Katër shenjtorët janë tre: Shën Pjetri dhe unë

May 30, 2012 | 12:14

ARTUR LAZEBEU

Momenti i dakordësisë së pritshme për zgjidhjen e çështjes së qytetarit të parë të vendit duket se krijoi efektin e grykës së shishes. Mu sikur një e shtënë çifteje në mes të karadyzenit, kapsolla presidenciale shpërhapi nja tri-katër saçme nga duzina e përparësive të mirënjohura të integrimit.  Reforma elektorale, ajo parlamentare, kufizimi i imunitetit dhe personi i Presidentit. Pak si shumë? Jo. Befasi? Jo e jo! Mjaft të kujtojmë se ka kohë që punohet për to e mbi to dhe momenti i dakordësisë nuk është çudi që të mbijë aty për aty. Janë ndryshuar gjëra shumë më të mëdha, edhe pa marrë kaq kohë në diskutime. E tepërt të ripërsërisim refrenin “se-si-u-bënë” të amendamenteve të Kushtetutës. Në parim, asgjë nuk është e pandryshueshme, as Kushtetuta. Gjithmonë e më shumë bindem në pohimin e dyshuar nga vetë logjika, se kjo puna e 12, 12+1, 101 apo edhe e 1001 përparësive qofshin, modelohet sipërfaqshëm sipas avazit “katër shenjtorët janë tre: Shën Pjetri dhe unë”. Në vijim të kësaj, me kohë më ka rezultuar i saktë edhe perceptimi se çmimi më i lartë që kemi paguar në sfidat e integrimit ka qenë koha, vonesa. Variabla apo produkte të kësaj kanë qenë durimi dhe padurimi i sjellë dhe përcjellë nga mesazhet e të bërit politikë. Ja të marrim zgjedhjet. A nuk na duket sikur çdo raport ndërkombëtar ka qenë i tipit: “Ok, kësaj here vodhët më pak, po nuk vodhët herën tjetër, do t’jua dimë për nder”? Dhe shpërblimi nuk ka munguar, ndonëse shpërblyesit, gjithaq “buona fide”, kanë bërë edhe kujdes: “Nuk ju shpërblejmë ju, por aspiratat e popullit shqiptar”. Problem tjetër se po nga ky popull kanë qenë edhe ata individë apo cuba që ia kanë dalë të hedhin më shumë se një votë, duke vetëmarrë kështu arbitrarisht një status që dikur e kanë pasur tek-tuk vetëm aristokratët e mesjetës, edhe këta ndershmërisht të blerë dhe kjo mirëdihej nga e tërë gjindja nën cenz. Me një fjalë, a nuk e kuptojmë se po e prishim dasmën për pesë pare spec? Sepse kjo puna e kusht-kërkesave që sillen e risillen, nuk është ndonjë gjë e re. Sepse kjo puna e kusht-kërkesave ngjan edhe si blof, po të duam. Një blof me letra të hapura, por dhe me pasqyra të mëdha analistësh nga pas, ku lojtarët mund të gabojnë vetëm nëse ngatërrojnë gjashtën me nëntën apo Çupën me Derrin. Të dy në kërkim të As-it presidencial. Për mua, paketa me katër pika e risjellë në tryezën e negociatave institucionale mes partive që kanë për momentin domenin e vendimmarrjes, është lehtësisht e miratueshme. Madje është e paplotë, po të kemi parasysh kryesynimin e momentit. Kryeçështja e munguar aty është pikërisht diçka që lidhet me Presidentin. Një çështje jo e re kjo, madje e ngritur disa herë në opinionin publik. Ku është ligji organik për institucionin e Presidentit? Kjo pyetje mund të dominonte me legjitimitet të plotë shqetësimin e tryezës, por edhe më gjerë. Pse jo, edhe duke eklipsuar për momentin pikat e tjera, të cilat janë konsumuar aq shumë, sa tani nuk ngelet vetëm se të kalojnë sipas parimit çfarë nuk sjell viti, e sjell minuti. Garancitë e pretenduara apo të kërkuara nuk garantohen vetvetiu nga miratimi i një ligji apo reforme ligjore. Garancitë e pretenduara apo të kërkuara nuk garantohen as edhe nga simboli i unitetit kombëtar si i tillë. Simboli simbolizon, nuk garanton. Madje, edhe kompetencat e parashikuara në ligj nuk garantojnë vetvetiu. Garancitë i prodhon ndërveprimi i përditshëm mes lojtarëve. Me procedurë, jo me zotnillëk, qoftë ai edhe presidencial. Garantë janë arbitrit, arbitrit e çdo procesi a miniprocesi që bashkëshoqëron çdo lëvizje të politikave të mëdha e të vogla, të kushtetutave, kodeve, ligjeve apo akteve nënligjore që e bëjnë një shtet të quhet shtet. Morali i kësaj përralle rrotë-rishpikëse është: jepuni një karton edhe atyre ligjeve, mjaft që t’i kemi si shumë e shumë të tjera. Aq më tepër kur kërkohen nga pakica. Garancitë, ndonëse të sanksionuara, do të duan kohë të sendërtohen për të përftuar tiparet e shtetit ligjor dhe bashkë me të, edhe të së drejtës. Nuk është pa vend që gjindja të kujtojë se shtetin ligjor nga ai i së drejtës e ndan jo germa, por fryma, ajo që frymëzon interpretimin dhe thadron bindjen e brendshme te ligjzbatuesi, qoftë ai gjyqtar, qoftë administrator publik apo edhe President Republike. Vini re: jo zbatimi “për se” apo diktatura e ligjit, por mënyra se si. E drejta juridike, sado e ligjshme, jo në çdo rast legjitimohet të zgjidhë arbitrarisht një realitet moral e politik të krijuar prekshëm. Në demokracinë liberale, beteja mes ligjit dhe realitetit priret të përfundojë në favor të këtij të fundit. Ky është mali tek i cili shkon edhe Muhamedi. E meqë jemi në lëmin e doktrinës politike moderne, jo të dogmës fetare e aq më pak të autarkisë, mjetet që aktualisht lojtarët kanë në dispozicion janë numrat e pamjaftueshëm e, për pasojë, vetë pamjaftueshmëria për të vepruar arbitrarisht.
Projekti: Mirëqeverisja në krye të 100 viteve. Objektivi: Marrja e statusit të vendit kandidat. Procesi: 12 kushte havadan. Sfida imediate: zgjedhja e një Presidenti. Mjetet: negociata të dakortësuara. Zbatuesit: aktorët dhe faktorët politikë. Përfituesit: shqiptarët me ta në krye. Grupe të interesuara: unë, ti dhe opinioni publik. Le ta zgjidhim pak edhe këtë “konflikt interesi”. Në kushtet kur një pjesë bajagi të rëndësishme të sovranitetit në vendimmarrjen politike kombëtare, ka kohë që ia kemi deleguar përulësisht aktorëve dhe faktorëve mbikombëtarë, nuk na ngelet që lobizmin tonë si grupe interesi këndej gardhit, ta bëjmë së paku për të mënjanuar atë që quhet “tirani e shumicës”, për më tepër kur rezulton e pavetëmjaftueshme. Koherentë në realizmin tonë, të mos harrojmë edhe faktin se, në fund të ditës, e gjithë sforcoja e lobizmit të hapur që opinionbërësit mëtojnë të bëjnë, mirë apo keq, ka për objektiv të pandryshueshëm një gjë: luftën për pushtet. Çfarë çudie apo konspiracioni mund të ketë këtu? Këtë nuk e mënjanojmë dot as edhe sikur në krye të vendit të zgjidhnim një shenjtor.
Një rikujtesë: Dikur, teksa Britania zgjidhte si formë qeverisëse monarkinë parlamentare dhe jo republikanizmin, kjo vinte jo fill pas një mbretërimi absolutist. Ishte jo mbreti, por një lord me emrin Kromuell, i cili kish rezultuar të qeveriste edhe më ashpër dhe rrezikshëm se sa vetë mbreti i urryer. Kjo, paradoksalisht falë karizmës dhe dashurisë së popullit për liderin triumfator. Një udhëheqës, kryetar partie, Kryeministër apo President qoftë ai, rrezikon ta vrasë kjo “dashuri e popullit”, sidomos kur e përjetëson në pushtet. Qoftë edhe me vota, kjo ka dhe nuk ka rëndësi për produktin final. Një sistem, sado human të jetë, është i destinuar të kthehet në përbindësh, nëse nuk funksionojnë antikorpet e kufizimit të pushtetit, qoftë edhe brenda një zyre shoqate humanitare, e jo më në krye të shtetit.
Tek e fundit, Presidentin tonë po zgjedhim, nuk po zgjedhim kryestrategun e shpëtimit të eurozonës. Sidomos tani që timoni i pushtetit në rajon e më gjerë ka kohë që është shndërruar në një patate të nxehtë. Nuk po na e dëshmojnë fqinjët e Jugut këtë? Ja që kemi çfarë të mësojmë, jo edhe, por sidomos prej tyre. Ia vlen të prishemi për kaq pak? Hollë-hollë, po luhet loja e tolerancës.

© Panorama.al

Te lidhura