Kavajë, gjendet 21-vjeçari që u mbyt në plazhin e Spillesë

Sep 3, 2012 | 11:18

KAVAJE – Pas gjashtë ditësh nga mbytja në det e 21-vjeçarit nga Cërriku, dallgët nxjerrin trupin e tij disa milje larg vendit të ngjarjes. Viktima, Ardian Karaj, u mbyt në plazhin e Spillesë në Kavajë, më 28 gusht. Ka qenë Policia Kufitare, e cila ka bërë të mundur gjetjen e trupit të të riut, ndërsa identifikimi i tij është kryer në një kohë të shpejtë. “Trupi i pajetë i të riut u gjet mëngjesin e djeshëm në Plazhin e Gjeneralit, disa milje në Veri të vendit ku u përmbys pedalonia me pesë të rinjtë nga Cërriku, ndërsa është transportuar për në morgun e Durrësit”, bëri të ditur Policia. Më 28 gusht, pesë të rinj kishin ardhur nga Cërriku për plazh. Në orët e mesditës ata kanë marrë me qira një varkë me pedale, por pasi janë larguar rreth 60-70 metra nga bregu, është përmbysur nga dallgët. Katër nga të rinjtë: Dy motrat Artemida dhe Raisa Balliu, 21 vjeçe dhe 17 vjeçe, Gerti Skënderi, 20 vjeç dhe Anxhela Shabani, 21 vjeçe kanë mundur të dalin në breg me not. Ndërsa viktima Ardian Karaj nuk ia ka dalë. Dyshohet se ai nuk ka ditur mirë not, ndaj nuk ka mundur të dalë në breg bashkë me të afërmit e tij. Pas alarmit të dhënë nga të mbijetuarit, në vend mbërritën forca të Policisë Kufitare, të Rendit si dhe polumbarë të RENEA-s, por ata nuk arritën të gjenin 21-vjeçarin. Sipas deklaratës së dhënë nga katër të rinjtë, të afërm me njëri-tjetrin, varka ishte përmbysur nga dallgët, të cilat në atë moment kishin qenë mjaft të fuqishme. Të mbërthyer nga paniku, ata nuk kanë mundur të shpëtojnë njëri-tjetrin. Por kanë nxituar secili të dalë në breg. Sipas tyre, 21-vjeçari kishte qëndruar i fundit sipër pedalones dhe dyshohet se e ka zënë poshtë në kohën që ajo është përmbysur.    l.m

© Panorama.al

Te lidhura