Kërcënimet, Apeli “fal” Shkumbinin

May 12, 2012 | 13:32

Komisioni i Apelit i ka rikthyer tri pikët e hequra nga Disiplina ditën e mërkurë, duke ndryshuar kështu edhe një herë renditjen e Superiores. I mbledhur dje, Apeli, pas debatesh të shumta me tri vota pro dhe dy kundër ka vendosur që përfundimisht të ndryshojë vendimin e Komisionit të Disiplinës, pika 1, në këtë mënyrë: Shkumbini, për kërcënime të zyrtarëve të tij kundrejt zyrtarëve të ndeshjes dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me Flamurtarin me rezultatin 3-0, si dhe zhvillimin e katër ndeshjeve pa spektatorë, bazuar kjo në nenin 65.4 dhe në nenin 12.1, germat b dhe g. Me vendimin e dhënë dje nga Apeli, peqinasit (30 pikë) janë thuajse të shpëtuar, gjithnjë teorikisht, pasi do t’u mjaftonte që sot në Shkodër të mos pësonin humbje. Sakaq, edhe një barazim i tyre dhe një fitore e Tomorit në Fier do të bënte që të shpëtonte direkt Shkumbini, edhe pse skuadrat do të ishin me pikë të barabarta, 31. Në ndeshjet direkte Shkumbini ka fituar 6-2 dhe humbur 1-0 me Tomorin, ndaj është i avantazhuar. Ndërkohë, Tomori ka vetëm një shans për të shpëtuar direkt: të fitojë në Fier ndaj Apolonisë dhe të shpresojë që Vllaznia do të mundë Shkumbinin në Shkodër. Çdo rezultat tjetër i çon beratasit në “plej-out”. Me ndryshimin sërish të renditjes nuk ka shpëtim për Kamzën, e cila me çdo rezultat në ndeshjen me Tiranën do të jetë e detyruar të luajë ndeshje shtesë. Ndërkohë, Pogradeci (19 pikë) është i sigurt për momentin se mund të luajë një ndeshje shtesë, por rrezikon seriozisht edhe rënien direkt nga kategoria duke qenë se në ndeshjen e fundit ka përballë Skënderbeun. Korçarët nuk mund të tolerojnë as barazimin, pasi në të kundërt mund që të humbin titullin kampion, pikërisht në javën e fundit.

Bylisi fiton 3-1 ndaj Dinamos
Dje u luajt Bylis-Dinamo, e cila prodhoi edhe një tjetër humbje për blutë e kryeqytetit. Me një formacion “rinor”, Dinamo arriti ta befasojë Bylisin kur Matko Djarmati shënoi në minutën e 19-të, i treti gol sezonal i mesfushorit kroat. Por, në minutën e 35-të, blutë mbetën me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit të sulmuesit Endri Lala, ky i fundit nuk pranoi të zëvendësohej, duke provokuar edhe vetëndëshkimin me karton të kuq. Pas këtij episodi, Bylisi u argëtua duke shënuar tri herë rresht në harkun e 11 minutave: Meto 48’, Xhafa 54’ dhe Izuçuku në të 58’.

Superiore
Dje

Bylis-Dinamo 3-1
Shënues: Meto 48’, Xhafa 54’, Izuçuku 58 / Djarmati 19′

Sot, ora 17:00
Pogradeci-Skënderbeu
Apolonia-Tomori
Vllaznia-Shkumbini
Flamurtari-Laçi
Tirana-Kamza
Kastrioti-Teuta

© Panorama.al

Te lidhura