TIRANE – Ish-oficeri i Policisë së Komisariatit Nr.3 në Tiranë, Arjan Hoxha, duhet të mbahet në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Kjo është kërkesa që Prokuroria e Tiranës do të bëjë në gjykatë ndaj oficerit që u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, për shkak se prej dy muajve shfrytëzonte dy vajza për ushtrim prostitucioni. Arrestimi i efektivit të policisë ndodhi pranë një hoteli në Golem të Kavajës, ku oficeri 37 vjeç ra në pranga teksa po përcillte dy vajzat te klientët që kishin kërkuar praninë e tyre. Gazeta “Panorama”, duke iu referuar këtij lajmi, ka publikuar dje gabimisht fotografinë e një hoteli në Golem, hotel i cili nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë. Gazeta sqaron se fotografia e publikuar dje në faqen 9, shoqëruese e shkrimit me titull “arrestohet polici, tutor i prostitutave”, nuk paraqet hotelin që ka lidhje me këtë ngjarje. Ngatërresa ka ndodhur sepse policia dha emrin e hotelit pa specifikuar mirë zonën ku ndodhej ai. Ndërkohë, gazeta mësoi se në zonën në fjalë ndodhen dy hotele thuajse me të njëjtin emër, por fotografia e objektit që është bërë publik dje në gazetë, nuk ka lidhje me ngjarjen.











