Për herë të pas pas katër viteve, flet hapur këngëtarja e re Eni Koçi, e cila së bashku me motrën e saj, Gretën dhe shumë artistë të tjerë manipulohen nga kompani të ndryshme, të cilat zotohen se do t’i mbrojnë materialet e tyre muzikore në internet. Eni rrëfehet në këtë intervistë për ”Panorama Plus” mbi aktivitetin e saj artistik, të cilin për momentin e ka ndërprerë derisa të rregullohen gjërat.
Si po zhvillohet jeta artistike e Gretës dhe Enit aktualisht, mund të na tregoni angazhimet tuaja?
Aktualisht kam pezulluar të gjithë krijimtarinë artistike, për arsye të një grabitjeje të veprave të mia muzikore dhe përfitimeve që rrjedhin nga këto vepra.
Është e vërtetë që për shkak të piraterisë ju nuk e lançoni klipin e fundit ”Love me”?
Po, është shumë e vërtetë. Videoklipi i këngës “Love me” ka përfunduar që në dhjetor të vitit 2011. E kam hedhur në internet dhe Aldor Nini, Arben Hoxha dhe Anxhela Faber më kanë hequr menjëherë audion, me pretendimin se këtë videoklip duhet t’ua jap atyre dhe vetëm nëpërmjet kontrollit të tyre dhe përfitimeve për llogari të tyre mund ta nxjerr këtë videoklip.
Sipas asaj që ke shkruar në fan-page, “mollë sherri” janë bërë disa kompani, të cilat zotohen për mbrojten e të drejtave të autorit në kanalet e videove?
Dorian Nini dhe Arben Hoxha na kanë kërkuar bashkëpunim për veprat tona muzikore, duke i shitur ato në internet, si dhe na premtuan mbrojtjen nga pirateria. Këto dy persona u prezantuan si bashkëpronarë të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, e quajtur “Easycom” sh.p.k., me qendër në Tiranë. Krijimi i kësaj firme kishte si qëllim të mashtronte artistët shqiptarë, duke i gënjyer për mbrojtjen nga pirateria dhe sigurimin e të ardhurave nga shitjet e reklamat e veprave muzikore të secilit artist. “EasyCom” ishte “kthetra” e mashtrimit. Materialet artistike që kjo firmë merrte nga artistët, i arkivonte në kanalin “ArkivaShqip” dhe vjedhja e të ardhurave nga reklamat dhe shitjet shkonin dhe shkojnë në xhepat e Aldor Ninit, Arben Hoxhës dhe Anxhela Faber. Përveç këtyre dy firmave, këta kanë krijuar dhe firma të tjera “fantazmë”, si “Acromax” dhe “OverNext”. Firma, të cilat janë pjesë e kurthit teknologjik të internetit.
Nga ajo që është shkruar, ju keni pasur kontratë me kompaninë ”Acromax”.Na thoni si erdhët deri te bashkëpunimi me këtë kompani dhe si ka rrjedhur puna deri më tani?
Nuk kemi pasur kontrate me “Acromax”, por vetëm me “Easycom”, e cila na premtoi mbrojtjen nga pirateria dhe shitjen e veprave të mia muzikore për llogarinë time. Por, asnjë nga këto premtime nuk doli i vërtetë, të gjitha mashtrime. Kjo kompani mori këngët dhe videoklipet tona, përfitoi prej tyre mijëra USD, goditi kompanitë rivale mbi emrin tonë, me pretekstin e mbrojtjes së të drejtave tona për të krijuar monopol në këtë biznes dhe konkretisht goditi Besfort Hasanajn, i cili në momentin që u godit nga Aldor Nini kishte një kanal me 70.000.000 klikime, duke fshirë videot e të gjithë artistëve në mënyrë që të drejtoheshin te Aldori për t’i “mbrojtur”.
Kjo kompani ishte zotuar se ka fituar gjyqin në Gjermani kundër një kompanie tjetër dhe Greta është dëmshpërblyer me 250 mijë euro, i keni marë këto të holla ndonjëherë?
Greta nuk ka hedhur në gjyq askënd. Është e vërtetë që Aldor Nini ka sjellë një vendim gjykate, ku thuhej se Gjykata gjermane kishte gjobitur kanalin e Besfort Hasanajt. Në këtë vendim bëhej fjalë që Besforti i detyrohej Greta Koçit 250.000 •. Të gjitha veprimet që ka bërë Aldor Nini kundra këtij personi dhe të tjerëve, me justifikimin e mbrojtjes së të drejtave tona, janë bërë pa dijeninë tonë. Siç e shpjegova dhe më lart, të gjitha këto veprime që bënte Aldor Nini nëpërmjet kompanive të tij pirate, bëheshin vetëm për të fituar mijëra dollarë.
Mendoni se dikush tjetër po fiton në krah të Gretës, Enit dhe gjithë këngëtarëve shqiptarë? Sa humbje, sipas mendimit tuaj, kanë pasur gjatë gjithë kësaj periudhe ata?
Dua të jap një fakt të konstatuar nga specialistë të kësaj fushe. “ArkivaShqip”, “EasyCom”, “Acromax”, “OverNext”, që kanë si pronar kryesor Aldor Ninin, përfitojnë në llogarinë e tyre bankare në Gjermani mbi 100.000USD në muaj nga Google. Këto të ardhura vijnë nga shfrytëzimi i veprave muzikore të të gjithë artistëve shqiptarë, që janë të arkivuar në “Arkiva Shqip”, si dhe nga çdo kanal i çdo individi që publikon një vepër muzikore. Aldori vendos reklamën, dhe të gjitha të ardhurat shkojnë në llogarinë e tij. Ndërsa artistët shpenzojnë për pasionin e tyre artistik, këta persona i vjedhin ato dhe abuzojnë ndaj tyre. Dëmi ynë financiar që nga viti 2009 dhe deri në këto momente që po flasim, është aq i madh, sa vështirë të llogaritet. Eni, keni thënë gjithashtu se tashmë procedura i ka kaluar Prokurorisë shqiptare, që është në ndjekje të këtyre personave.
Më konkretisht, çfarë është duke ndodhur, cilët janë hapat që do merrni ju në këtë rast?
Ne tashmë hapat i kemi marrë. Është bërë kallzimi nga ana jonë dhe ka filluar procedimi penal ndaj Aldor Ninit, Arben Hoxhës dhe Anxhela Faber-it.
Shumë kompani zotohen se do mbrojnë të drejtat dhe asgjë nuk bëjnë, kush do e drejtojë tani aktivitin tuaj në internet?
Me sa di unë, e gjithë shoqëria dhe subjektet që merren me këtë profesion nuk janë të kriminalizuar. Do të gjejmë një person apo një subjekt serioz që të menaxhojë jetën tonë artistike në internet brenda të gjitha standarteve dhe të drejtave ligjore.
Përveç klipit ”Love me”, çfarë tjetër është duke përgatitur Eni për këtë sezon?
Jam duke punuar disa këngë single dhe gjithashtu në planet e afërta kam dhe një bashkëpunim me një grup shumë të famshëm në gjithë Europën, por do ta zbuloj më vonë me detaje.
© Panorama.al











