Ditët e fundit, Struga shënoi dekadën e katërt të organizimit të pandërprerë të festivalit të thesareve shekullore të popullit, “Këngë Jeho”.
Për tre net, në qytetin turistik të Strugës, u organizua për të 32-tin vit, festivali i Artit Popullor, i cili në jetën kulturore të këtij qyteti konsiderohet si një ndër manifestimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë shpirtërore, me shtrirje nga të gjitha trevat etnografike shqiptare dhe diasporës. Si ngjarja më e madhe kulturore në Maqedoninë shqipfolëse, festivali “Këngë Jeho” i Strugës, shprehet drejtori i festivalit, Zini Isufi, lindi si domosdoshmëri për më tepër liri, për një unitet brenda njësisë etnike, për afrimin shpirtëror të shqiptarëve në mes tyre, nga ndarja shumëvjeçare mes njëri-tjetrit, sepse kënga, vallja, melodia, kostumet popullore e ndihmojnë afrimin shpirtëror të bashkëkombësve.
Historikisht ky festival, me vlera të spikatura etnike, ka qenë produkt i vlerësimit patriotik dhe ndihmesës së intelektualëve dhe rinisë së Strugës, për ta kthyer trashëgiminë shpirtërore të popullit në një festë artistike. Përkushtimi i këtyre intelektualëve e shtriu fizionominë e festivalit në gjithë hapësirën etnike për ta shndërruar në manifestim të të gjithë popullit shqiptar, si një festival mbarëkombëtar.
Pavarësisht vështirësive, në 32 vjet festivali ka përcjellë vlera origjinale; gjerdanë me gurë të çmuar të krijuar nëpër shekuj, pjesë e palcës së këtij trualli, si dëshmi e konstitucionit shpirtëror të një populli të lashtë, por edhe si një befasi artistike me gjenezë shekullore. Edhe në ditët e këtij festivali, mbizotëroi më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit. Në atë sfond natyror të qytetit ujor, dekori i ri shumëngjyrësh përzihej me motivet melodike dhe ritmin e valleve epike dhe lirike, ndaj Struga dukej më e re, më e gëzueshme mes ngjyrave të arta që kanë përcjellë artistët popullorë brez pas brezi në shekuj.
Pjesëmarrja e shumë shoqërive kulturore artistike të Maqedonisë së Veriut, të Kosovës , të Shqipërisë, të Malit të Zi i dha festivalit “Këngë Jeho” përmasat e Odës së Madhe të shpirtit të Popullit, ku u prezantuan traditat, kultura historike kombëtare dhe jeta shpirtërore e stërgjyshërve tanë. Në këtë festival morën pjesë edhe grupet folklorike jashtë trevave shqiptare, Bullgari Greqi dhe Maqedonia e Veriut, çka i dhanë festivalit përmasa ndërkombëtare.
Parakalimi i kostumeve ,dekor shumëngjyrësh, elektrizoi rrugët dhe sheshet e Strugës, krijoi ndjesinë, se arti dhe kultura mbjellin ndjenja dashurie mes popujve. Në festivalin e 32 “Këngë Jeho”, morën pjesë ansamblet kulturore “Bajram Shabani” – Kumanovë, Ansambli “Emin Duraku”- Shkup, Qendra Kulturore Artistike “Anamorava” – Viti Kosovë, “Valët e Liqenit” – Ladorisht, Grupi Polifonik “Thesaret Labe” – Tiranë, “Studio Folk Blazheski” Shkup, “Hellenique Centre of Folk Studies Elkelam Athens”, Ansambli “Sadi Halili” – Librazhd, “Uniersity Folk Dance Group Puldin”, “Plovdid” – Republika e Bullgarisë, Ansambli Artistik i Shoqatës “Skampa” – Elbasan, SHKA “Përparim Tomçini” – Peshkopi, SHKA “Dibra e Madhe” – Maqedoni e Veriut, Shoqata Kulturore Muzikor, Kori Polifonik “Sofioti Cantore-Curriculum, i arbëreshëve të Kalabrisë etj. Përshëndeti festivalin natën e parë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare të Maqedonisë së Veriut, me drejtues artistin e madh Shkodran Tola, i cili interpretoi me shumë emocione edhe këngën polifonike “Bij çobanësh neve jemi”.
