
Katastrofë mjedisore në plazhin e Nartës e të Zvërnecit në kulmin e sezonit turistik.Një sasi e konsiderueshme solari është përhapur me shpejtësi në det duke ndotur të gjithë vijën e këtij bregdetit, ndërsa pushuesit e shumtë që u ndodhën dje në plazh u detyruan ta braktisin atë. Nafta, tip solari, është vënë re nga pushuesit rreth orës 10:00. Ata kishin zgjedhur pikërisht këto zona të bregut duke i konsideruar këto plazhe si të pastra e thuajse të virgjra, por sërish janë detyruar të largohen duke dashur të shmangin kontaktet nga uji i përzier me naftën. Pushues të shumtë të kësaj zone, jo vetëm nga Vlora, por edhe të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit dhe nga Kosova, janë mbledhur fillimisht për të parë njollat e zeza që u shfaqën papritmas në ujë. Më pas ata kanë konstatuar se kishin të bënin me një përzierje solari, gjë që e bënte të rrezikshme futjen në det. Solari pushtoi në pak minuta pothuajse të gjithë vijën bregdetare të plazhit të Nartës dhe të Zvërnecit, prej më shumë se 1 km, dhe me thellësi nga bregu prej 5 deri në 10 metra, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore detare dhe ndotje të plazheve të kësaj zone. Pushuesit janë shprehur shumë të shqetësuar pasi uji i detit në një gjatësi prej 1 km është i ndotur. “Ne do të largohemi nga kjo zonë. Kemi ardhur nga rrethe të tjera të vendit për të kaluar disa ditë pushimi këtu, por, siç duket, ky det tashmë është i ndotur dhe nuk mund të pushojmë. Erdhëm në këtë zonë sepse është shumë qetë dhe plazhet janë shumë të mira, por ndotja me naftë na ka zhgënjyer. Shpresojmë që të pastrohet sa më shpejt”, u shpreh një pushuese teksa mblidhte plaçkat për t’u larguar bashkë me fëmijët. Shefi i kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, u shpreh nga vendngjarja se kjo sasi e derdhur në det është një masakër mjedisore, e cila mendohet se ka ardhur si pasojë e çarjes së tubacionit, i cili e çon naftën nga depozitat e ARMO-s që janë në Nartë për në bovat në det, nga ku furnizohen anijet dhe më pas transportohen jashtë shtetit. “Shkaku i çarjes të tubacionit mund të ketë qenë amortizimi i tejskajshëm i tubacionit që është shtrirë në ujë prej shumë vitesh”, u shpreh Gogo. Ai shtoi se njëherazi po kontrollohen të gjitha anijet që janë në det, por asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar me të tilla ngarkesa. Nga ana e ndërmarrjes së ARMO-s nuk ka një konfirmim zyrtar. Mësohet se po kontrollohet i gjithë tubacioni nën ujë me polumbarë për të identifikuar nëse ka çarje dhe ku, më pas për të ndërhyrë për riparimet e nevojshme. Për momentin puna për furnizimin e anijeve me solar është ndërprerë dhe gjatë orëve të mesditës së djeshme nuk pati derdhje të mëtejshme të solarit.Sipas specialistëve të Mjedisit, lënda e solarit që ka ndotur një pjesë të konsiderueshme të zonës së plazhit të Zvërnecit nuk do të lërë shumë pasoja, pasi do të asimilohet nga dallgët e detit. Ata shpjeguan se dëme të pariparueshme sjell derdhja dhe ndotja nga nafta bruto, e cila është shumë e trashë, si dhe zifti.
MJEDISI
Kreu i zyrës së Mjedisit të Vlorës, Geron Gunbardhi, u shpreh se personat që kanë shkaktuar një katastrofë të tillë mjedisore do të ndëshkohen sipas ligjit. Gunbardhi pohoi se ende nuk ishte në dijeni të shkakut të ndotjes. Sipas tij, mund të jetë nga çarja e tubacionit, por nuk përjashtoi as mundësinë e derdhjes së solarit nga ndonjë anije italiane që lundron jashtë gjirit të Vlorës.
PROKURORIA
Prokuroria e Vlorës ka filluar hetimin e ngjarjes. Burime nga Akuza bënë të ditur se ka dyshime për derdhje të solarit nga çarja e tubacioneve nën ujë, pronë e ARMO-s. Por nuk përjashtuan as pistën e derdhjes së qëllimshme nga ndonjë anije e huaj apo vendase, si dhe ndërhyrjen e personave në tubacionin që lidh depot e ARMO-s me anijet në det, me qëllim vjedhjen e solarit.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











