TIRANE – Policia shkon për të parandaluar një konflikt të armatosur mes dy personave, por ka hasur në rezistencën e autorit të ngjarjes, madje një nga inspektorët e Policisë Kriminale është goditur nga personi që po shoqërohej në Komisariatin Nr.2. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Fillimisht konflikti ka nisur mes Dritan Fezollarit dhe Fation Hoxhës, 24 vjeç. Policia e Tiranës ka arrestuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm Dritan Fezollarin, i cili ka qenë edhe i armatosur gjatë konfliktit me 24-vjeçarin Hoxha. Sipas Policisë, arrestimi i tij u krye sepse të dielën, rreth orës 22:00, ka bërë kallëzim shtetasi Fation Hoxha, i cili pretendon se është goditur dhe kanosur me një armë të tipit pistoletë nga ana e shtetasit Dritan Fezollari. Menjëherë janë kryer veprime të tjera hetimore në lidhje me kallëzimin e mësipërm, dhe në kohën kur forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2 kanë shkuar për të shoqëruar këtë shtetas, janë penguar në kryerje të detyrës nga ana autorit Fezollari, i cili ishte edhe i armatosur. Ai ka goditur për shkak të detyrës një punonjës të Policisë Kriminale, duke refuzuar që të hiqte edhe armën nga brezi. Debati mes forcave të Policisë dhe autorit të kanosjes ka zgjatur për disa minuta, derisa atij i është marrë me forcë arma që mbante me vete dhe është arrestuar duke u izoluar në qelitë e paraburgimit të Komisariatit Nr.2, përveçse me akuzën e kanosjes, edhe me atë të goditjes për shkak të detyrës të punonjësit të Policisë.