Programet e këtyre ansambleve folklorike i dhanë festivalit interpretime mjeshtërore, ku vallja dhe kënga popullore si palca e kësaj toke, folën me gjuhën e artit dhe estetikës, që ndonëse vjen prej shekujsh, ende mbetet e freskët dhe plot emocione. Në festival artistët popullorë e përcollën folklorin burimor, nën ritmin e tupanit dhe currles, me një shkrirje të elementëve dhe gjinive të ndryshe folklorike. Kjo formë organizimi e elementëve folklorikë, e bëri më interesante traditën, e mbushi spektatorin me emocione estetike dhe entuziazëm popullor.
Festivali ishte mbështetur në materialin e pasur folklorik të interpretuar me besnikëri brenda traditës popullore, duke përballuar forcën asimiluese të kushteve të reja historike. Ky thesar i madh kulturor e shpirtëror, erdhi në Festival plot gjallëri dhe jetë, përmes tingujve të artistëve dhe instrumenteve muzikore, si dhe ritmit dhe motiveve koreografike më karakteristike; plot elegancë, shije dhe finesë të hollë, me lëvizje të pasura, me patosin luftarak, sikurse vallja dyshe e burrave të Dibrës, e cila u shpalos me një origjinalitet befasues dhe interpretim mjeshtëror.
Në Festival përshëndetën shumë këngëtarë popullorë si: Arben Hajdini, Dardan Kolonja, Xhemail Murtishi, Agim Poshka, Xhevat Limani, Lirie Mustafaj, Agim Skara, Vera laçi, Atixhe Lushi dhe krenaria e artit popullor Shkodran Tola i cili me vokalin e tij brilant, i dha festivalit një udhëtim të mbarë dhe një kreshendo aq të domosdoshme në mbylljen e tij të suksesshme, që impresionoi gjithë të pranishmit e vendosur mbi urën e madhe të Drinit.
Gjatë bisedës me drejtorin e festivalit, Zini Isufi, përjetuam shqetësimin për të ardhmen e këtij demonstrimi popullor: “Në festival pati firo në llojet e koreografisë popullore shqiptare, të cilat me veçoritë e karakteristikat artistike kanë mbetur dëshmi për identitetin tonë kombëtar. Na kanë ardhur më shumë variante vallesh në festivalet e shkuar, por sikurse na thonë drejtuesit e ansambleve, sa përgatisin artistët e rinj, ata marrin pjesë në dy festivale dhe ikin në shkolla apo për punë në Evropë. Fillojnë përsëri nga e para me nxënës të shkollës, përsëri i njëjti përfundim. Askush nuk interesohet për shkollimin dhe punësimin e tyre brenda vendit në Kosovë e Maqedoni, për të pasur një kontingjent artistësh popullorë mjeshtërorë.
Munguan gjithashtu ritet e lashta; ritet festive të motmotit, festat me elemente pagane me gjurmë të riteve të vjetra, si riti i ndjelljes apo mbledhjes së bletës, të cilat janë më shumë të rrezikuara, se sa gjithë gjinitë e tjera të folklorit. Munguan këngët e djepit, të dasmës, ndonëse dikur nusen e sillnin në skenë me kalin e bardhë. Tani po fillon e kufizohet pasqyrimi i kësaj pjese të jetës shpirtërore në shekuj. Për të mos ia lënë spontanitetit këtë pasuri folklorike, është e nevojshme një konsultë e gjerë midis drejtuesve të komunave, drejtuesve të Ansambleve kudo ku veprojnë në Shqipëri dhe sektorit përkatës të Ministrisë së Kulturës, që ky festival edhe festivalet e tjera të Maqedonisë së Veriut të mos konsiderohet si përgjegjësi vetëm e Këshillit të Festivalit, i cili ka status vullnetari, po të konsiderohet përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve, sepse rrezikohet trashëgimia shpirtërore e popullit në shekuj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al