Janë dy këngëtare shumë të dashura për publikun shqiptar dhe me një karrierë të gjatë në muzikë. Besa Kokëdhima ka disa vite që është futur në tregun muzikor dhe cilësohet si një këngëtare me vokal të përkryer, me një sukses të madh pas vetes duke fituar shumë çmime nëpër kompeticione dhe evente të ndryshme. Kohëve të fundit po tenton të futet edhe në tregun rumun, duke realizuar kështu disa këngë nëpër studiot e njohura të atij vendi e duke bashkëpunuar me shumë kompozitorë të njohur atje. Së fundi Besa ka publikuar një foto në profilin e saj, duke thënë se gjendet në studio për regjistrimin e këngës së saj të re, e cila pritet të jetë një tjetër hit në karrierën muzikore, gjatë së cilës ka realizuar shumë këngë të bukura dhe me vlera. Ndërsa këto ditë faqja e njohur Imany ka publikuar një nga performancat ”live” të Besës, lajm ky që këngëtarja e ka shpërndarë edhe në facebook. ”Imany ka publikuar në faqen e vet zyrtare linkun e interpretimit tim të këngës së saj “You will never know” me komentin e mëposhtëm:
“UNBELIEVABLE ! YWNK’s covered by an Albanian pop star in Albany & in prime time! Life is full of surprises”, thekson Besa, e cila është shumë e lumtur për këtë sukses deri në publikimin e këngës së radhës.
E ndërsa Besa i gëzohet këtij suksesi, në anën tjetër Mariza Ikonomi tashmë ka edituar edhe klipin e parë të realizuar me një produksion francez, projekt ky i pari në gjuhën frenge për këngëtaren, e cila ka një kohë që jeton në Nica të Francës ku ndjek studimet dhe synon një karrierë ndërkombëtare. ”15 ans” titullohet kënga dhe klipi i parë i Marizës, i cili ka pak ditë që është publikuar në Youtube, ndërsa produksioni francez Marizën e ka quajtur si pop/rock diva e Ballkanit për shkak të vokalit të saj melankolik. Ndërkohë që kujtojmë se tregu muzikor në Francë dhe Rumani është i stërngarkuar dhe konkurrenca është aq e lartë, pritet të shihet se çfarë vendi do të kenë dy këngëtaret shqiptare…











