KESH aplikon për çmimin e ri, ERE nis procedurat

Sep 20, 2012 | 13:55

Të tjera rregullime pritet që të bëhen me tarifat që operatorët e sektorit të energjisë aplikojnë sot mes njëri-tjetrit si për furnizimin, ashtu dhe për transmetimin. Pavarësisht axhustimeve që mund të bëhen në vijim, ai që mbetet i pandryshueshëm është çmimi për konsumatorin final, i cili deri në vitin 2014 nuk do të ketë asnjë ndryshim.
SOT
Bordi i Komisionerëve i Entit Rregullator të Energjisë pritet që sot të diskutojnë fillimin e  procedurave për shqyrtimin e aplikimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, për rregullimin apo përditësimin e tarifave të shërbimeve të prodhimit dhe shitjes me shumicë të energjisë. Kjo, sipas kreut të ERE, Sokol Ramadani, është një procedurë që operatorët e sistemit e kanë të detyru-eshme ta bëjnë, pasi është një përballje e parashikimit të fillimvitit me situatën reale. “Operatorët përgjatë muajve qershor-shtator e kanë pasur të detyrueshme që të paraqesin aplikimet e tyre, pasi bëhet një farë rishikimi mbi parashikimet dhe mbi atë çka realisht ka ndodhur. Këtë ne e quajmë axhustim, duke u munduar që të ndërhyjmë aty ku është e nevojshme”, shprehet Ramadani. Gjithsesi, sipas tij, sot nuk pritet që bordi të marrë ndonjë vendim dhe është thjesht fillim procedurash. Vendimi për aplikimet që bëjnë operatorët do të merret në dhjetor.
Në qershor
Më 29 qershor ERE miratoi një ndryshim në favor të CEZ-it për tarifat, duke e ulur tarifën për energjinë që KESH i shet kompanisë së Shpërndarjes. Nga 2.8 lekë/kwh që ishte më herët, CEZ aktualisht e ble energjinë me 2.2 lekë/kwh. Kjo, sipas ERE, u bë pasi KESH, nga ana e saj fitoi disa milionë dollarë nga eksporti i energjisë, që ishte një zë i parashikuar zero në fillim të vitit.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura