Kërkohet ndërhyrja në Siri, Kofi Anan emërohet emisar

Feb 25, 2012 | 13:17
Protestat në Siri

Vende të fuqishme arabe kanë kërkuar të premten një ndërhyrje në Siri kundër Presidentit Bashar al Asad, ndërsa SHBA paralajmëroi se ai do të ketë “akoma më shumë gjak në duar” nëse bllokon ndihmat në zonat e goditura civile.  Në një takim mes kombeve perëndimore dhe arabe, mbi përshkallëzimin e presionit ndaj Assad, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Saud al-Feisal, tha se ai mbështet armatosjen e rebelëve. “Unë mendoj se kjo është një ide e shkëlqyer”, tha ai në fillim të një takimi me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, e cila paralajmëroi se për dhunën në Siri do të paguhej një çmim i lartë. Në një qëndrim politik të papritur kundër Asad, grupi islamik palestinez “Hamas” tha se: “Përshëndesim popullin heroik në Siri që po luftojnë për liri e reforma demokratike”. Deklarata u bë nga lideri i Hamas, Ismail Haniyeh. Edhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheiku Hamad bin Jasim al-Thani, tha se duhet krijuar një forcë arabe për të imponuar paqen dhe të hapë korridore humanitare në Siri. Në Homs, qeveria siriane ka vrarë me artileri pesë persona, duke hyrë dje në javën e katërt të bombardimit mbi këtë qytet. Aktivistët thanë se forcat e sigurisë në Siri kanë rreshtuar dhe vrarë 18 persona në një fshat në provincën Hama. Në takimin “Miqtë e Sirisë” u kërkua “ndalimi i menjëhershëm i çdo lloj dhune”, për të lejuar stafin e OKB-së të ndihmojë civilët e prekur nga dhuna. Ndërkohë, ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, është emëruar emisar special i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për Sirinë.

© Panorama.al

Te lidhura