NGA VISAR ZHITI
“111 vjet më pare, Ismail Qemali ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë, atë që 580 vjet me parë e kishte ngritur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë. Të dy në të njëjtën datë, në 28 nëntorin e lavdishëm”.
DOSJA E PAVARËSISË – është më e rëndësishmja e një vendi, është kurora e arritjes më të madhe të një populli, kur mbyllet porta e një të kaluare dhe hapet ajo e ardhmërisë së tij…
Dosja e Pavarësisë është bota e një shteti, është shteti dhe bota, gjuha, mbijetesa dhe kultura, gjak dhe frymë, vdekje dhe lindje dhe rilindje, luftë dhe punë dhe dije, panteon dhe dramë, përditshmëri dhe festë, etj.
Do të doja të shfletoja dosjen e pavarësisë së vendit tim, te themelimit të shtetit tonë modern, mbart brenda një shekull e një dekadë e një vit, pra jemi sivjet në 111-vjetorin e Pavarësisë, ngjarje e madhe, por dhe jubile i veçantë.
Më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duhet të jetë e shkruar me ar. Plaku i bardhë, Ismail Qemali, ngriti atë ditë në Vlorën e tij Flamurin kuq e zi, me shqiponjën dy krenore në mes, kështu na thuhet nëpër shkolla. Ishte po ai Flamur që 5 shekuj para Ismail Qemalit, saktësisht para 469 vitesh, e kishte ngritur në Krujën-kryeqytet, në kështjellën e tij Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pra, është dhe 580- vjetori i asaj date të madhe që shenjoi të qenit shqiptar dhe identitetin. Që edhe pse ra nata 5-shekullore e pushtimit otoman, dhe Shqipëria “nga Europë u bë Azi”, prapë i mbijetuan.
Skënderbeu bëri shtet shqiptar në luftë, shpata e tij për 25 vjet sa qe gjallë dhe 11 vjet pas vdekjes, pra 36 vjet rresht mbajti larg perandorinë otomane, supefuqin më të tmerrshme të kohës dhe u bë mburojë e Europës Perëndimore, ku sot në të gjitha kryeytetet kryesore ngrihen shtatore të tij e deri në Amerikë e Azi.
Në trojet arbërore, teksa kryqi i krishterë zëvendësohej gjithnjë e më tepër me gjysmëhënën e Islamit, ra nata e gjatë e pushtimit. Në të gjithë perandorinë vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar, por kryengritjet nuk pushuan asnjëherë. I filluam të parët dhe pavarësinë e arritëm të fundit. 12 vjet pasi kishte filluar shekulli XX.
Perandoria ra, por me shumë vështirësi do të rimëkëmbëj Shqipëria. Shqipëria e copëtuar dhe copë-copë.
Ismail bej Qemali iku nga kryeqyteti perandorak, Stambolli, dhe mes shumë vështirësish erdhi në Shqipërinë e mbetur, pa kryeqytet, nxori nga sëndyqi metaforik Flamurin Kombëtar, e ngriti lart, të lirë, duke shpallur mëvetësinë e Shqipërisë dhe themeloi shtetin modern shqiptar. Varfëri dhe prapambetje shekullore. Vështirësi pa fund dhe intriga të jashtme dhe të brendshme. U ngritën sopatat primitive për ndarje prapë të Shqipërisë. Kosova dhe Çamëria mbetën jashtë, etj. Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Pastaj, Kongresi i Lushnjës, pavarësia e dytë e Shqipërisë dhe SHBA-ja del në mbrojtje, duke mos lejuar copëzim të ri, duke u bërë kështu aleati jetik i shqiptarëve. Shpallja e Mbretërisë së Shqiptarëve dhe Zogu I mbret. Shqipëria rimerr rrugën e Perëndimit. Festohet me madhështi të vobektë 15-vjetori i Pavarsisë dhe 2 vjet më pas, Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste.
