Renditje e gabuar e preferencave mund t’ju lërë pa shkollë të lartë. Ndaj, Kujdes! Këshillat vijnë nga specialistët e Maturës Shtetërore.Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Mbi bazën e preferencave të shpallura dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet fillimisht Preferenca 1, nëse maturanti është fitues, shpallet për regjistrim në Universitetin përkatës. Nëse nuk është fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në Preferencën 10. Maturanti shpallet fitues në preferencën më të lartë ku ka grumbulluar pikët e nevojshme. Fitues ai është vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë në grupin e preferencave ku ka grumbulluar pikët e mjaftueshme. E thënë me fjalë të tjera, edhe sikur të ketë pikët e mjaftueshme dhe renditje të kënaqshme për preferenca të tjera, të cilat i ka renditur më poshtë, fitues do të shpallet në preferencës që është më lart të tjerave, në të cilat plotëson pikët e mjaftueshme. Procesi i llogaritjeve është plotësisht transparent. Praktikisht në të djathtë lart të formularit A2 ndodhen 10 treshe kuadratesh me numrat rendorë përkatës (në të majtë) nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë numrin e preferencës. Gjatë plotësimit të këtyre kuadrateve duhet shumë kujdes, sepse operatorët këto të dhëna i fusin në sistemin informatik. Për secilën preferencë ka 3 (tre) kuti. Në çdo kuti shënohet një shifër e qartë dhe pa korrigjime. Numri i formuar përfaqëson kodin e programit të studimit që keni zgjedhur për atë preferencë. P.sh.; në kutinë me nr. 1 është shkruar shifra 013. Kjo do të thotë që programi i studimit me preferencë të parë (më të lartën) është Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës. Pasi plotësohen kutitë e të dhjetë preferencave me shifra, do të plotësohen kutitë para emërtimeve të programeve të studimit me shifrën përkatëse të preferencës. Shifra duhet të jetë e shkruar qartë dhe me stilolaps me ngjyrë të zezë. Nëse në preferencën 1 (në krah të nr. 1) kemi shkruar 013, në listën e programeve të studimit dhe do të gjejmë programin e studimit me kod 013. Në kutizën para këtij programi studimi do të shënohet numrin 1. Në listën e programeve të studimit nuk mund të ketë më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjithë kutitë e tjera do të jenë bosh.
1 javë
kohë do të kenë maturantët për të plotësuar formularin A2. Afati i fundit i dorëzimit të tij në shkolla do të jetë data 30 korrik.
Fituesit sipas pikëve
Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen edhe fituesit. Një kandidat, në listën e një dege, mund ta shohë veten në fillimet e listës, por nuk është fitues në këtë program studimi. Kjo për arsye se ky program studimi është preferencë e ulët e tij, p.sh. e pesta. Ai e sheh veten fitues në preferencën e tij më të lartë, p.sh. në Preferencën 2. Pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave nga 1 në 10, vetëm atëherë mund të jeni gati për të plotësuar preferencat dhe renditjen e tyre te formulari A2.
Per te pare artikullin e plote klikoni mbi: PDF
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











