
Rrëfimi i 30-vjeçares: Donte të më shihte të shkoja me burra të tjerë.
Arrestohet 42-vjeçari. Filmoi gruan në shtrat 4 vjet radhazi.
I jepte gruas të pinte, e çonte në shtrat dhe e filmonte në momentet intime. Videot burri 42-vjeçar i mbante në telefon, me të cilat e kërcënonte të shoqen se do t’ia publikonte në internet nëse nuk shkonte me burra të tjerë në sy të tij. Një histori rrëqethëse është regjistruar në qytetin e Gjirokastrës, e cila u zbardh pas 4 vitesh, vetëm kur gruaja 30-vjeçare, nënë e 2 fëmijëve, u rrah në mes të qytetit dy ditë më parë. Dhuna fizike e psikologjike ndaj shtetases Z.G. kishte nisur prej kohësh, por së fundi kishte arritur deri aty sa të kërcënohej me vdekje nëse nuk do të prostituonte. “Do të të vras ty, do të vras dhe fëmijët”, ka qenë kërcënimi ekstrem i 42-vjeçarit Mihal Koronit ndaj së shoqes, pas 8 vitesh martesë mes tyre. Vetë gruaja ka treguar në Policinë e Gjirokastrës se i shoqi e dhunonte sistematikisht fizikisht dhe psikologjikisht, derisa e detyroi që katër muaj më parë të largohej fare nga shtëpia. Por, largimi vetëm sa përkeqësoi situatën, derisa pas disa seancash pajtimi, Koroni e rrahu gruan në mes të qytetit. Gruaja me origjinë nga Lushnja arriti t’i shpëtonte nga duart, duke u ndalur në oborrin e Komisariatit të Policisë, çka solli dhe zbardhjen e marrëdhënies mes çiftit.
Filmimet në 4 vjet
Grupi hetimor ka nxjerrë përfundimin se Koroni nuk kishte si qëllim prostituimin për qëllim përfitimi, pasi gjendja ekonomike e familjes ishte e mirë. Mësohet se 42-vjeçari, i cili u arrestua për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, mbetur në tentativë, punonte dhe kishte të ardhura të mjaftueshme për një familje, por prirjet e tij seksuale e kishin shtyrë atë të ndërmerrte veprime hera-herës të pakontrollueshme. Qëllimi final i të shoqit, i cili iu bë obsesion muajin e fundit, ishte që ai të nxirrte në rrugë gruan për të prostituuar. Për ta detyruar ta realizonte këtë, ai e kërcënonte me videot e regjistruara në intimitet. Kanë qenë plot dhjetë video që ishin ruajtur në brendësi të telefonit celular, përmbajtja e të cilave ishte mjaft “hot”. Dëshmia e gruas është ndalur edhe te detaje të tjera ku ajo ishte e detyruar të pozonte nudo dhe të filmohej duke luajtur me lodra të ndryshme në pjesët më intime. Herë pas here gruaja ka qenë nën efektet e alkoolit, të cilin i shoqi e detyronte të pinte para se të shkonin në shtrat. Çifti kishte mbi tetë vjet martuar dhe kishin dy fëmijë. Jeta e tyre bashkëshortore nisi të kishte krisje sapo ata kishin ardhur në Gjirokastër nga Përmeti pesë vjet të shkuara. Xhelozia e Mihalit ishte ekstreme, aq sa turbulloi mendjen e së shoqes së tij, e cila i plotësonte çfarëdolloj tekash seksuale. Marrëdhëniet e tyre sapo vinin dhe acaroheshin me daljen në dritë të fëmijës së dytë dhe kjo arriti kulmin te kërkesat e shumta në adresë së të shoqes nga ana e 42-vjeçarit. Në rrëfimin e saj në Polici, 30-vjeçarja pranonte se i shoqi kërkonte që ajo të kryente marrëdhënie seksuale në prani të tij me burra të tjerë, pasi kështu e eksitonte më tepër Mihalin. Me një litar dhe kamxhik, që e përdorte në raste ekstreme, Mihali ushtronte dhunë shtazarake, aq sa e gjakoste në shumë zona të trupit. “Ai kënaqej kur më dhunonte dhe kur më gjuante nga të pasmet me litar dhe me rripin e pantallonave, luante me mua larg syve të fëmijëve dhe shpeshherë edhe komshinjtë dëgjonin klithmat e mija teksa duroja dhunën shtazarake”, është shprehur para policisë 30-vjeçarja.
Dhunimi i fundit
Kjo gjendje u bë e padurueshme për të gruan e re, aq sa para katër muajve, ajo guxoi të largohej prej tij dhe jetonte e vetmuar, ndërsa fëmijët i kishte dërguar te familjarët e saj. Së fundi ajo kishte përgatitur edhe terrenin për divorc zyrtar. Kur ka mësuar këtë, i shoqi ka kaluar në kërkesën finale, atë të prostituimit të gruas, duke u bërë shantazh me videot.
Ashtu siç kishte bërë dhe herët e tjera, dy ditë më parë Mihali e telefononte të shoqen për t’i kërkuar asaj ndjesë për veprimet e kryera dhe e ftonte të bënin paqe. Kjo u përtyp për momentin nga 30-vjeçarja dhe pasi kishin pirë një kafe në një lokal afër shtëpisë në lagjen “11 Janari”, zbritën në lagjen “18 Shtatori” për të bërë pazarin në një supermarket pas Pallatit të Sportit të Gjirokastrës. Aty debati mes bashkëshortëve është ndezur dukshëm, aq sa ka pasur për dëshmitarë dhjetëra njerëz, të cilët kanë parë konfliktin fizik dhe grushtet që sulmonin 30-vjeçaren. Kjo e fundit, menjëherë i ka shpëtuar agresionit të të shoqit dhe iu drejtua Policisë për ndihmë.
10 video të filmuara në telefon
Në të 10 videot e filmuara me telefon, 42-vjeçari ka kapur vetëm të shoqen në momente të ndryshme. Videot janë kryer në kohë të ndryshme, por sipas Policisë, pjesa më e madhe e tyre para se gruaja të largohej nga shtëpia. Në dy-tri raste, filmimet janë kryer në periudhat e pajtimit mes çiftit, kur 30-vjeçarja kthehej në shtëpi. Ka dyshime se burri e ka kërcënuar gruan për prostitucion në shenjë hakmarrjeje pse ajo e braktisi. I pyetur në polici, Koroni nuk ka dashur të japë shpjegime, duke u përgjigjur se i kishte bërë filmimet për qejfin e tij dhe me gruan e tij.
Gruaja, në mbrojtje policore
Pas denoncimit, Policia e Gjirokastrës u vu në kërkim të bashkëshortit të 30-vjeçares, të cilin lehtësisht e kanë gjetur duke konsumuar alkool në një prej klubeve të qytetit. Koroni është arrestuar menjëherë, ndërsa e shoqja është marrë në mbrojtje policore duke mos marrë kontakt me askënd, përveç familjarëve të vet. Ekspertiza mjekoligjore ka nxjerrë se gruaja kishte nevojë për raport 9-ditor për shkak të dhunës.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











