Kërcënimi, “Brisku” mbron Ilir Metën

Aug 20, 2011 | 11:59
Ilir Meta në rezidencën e tij tek Gjiri i Lalëzit

Ish-zv.kryeministri Ilir Meta është marrë në mbrojtje nga reparti i forcave speciale “Brisku”, pas kërcënimeve me jetë të bëra në adresë të tij.Prej disa ditësh, në rezidencën e kreut të LSI-së te Gjiri i Lalëzit janë vendosur shërbime të përforcuara të policisë. Shtimi i masave të sigurisë ka ardhur pas denoncimit të bërë nga vetë Meta për mesazhet kërcënuese që ai ka marrë për jetën. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth dhjetë ditë më parë, kur siç thuhet nëpërmjet telefonit celular, kreu i LSI-së ka marrë kanosje që cenojnë sigurinë e tij. Pak kohë më pas, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është vënë në dijeni të këtij fakti. Dosja për kërcënimin e Metës mësohet se është duke u përpunuar në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe atë të Hetimit në Policinë e Shtetit. Krahas veprimeve për hetimin dhe identifikimin e autorëve të kërcënimit në adresë të ish-kreut të LSI-së, Policia e Shtetit menjëherë ka marrë masa për garantimin e sigurisë së Metës. Një grup prej shtatë oficerësh të repartit të forcave speciale “Brisku” janë vendosur me shërbim pranë rezidencës ku po qëndron kreu i LSI-së te Gjiri i Lalëzit. Po kështu janë marrë masa për garantimin e Metës edhe gjatë lëvizjeve, duke i vënë në dispozicion 3 automjete, një “Hummer”, një “Range Rover” dhe një “BMW X5”.
Hetimi
Policia e Shtetit nuk ka preferuar të bëjë publike dje përmbajtjen e kërcënimeve të mbërritura në adresë të Ilir Metës. Zyrtarisht, nga Ministria e Brendshme është konfirmuar se ka një denoncim në Policinë e Shtetit në lidhje me kanosjen. Burimet kanë thënë po ashtu se mesazhi telefonik përmbante kanosje dhe fyerje, mirëpo nuk bëhen të ditura detaje të tjera. Nga verifikimet e deritanishme, burime të policisë, jo zyrtarisht, kanë thënë se mesazhet dyshohet të kenë ardhur nga jashtë Shqipërisë. Ndonëse çështja është referuar në Policinë e Shtetit, burime të Prokurorisë kanë thënë se nuk janë në dijeni të kësaj çështjeje. Prokuroria ka theksuar se nuk ka marrë ndonjë kallëzim penal nga vetë Meta apo qoftë edhe ndonjë material hetimor nga Policia e Shtetit.
Masat

Hameri i policisë, dje tek Gjiri i Lalëzit

Një numër i madh mjetesh janë vënë në dispozicion të grupit të oficerëve të forcave speciale që shoqëron dhe ruan ish-zv.kryeministrin Ilir Meta. Automjeti tip “Hummer” qëndron prej më se një jave i parkuar pranë rezidencës ku Meta po qëndron aktualisht në Gjirin e Lalëzit. Po kështu, në shërbim të oficerëve të Briskut është vënë edhe një “Range Rover” dhe një “BMW X5”, për të realizuar lëvizjet e kreut të LSI-së. E gjithë zona përreth rezidencës është vendosur nën mbikëqyrjen e kamerave të vëzhgimit që kontrollohen, ndërsa perimetri i godinës ruhet 24 orë në 24 nga efektivat e forcave speciale.

Mbrojtja nga “Brisku”

Reparti i forcave speciale “Brisku” ka në përbërjen e vet një njësi të specializuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve shtetërore. Kjo njësi kujdeset për sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda, ndërsa kryen edhe shoqërimin dhe ruajtjen e personave të penduar apo bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Gjyqi me Priftin rinis në shtator

TIRANE – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka të hapur në Gjykatën e Lartë një proces kundër tij me akuzën e korrupsionit. Procesi penal në fjalë është shtyrë për në muajin shtator, ndërkohë që Gjykata e Lartë ende nuk ka marrë në pyetje dëshmitarin kryesor të prokurorisë, ish-ministrin dhe anëtarin e LSI-së, Dritan Prifti. Ky i fundit e përgjoi Metën në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë në një bisedë ku përmenden 700 mijë euro, emërime në administratë dhe tendera të Albpetrol-it. Edhe vetë Dritan Prifti ka pretenduar se është kërcënuar pasi publikoi regjistrimet filmike. Pak kohë më parë Prifti madje denoncoi heqjen pa shkak dhe pa shpjegim të truprojës nga reparti i Briskut që kujdesej për sigurinë fizike të tij që nga fillimi i këtij viti. Ndërkohë ai është marrë i pandehur nga prokuroria për një video të regjistruar në banesën e tij ku merr 70 mijë euro nga ish-zv.ministri i Ekonomisë.

© Panorama.al

Te lidhura