Katër të vdekur, katërvjeçarja, tetë orë e fshehur nën kufoma

Sep 7, 2012 | 13:39
Makina e familjes britanike

Një vajzë katër vjeçe ka qëndruar tetë orë e mbuluar me trupin e një prej familjarëve të saj të ekzekutuar, pasi ata u qëlluan ndërsa po ktheheshin nga pushimet në Alpe të Francës. Vogëlushja ishte pjesë e familjes nga Britania që po kamponte në mal, dhe u gjet nga policia e palënduar fizikisht, pak para mesnatës së të mërkurës, e shtrirë nën dyshemenë poshtë sedijes së parë, e fshehur nën këmbët dhe fustanin e një prej grave të ekzekutuara. Babai i saj, nëna dhe gjyshja ishin viktimat e sulmit ende pa motiv, ata ishin qëlluar në mes të ballit dhe jo nga larg. Vajza e dytë e kësaj familjeje, tetë vjeçe, e cila besohet të jetë motra e saj, ishte gjetur më parë jashtë makinës në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ishte plagosur në shpatull dhe ishte goditur disa herë në kokë. Edhe një çiklist lokal u gjet i qëlluar për vdekje në malet afër fshatit Shevaline, mes liqenit Anesi dhe kufirit me Zvicrën. Çiklisti kishte kaluar aty rastësisht në kohën e sulmit. “Unë nuk e quaj këtë një punë profesionistësh. Unë e quaj një akt të madh egërsie”, tha prokurori publik Eric Maillaud, i cili dukej qartë se po dridhej gjatë konferencës për shtyp në qytetin Anesi, në juglindje të Francës. Policia nuk e ka idenë për motivin e kësaj ngjarjeje. Sipas “Reuters”, pronari i makinës me targa të regjistruara në Britani, ishte një biznesmen me origjinë nga Iraku me emrin Saad al-Hilli, që jetonte me familjen në Anglinë jugore. Fqinjët e tij janë shprehur se ai ishte inxhinier që punonte për kompaninë satelitore në Surrei. Ndërsa sipas zyrtarëve, çiklisti ishte bërë baba prej pak kohësh.

Si u gjetën
Policia kishte mbërritur në vendngjarje rreth orës 04:00, pas sulmit, e njoftuar nga një tjetër çiklist i cili kishte hasur rrugës makinën ku ndodhi krimi, me motorin ende të ndezur dhe vajza tetëvjeçare kishte rrëshqitur nga pjesa e pasme e makinës në këmbët e tij. Vajza e vogël e terrorizuar nuk kishte bërë asnjë lëvizje dhe nuk kishte nxjerrë zë përgjatë tetë orëve që policia kishte qëndruar në vendngjarje. Ajo u identifikua vetëm kur u lëvizën  trupat, pas ekspertizës që pritej të mbërrinte nga Parisi.

© Panorama.al

Te lidhura