Del edhe emri i Fjodor Xhafës ndër përforcimet e mundshme të skuadrës krutane në këtë merkato vere. Interesimin e Kastriotit për sulmuesin vlonjat, që në sezonin e fundit ishte pjesë e Bylisit, e konfirmon vetë drejtuesi teknik i krutanëve, Ramazan Ndreu. Ai është shprehur për “Panorama Sport”, se bisedimet me futbollistin janë në pikën e fundit të tyre dhe brenda ditës së sotme pritet që Fjodor Xhafa të hedhë firmën mbi kontratën me Kastriotin. Dhe pas firmës së tij, do të përpilohet dhe lista e futbollistëve të Kastriotit, të cilët do të jenë pjesëmarrës në periudhën përgatitore në Slloveni, e cila do të nisë më 10 korrik. “Kemi arritur të ruajmë pjesën kryesore të kontingjentit të futbollistëve, të cilët përfunduan kampionatin me ne. Por kemi nevojë vetëm për tre përforcime, që do të plotësojmë 18-shen për sezonin e ardhshëm”, shprehet trajneri Ndreu.











