Kërcënohet me armë shoferi i autobusit

Sep 3, 2012 | 12:06

TIRANE – Policia e kryeqytetit tha se parandaloi dje një vrasje në autobusin e linjës Durrës-Tiranë, në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës, në kryeqytet. Një 17-vjeçar me precedentë penalë, i armatosur me një pistoletë “Zastava”, pasi ka goditur me tytën e pistoletës në kokë shoferin e autobusit, e ka kërcënuar vetëm pse nuk i hapi dritaret e autobusit. Burime nga Policia thanë se janë njoftuar për ngjarjen nëpërmjet Sallës Operative, rreth orës 11:30 të mëngjesit, kur një prej pasagjerëve ka lajmëruar se një djalë i ri po tentonte të vriste shoferin. Një debat fare banal mes pasagjerit 17-vjeçar që kërkonte të hapeshin dritaret sepse kishte vapë dhe shoferit 40 vjeç, i cili nuk pranonte pasi kishte hapur kondicionerin, mund të ishte mbyllur me viktima, në rast se Policia nuk do arrinte të ndalonte në kohë autorin. Pas njoftimit të pasagjerëve, të cilët  shpreheshin se autobusi ishte në lëvizje duke iu afruar Doganës, në drejtim të qendrës së Tiranës, forca të shumta nga Komisariati Nr.3 dhe të Njësisë Operacionale të Drejtorisë janë nisur drejt vendngjarjes. Ndërsa autobusi është ndalur vetëm pak metra pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e Doganës dhe shoferi e kishte drejtuar nga Unaza e Re. Në momentin që Policia ka rrethuar zonën, 17-vjeçari Briken Bermetaj është bindur të dorëzohet dhe ka zbritur duke u vënë në pranga. Nga deklarimet e pasagjerëve mësohet se gjithçka ka nisur nga një debat banal mes pasagjerit Bermetaj dhe shoferit të autobusit A.C., i cili nuk i është bindur adoleshentit për të hapur dritaret e autobusit, pasi sipas tij kondicionerët ishin të ndezur. Për këtë arsye ata kanë debatuar për disa minuta, derisa 17-vjeçari i është afruar shoferit te timoni dhe i ka drejtuar në kokë një pistoletë që e kishte pasur në brez gjatë gjithë udhëtimit. Në një moment ai e ka goditur shoferin me tytën e saj dhe e ka kërcënuar se do ta vriste, në rast se nuk e ndalonte autobusin. Por në kohën që kërcënimet vazhdonin, shoferi ka devijuar rrugën dhe në atë moment ka ndërhyrë Policia duke vënë në pranga autorin. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se i arrestuari Briken Beqir Bermetaj, 17 vjeç, është person me precedentë kriminalë në krimet kundër personit dhe pasurisë, i dënuar disa herë.

© Panorama.al

Te lidhura