Këshilli Bashkiak, Kolegji ndan mandatet për Tiranën

Jul 16, 2011 | 11:12

Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e PD duke ndarë mandatet për Këshillin Bashkiak të Tiranës.Pas dështimit të KQZ-së në arritjen e kuorumit të nevojshëm prej pesë votash për miratimin e vendimit, PD-ja iu drejtua Gjykatës, e cila pranoi argumentet e demokratëve dhe i hapi rrugë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Në seancën e djeshme, ku relatore ishte Meriban Mullaj, munguan përfaqësuesit e Partisë Socialiste, megjithëse Kolegji ndërpreu për 60 minuta seancën, derisa ata të thirreshin.
Seanca
Në fillim të seancës, përfaqësuesi i PD-së në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso, tha se KQZ-ja nuk arriti të miratojë vendimin vetëm për faktin se nuk u siguruan pesë votat e mjaftueshme. Sipas tij, tabelat e miratuara nga Komisioni nuk u animuan nga asnjë prej partive. “KQZ-ja vendosi të mos miratojë ndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Sipas Kodit, duhet të votonin pro pesë anëtarë të KQZ-së dhe për shkak të mosarritjes së kuorumit vendimi nuk u miratua. Tabela e rezultatit nuk u ankimua nga asnjë prej partive”, u shpreh përfaqësuesi i PD-së. Ndërsa drejtoresha Juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, u shpreh se tre anëtarët e majtë në Komision votuan kundër për faktin se ishin përfshirë votat e hedhura gabimisht. “KQZ-ja miratoi si KZAZ e madhe e Tiranës rezultatin për Këshillin Bashkiak dhe tabela nuk u ankimua as në KQZ, as në Kolegj. Tre anëtarët e KQZ-së u shprehën kundër përfshirjes së votave të hedhura gabimisht”. Pas paraqitjes së pretendimeve, gjyqtari Tom Ndreca kërkoi nga PD-ja shpjegime se përse nuk ishte thirrur PS-ja si palë e interesuar. “Në kushtet normale ata duhet të ishin këtu, ndërsa ne nuk duhet të ishim këtu sepse ndarjen e mandateve duhet ta bënte KQZ-ja. Ne na vjen turp që jemi sot këto dhe u themi të bëni ju matematikën që nuk e bëri KQZ-ja. PS ka deklaruar se nuk e njeh as KQZ-në dhe as Kolegjin Zgjedhor”, tha Ivi Kaso. Gjyqtarët vendosën të bëjnë 60 minuta pushim dhe të thërrasin si palë të interesuar PS-në, por kjo e fundit nuk u paraqit në seancë. Në orën 12:30 Kolegji bëri të ditur vendimin në favor të demokratëve. Sipas vendimit të KQZ-së, koalicioni “Aleanca për qytetarin”, i drejtuar nga PD-ja, ka 28 këshilltarë, ndërsa koalicioni i PS-së 27 këshilltarë.

55 këshilltarë
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka gjithsej 55 këshilltarë. Pas zgjedhjeve të 8 majit rezultoi se e djathta ka fituar 28 këshilltarë (Partia Demokratike 19 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 5 mandate, PDIU 2 mandate dhe PR e PLL nga një mandat). Ndërsa koalicioni i majtë ka fituar 27 mandate, nga të cilat 25 mandate i ka marrë Partia Socialiste dhe nga një mandat kanë fituar PDS dhe PSV ‘91.

LACI – E majta merr edhe kreun e Këshillit Bashkiak të Laçit, dy muaj nga fitorja e kandidatit socialist në krye të Bashkisë. Ndonëse kishin një votë tepër në listën e të djathtëve, pikërisht 13, kandidati demokrat për kreun e Këshillit Bashkiak ka humbur me dy vota. Përballë Arben Brukës së PD-së kandidoi Preng Kaçorri i PS-së. Gjatë votimit rezultoi se Kaçorri kishte marrë 13 vota, ndërsa Bruka 11, ndërsa një votë ishte abstenim. Këshilli Bashkiak zgjodhi me konsensus dy nënkryetarët, një nga PD dhe tjetri nga PS, ndërsa përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut u zgjodhën Pjetër Bardhi i PLL-së, Astrit Daçi i LSI-së si dhe Pashk Prenga i PDS-së.

Bylykbashi: Vendimin duhet ta merrte KQZ
Sipas përfaqësuesit të PD-së në Kolegjin Zgjedhor, ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës duhet ta bënte pikërisht KQZ-ja. “Sot, Kolegji Zgjedhor, me vendimin që sapo mori, përmbylli garën zgjedhore për Bashkinë e Tiranës, duke miratuar edhe shpërndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, një vendim i cili ishte i drejtë po të ishte marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por KQZ nuk qe në gjendje të merrte 5 votat, sepse anëtarët e minorancës së Komisionit vendosën, në kundërshtim me atë që parashikon ligji dhe me betimin që kanë bërë. Tashmë jemi gati për të gjitha procedurat e tjera që janë të nevojshme për konstituimin e Këshillit Bashkiak. Po sot Gjykata miratoi mandatin e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha”.

“Rama, përpjekje mjerane për t’i marrë fitoren Lulzim Bashës”

Partia Demokratike reagoi dje ndaj sulmeve të ditëve të fundit nga PS-ja mbi Kolegjin Zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, tha se “Edi Rama i akuzoi dje gjatë ditës disa herë për korrupsion gjykatësit e Kolegjit për vendimin e tyre me të cilin hodhën poshtë kërkesën dhe përpjekjen mjerane të tij për t’i rrëmbyer fitoren kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës”. Sipas saj, “sot, për të ngushëlluar veten për disfatën e merituar personale që i rezervuan më 8 maj qytetarët e Tiranës, z. Rama në mediat e tij ndërmerr sulmin e radhës e të paskrupullt ndaj familjarëve të Kryeministrit dhe konkretisht ndaj vajzës së tij, e cila, sipas Ramës, paska shpërndarë nga zyrat e saj milionat e ryshfetit të gjyqtarëve. Partia Demokratike deklaron se kjo është seria e re e sulmeve, shpifjeve me të cilat ushqen veten dhe përpiqet të shuajë pikëllimin e thellë shpirtëror z. Rama për humbjen e 4 garave me 10 909 vota më 8 maj në Tiranë”.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak, në dorë të sekretarit të PS-së

Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak është në dorë të sekretarit aktual të këtij institucioni. Sipas ligjit, pas vendimit që dha dje Kolegji, sekretari i Këshillit, Vladimir Gjonaj, i zgjedhur në këtë detyrë nga Partia Socialiste katër vjet më parë, duhet të thërrasë mbledhjen e parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit. Kolegji e dha vendimin për Tiranën në datën 8 korrik dhe mbledhja e parë duhet të thirret brenda 28 korrikut. “Këshilli komunal ose bashkiak e zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit komunal ose bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti. Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë të drejtë brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve”, thuhet në pikat 1 dhe 2 të nenit 26 të ligjit për pushtetin vendor. Sipas ligjit, mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve. “Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet dhe ajo thirret tri ditë më vonë, por jo më shumë se tri herë. Në rastet kur edhe pas tri herë thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë”.
Njësoj si në rastin e Parlamentit, mbledhja e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të tij, drejtohet nga këshilltari më i vjetër në moshë. Në mbledhjen e parë ngrihet komisioni i mandateve, miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit, bëjnë betimin këshilltarët, zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut dhe pajisen ata me mandatin e përfaqësimit.

 

ADI SHKEMBI

 

© Panorama.al

Te lidhura