Këngëtaret tona ngelin pa ide, kopjojnë serbet dhe anglezet

Aug 27, 2011 | 14:04

E kanë problem krijimin e një projekti origjinal dhe, në mungesë të stilistëve, këshilltarëve e stafit profesional e kreativ, ndodh që në shumicën e rasteve këngëtaret tona të frymëzohen nga këngëtarë të vendeve fqinje dhe nga ata të njohur që janë në mbarë botën, për të krijuar diçka të re për fansat e tyre. Nuk dëgjojnë kritikën, por gjithmonë mundohen të arsyetohen me ndonjë fakt, duke thënë se mundësitë janë të vogla për të krijuar diçka të madhe. Populli thotë më mirë pak e me cilësi, sesa shumë e për lumë, kështu që me pak mundësi dhe kapacitet, edhe tek ne mund të krijohet një gjë shumë e bukur… dhe origjinale.

ÇILJETA, ROZI E ZAJMINA SI SEKA ALEKSIÇ DHE JELENA KARLEUSA
Nëse dëshironi të ndiqni modën që prezantojnë kohëve të fundit

Jelena Karleusa

Rozana Radi, Zajmina Vasjari dhe Çiljeta Xhilaga në klipet e tyre, pa dyshim që duhet  të hani shalqi në publik që të dukeni seksi dhe të vendosni shami në kokë si një gjetje e hatashme. Por këto ide nuk i kanë sjellë ato të parat. Dihet tashmë që këgëtaret tona gjithmonë frymëzohen nga të tjerat për të sjellë diçka të bukur në tregun shqiptar. Përveç këngëve dhe klipeve të cilat i kopjojnë gati 100%, kanë filluar të vjedhin edhe idenë për paraqitje skenike e veshje. Nga imazhet që kemi siguruar, Rozana Radi është duke punuar një videoklip të ri në të cilin do të shfaqet me shami në kokë, ndërsa disa javë më herët të njëjtën gjë e ka bërë edhe Çiljeta Xhilaga në duetin e realizuar me Vanin, në të cilin shfaqet shumë sensuale, por po ashtu me shami në kokë. Ne u munduam të zbulojmë se nga erdhi kjo ide tek këngëtaret tona dhe mësuam se disa muaj më herët të njejtën gjë e kishte praktikuar këngëtarja

Seka Aleksic

serbe Seka Aleksiç, për të cilën thuhej se kishte problem me flokët, pasi kishin filluar t’i bien dhe për këtë arsye ajo kishte vendosur të shfaqej në klip dhe nëpër intervista televizive me shami në kokë, pa e kuptuar që po përhapte një modë të re edhe në Shqipëri. Nuk dihet nëse kanë të njëjtin problem si Seka, edhe Çiljeta me Rozin.
Kalojmë tek shalqiri. Një frut që edhe emrin e ka seksi, mund të transformohet në një minë me sahat në gojën e një femre po ashtu seksi, prandaj dhe Zajmina nuk i ka rezistuar dot shalqirit dhe e ka dashur se s’bën në klipin e saj të ri. Por kjo nuk do të thotë se Zai i vari shpresat vetëm tek shalqiri për t’i dhënë klipit dozën e duhur të sensualitetit, sepse imazhet e saj të nxehta edhe kësaj radhe nuk na i kurseu. Por edhe shalqiri na doli ide e vjedhur, pavarësisht se edhe ne shqiptarët kemi një jetë që e hamë. Por problemi është kush e hëngri e para në klip? Gjatë hulumtimeve mësuam se para se ta hante Zai, e paska ngrënë Jelena Karleusa, por ndryshe nga Zajmina, ajo ka qenë e shoqëruar nga disa djem modelë shumë seksi. Lind pyetja, po në të ardhmen do të vazhdojnë të jenë serbet frymëzim për këngëtaret tona apo më në fund do sajojnë ndonjë gjë vetë? Të paktën shalqirin mund ta zëvendësojnë me pjeprin…

DAFINA ZEQIRI FRYMËZOHET NGA JESSIE J
Edhe Dafina Zeqiri, e cila si këngëtare e re dhe shumë e talentuar dëshiron të shfaqet ndryshe, nuk i ikën tendencës së kopjimeve. Herë Rihanën, Beyoncen, Lady Gagan e shumë këngëtare të njohura, Dafina këtë radhë është frymëzuar nga një këngëtare e re, por shumë e njohur angleze, Jessie J. Kanë pothuajse të njëjtën moshë dhe ndoshta për këtë arsye Dafina ka vendosur që të vazhdojë rrugën e saj për të mos rënë shumë në sy me kopjime, pasi Jessie J nuk është shumë e njohur në publikun shqiptar. Me kopjime nga më të ndryshmet, Dafina vazhdon të ndjekë rrugën edhe të këngëtares daneze Medina pasi, po të bëni një kërkim në disa forume shqiptare, shihen qartë kopjimet që  Dafina i ka bërë më herët nga kjo këngëtare. Problemi tek këngëtaret tona është se nuk zgjedhin si rrugë të suksesit vetëm një personazh për t’u identifikuar me atë, por marrin si shembull shumë këngëtare të njohura dhe nga gjithë ato mundohen të krijojnë një identitet të tyre, por si duket nuk po u shkon mirë, pasi origjinaliteti ka shije më të mirë se diçka false.

 

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura