Kërcënoi ndërtuesin, ndalohet 34-vjeçari

Aug 24, 2012 | 12:42
Drejtoria e Policisë së Tiranës

TIRANE – Policia arrestoi dje ndërtuesin Shkëlzen Luka, 34 vjeç, i cili dyshohet se dy javë më parë ka kërcënuar me armë zjarri një koleg  të tij, konkretisht Arben Rrelin, 47 vjeç, te Kopshti Botanik në Tiranë. Arrestimi i Shkëlzen Lukës u krye nga oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, me akuzën “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Konflikti mes dy biznesmenëve në fushën e ndërtimit, Arben Rreli dhe Shkëlzen Luka, ka nisur pasi ata kishin bërë disa ndërtime së bashku dhe nuk kishin respektuar llogaritjet e fitimeve që kishin bërë para se të nisnin ndërtimet. Pas përfundimit të punës së përbashkët dhe ndarjes së fitimit, 34-vjeçari Shkëlzen Luka ka pretenduar më shumë para. Burime nga grupi hetimor thanë se Luka nuk ka qenë dakord me ndarjen e fitimit dhe duket për këtë arsye mes dy biznesmenëve kishte nisur përplasja. Arben Rreli nuk ka pranuar kërkesën e kolegut të tij, i cili dy javë më parë ka kërkuar me dhunë dhe nën kërcënimin e armës pjesën e parave që pretendonte. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Tri kullat”, e ndërtuar nga firma “Rreli Konstruksion”, përballë Kopshtit Botanik në Tiranë, kur biznesmeni Arben Rreli është dhunuar dhe kanosur me armë në zyrën e tij.

© Panorama.al

Te lidhura