KE “shpërfill” Greqinë, euro ia del edhe pa Athinën

Feb 8, 2012 | 11:57

Papademos me Papandreun dhe Samaras

Sot pritet pakti i fundit i Papademos, të gjithë sytë nga Greqia.

Edhe 12 orë pa marrëveshje mes klasës politike në Greqi. Takimet urgjente të Kryeministrit grek, Lukas Papademos, deri në mbrëmje vonë me përfaqësues të kreditorëve e trojkës, kanë krijuar pakënaqësi mes partnerëve të tjerë të qeverisë së unitetit, të cilët e kundërshtojnë projektin e masave të kursimit. Kreu i “Demokracia e Re”, Antonis Samaras, si dhe ai i LAOS, Jorgo Karaxheferis, nuk kishin në dorë tekstin përfundimtar të projektit të trojkës. Kështu, takimi vendimtar për krijimin dhe ratifikimin e marrëveshjes për shtrëngimin e mëtejshëm të kursimeve, në bazë të asaj që ofron trojka, u shty për të mërkurën në mëngjes. Papademos do të takohet me liderët politikë për finalizimin e Memorandumit të Masave dhe Marrëveshjes së re të kredisë, dhe menjëherë pas këtij takimi do të mblidhet kabineti qeveritar, i cili në rastin e arritjes së një marrëveshjeje, do ta ratifikojë me urgjencë atë. Analistët ekonomikë në Europë e SHBA vlerësojnë se sinjalet janë që marrëveshja do të përfundojë së shpejti dhe Greqia ka shanse të shpëtojë nga falimentimi. Deri në mbrëmje, Kryeministri Papademos ka diskutuar me kreun e Institutit Financiar Ndërkombëtar (IIF), Çarls Dalara, për detajet e fundit për PSI-në (“qethjen” e 50 për qind të borxhit që Greqia u detyrohet kreditorëve privatë) dhe më pas ai ka mbajtur edhe një takim tjetër me përfaqësuesit e trojkës për kushtet përfundimtare që ata ofrojnë për marrëveshjen që do të pasojë kredinë e ardhshme nga BE dhe FMN, prej 130 miliardë eurosh. Greqia është nën presion të vazhdueshëm për të arritur marrëveshjet e saj, pasi në mars ka për të paguar një këst borxhi prej më shumë se prej 14 miliardë eurosh, dhe vendi nuk mund ta përballojë këtë pa marrë paketën e dytë të huas. Ndërsa zërat në strukturat europiane se Greqia nuk i prish punë askujt po doli nga eurozona, po shtohen. Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Neli Kros, ka pohuar se nuk do të kishte asnjë problem nëse Greqia do të linte euron, të tjerët do të vazhdonin përpara. Deklarata e saj u bë në gazetën holandeze “Volkskrant” dhe, mes të tjerash, duke minimizuar rrezikun për një reaksion zinxhir në pjesën tjetër të grupit euro, thuhej: “Çfarë është një njeri më pak? Thuhet se nëse lejohet një vend që të dalë jashtë, me kërkesën e tij, atëherë e gjithë struktura do të shembet. Por kjo nuk është e vërtetë. Grekët duhet ta kuptojnë se ne holandezët dhe gjermanët mund t’ua shesim huat e Greqisë taksapaguesve tanë, nëse ka prova të një vullneti të mirë”, theksoi ajo. Ndërsa kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, u shpreh se “ne e duam Greqinë në eurozonë”, por vendimet u takojnë autoriteteve të vendit për të vazhduar apo jo me euron.

130 miliardë euro është paketa e re, e cila  mund t’i jepet Greqisë në rast se miratohen tri marrëveshjet që do të mundësojnë reformat e reja të ashpra.

Greva
Greqia u paralizua dje nga greva 24-orëshe e organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, të cilat kundërshtojnë masat e ashpra të kursimit, që trojka po kërkon me ngulm të nënshkruhen. Greva e përgjithshme devijoi në disa raste në dhunë. Bashkë me protestuesit ishin përfshirë edhe anarkistët, të cilët kanë hedhur molotov kundër forcave të rendit. Situata u tensionua, kur protestuesit tentuan të hynin në Parlament. Protestuesit dogjën flamuj gjermanë dhe hodhën parulla kundër Kryeministrit. Në grevë ishin përfshirë nëpunësit shtetërorë dhe sektori privat.

“Merkozi”
Në takimin e së hënës në Paris, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se me këstin 14.5 miliardë euro për të paguar më 20 mars, “Nuk mund të kuptoj pse na duhen edhe pak ditë” për marrëveshjen. Ndërsa Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, theksoi se nuk do të ketë më fonde pa reforma të reja. E megjithëkëtë, të lejojmë Greqinë të falimentojë, “nuk është opsion”, tha ai. Përpjekjet e Greqisë për të fituar një paketë të dytë huaje madhore nga trojka kanë mbetur pezull për katër ditë, pasi për ta marrë këtë paketë prej 130 miliardë eurosh, Greqisë i duhen disa marrëveshje, një me trojkën, një me kreditorët privatë dhe një mes përfaqësuesve të qeverisë së unitetit.

© Panorama.al

Te lidhura