, pjesë e dokumentacionit ka qenë edhe vendimi i Kolegjit, i marrë gjatë ditës së premte, ku janë ndarë mandatet për Këshillin Bashkiak. Në këto kushte, sipas tij, hapi i fundit është kontrolli i dokumenteve dhe lajmërimi i anëtarëve të rinj. “Ditën e hënë unë do të verifikoj të gjitha dokumentet që kanë ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të bëj lajmërimin e këshilltarëve për mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Sipas Ligjit për pushtetin vendor, mbledhja mund të zhvillohet 5 ditë nga mometni i lajmërimit të këshilltarëve. Sipas të gjitha gjasave, unë lajmërimin mund ta bëj ditën e hënë dhe mbledhja e parë mund të mbahet të shtunën”, tha për gazetën sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj.

Mbledhja e parë

Në mbledhjen e parë ngrihet Komisioni i mandateve, zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i Këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose Bashkiak në këshillin e qarkut. Sipas të gjitha gjasave, me përjashtim të ndonjë surprize për shkak të votimit të fshehtë, postet kyçe në Këshill do të ndahen mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Rama, kryebashkiak edhe një javë
Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të jetë në këtë post zyrtarisht edhe për shtatë ditë të tjera. Sipas Ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, Rama e lë zyrtarisht detyrën që e ka marrë që në vitin 2000, pasi bën betimin kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha. “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”, thuhet në pikën 4 të nenit 40 të Ligjit për pushtetin vendor.

© Panorama.al

Te lidhura