
KAVAJE – Këputja e një veshi rrush në vreshtin e një familjeje në Kavajë është bërë shkak për vrasjen e një personi. Artur Kura, 26 vjeç, u qëllua me armë gjahu dhe më pas gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak. Krimi ka ndodhur mbrëmjen e të hënës pas një konflikti, ndërsa autori i ngjarjes mësohet se është shtetasi Haxhi Zebeli, 34 vjeç, tashmë i arrestuar në lidhje me vrasjen. Konflikti i ndodhur në fshatin Gërmenj të komunës Lekaj të Kavajës ka pasur si shkak marrjen e një veshi me rrush në vreshtin e autorit të krimit. Shtetasi Haxhi Zebeli ka qëlluar fillimisht me shpullë një 13-vjeçar, të cilin e ka gjetur duke i marrë rrush në vreshtin e tij. Fëmija ka njoftuar vëllain e tij, shtetasin Artur Kura, i cili është konfliktuar më pas me pronarin e vreshtit. Pas kësaj, pronari i tokës, shtetasi Haxhi Zebeli, ka qëlluar me çifte dhe ka vrarë 26-vjeçarin. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mësohet se pas krimit autori ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndjekur dhe për një kohë të shkurtër është ndaluar nga policia. Ai akuzohet për krimin që ka ndodhur në fshatin Gjermenë, rreth 10 km larg nga qyteti i Kavajës, në një zonë kodrinore të mbjellë me ullinj, pemë, drufrutorë dhe vreshta. Vëllai i viktimës mësohet se është vënë në dijeni nga vëllai i tij i vogël për ngjarjen e ndodhur tek vreshti i bashkëfshatarit Haxhi Vedeli. I zoti i vreshtit kishte parë fëmijën që ka marrë rrush dhe e ka qëlluar atë, por më pas ka hyrë në konflikt me vëllain e tij. Dy palët kanë pasur marrëdhënie të acaruara, pasi disa muaj më parë vëllai i Haxhi Zebelit i ka marrë në mënyrë të dhunshme shtetasit Artur Kura një pasqyrë makine. Palët kanë bërë debate dhe nuk janë pajtuar për veprimin, duke e lënë konfliktin të hapur pas dëmtimit të automjetit. Për tre-katër muajsh, banorët e fshatit nuk kanë mundur të gjejnë pajtim mes palëve, ndërsa pas konfliktit të djeshëm gjërat kanë marrë tatëpjetën në mënyrë të papritur. Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme, shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ku ndodhi ngjarja dhe mësohet se pas një ndjekjeje që ka zgjatur më pak se 20 minuta, autori i krimit është vënë në pranga. Më pas, policia ka shoqëruar një numër dëshmitarësh për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen. l.m











