Kërkohej për një vrasje në ’96, ekstradohet i riu

Aug 24, 2011 | 10:55

TIRANË- Iinterpol Tirana ka ekstraduar një të kërkuar për vrasje që në vitin 1996 dhe dënuar në mungesë për krimin me 16 vite burg.

Policia e Tiranës ka njoftuar se është ekstraduar shtetasi Edmond Panaori, 33 vjec, lindur në Fier. Këtë shtetas gjykata e Fierit e ka dënuar me 16 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me dashje“ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

“Ky shtetas është shpallur fajtor pasi më datë 05.11.1996, pas një grindjeje në qendër të fshatit Mbers, Fier, ka vrarë me armë të ftohtë (thikë), shtetasin Gazmend Selimi”- thuhet në njoftimin e policisë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datë 09.01.2011, në Romë, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

© Panorama.al

Te lidhura