Shpërthen Lufta e Dytë Botërore. Partizanët shqiptarë renditen krah fitimtarëve dhe më pas vendosin në vend diktaturën më të egër në të gjithë perandorinë komuniste, aq sa, edhe pse festohej, vërtet me madhështi, por të frikshme, Dita e Pavarësisë, prapë themeluesit e saj harroheshin, të mbeturit gjallë edhe përndiqeshin, u futën dhe burgjeve, madje dhe bijtë e themeltarit Ismail Qemalit, edhe u pushkatuan. Paradokset e regjimit të ri komunist. Rëndësi të bujshme po merrte një ditë më pas, 29 nëntori, çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashistët, por jo i shqiptarëve, që ranë nën pushtim më të rëndë, gjysmëshekullor, të komunistëvë, të vetes së tyre.
Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ngrihet në Vlorë një monument i madh i realizmit socialist, flamurtari lart dhe grupi skulpturor me shtatoret të Ismail Qemalit dhe rilindësve naimjanë. Bie dhe perandoria komuniste, Shqipëria demokratike serish i kthehet Europës. Në vitin e fundit të shekullit XX, forcat serbe, pas zhbërjes së Jugosllavisë, detyrohen të lënë Kosovën, gjysmën e Shqipërisë natyrale dhe në 10-vjeçarin e parë të shekullit të ri në mijëvjeçarin e ri, në vitin 2008, në 17 shkurt, Kosova shpallet shtet i pavarur. 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë e festuan bashkë, me sublimitetin madhështor të dy shteteve të vegjël, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës dhe në Tiranë u ngrit një memorial modern, me autor një skulptor shqiptar nga Kosova. I kushtohej firmëtarëve të themelimit, madje monumenti është i deklaratës dhe atyre firmave dhe i ngjan një dosjeje të hapur, prej ari.
DEKLARATA
Dokumenti që s’është…
Nuk ka asnjë ornament a dafina anash, flatra shqiponjash a kolona panteonike me relief ari, etj, as vula të shtrenjta, madje as vula, një letër e thjeshtë, më se e zakonshme, me ca rreshta në krye, të drejtë, megjithëse fleta nuk duket me viza, të shkruara me dorë, shkrimi është i bukur, i shkëlqyer do të thoshte mësuesi i bukurshkrimit, shkronjat latine me alfabetin e Manastirit, fjalët shqipe të të dy dialekteve, megjithëse duken të dialektit toskë, te data sipër është “Vlonë” dhe fjala e fundit “e mosvarme”, nga mesi është fjala “zâ”. Dora që i ka shkruar, duket e kultivuar. Nisi si proces verbal i takimit dhe përfundoi si deklaratë e pavarësisë.
Nuk të besohet se ato pak rreshta do të ndërronin fatin e një vendi dhe të një populli me breza, deri në përjetësinë e tyre. Ja, teksti i plotë, origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë:
“Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912 Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Ka dy data në krye se është përdorur dhe kalendari hixhra, besoj, siç janë hedhur dhe në turqisht po ato rreshta më sipër. Po fillonte kështu zyrtarisht diplomacia shqipare dhe marrëdhënit me botën jashtë. Së pari, me Turqinë nga cila po shkëputeshim. Dhe më poshtë firmat me radhë, fillon me Dom Nikollë Kaçorrin, ca duken si rrënjë, si shtigje e shkurre, ka dhe të shigjetëta, të hapura, siç ka dhe elagante, poetike frashërisht, do te thosha, vallëzuese, komanduese, etj.
Janë 40 firmëtarë dhe 83 delegatë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. S’kanë firmosur të gjithë, se ndoshta një pjesë kishin mbërritur me vonesë nga larg, mes rreziqesh e të ftohtit, shirave dhe garnizoneve të pushtuesit apo të atyre që do të donin t’i zëvendësonin. Mbase një pjesë e pakët nuk ka firmosur, sepse mund të mos kishin firmosur kurrë. Gjithsesi, letra të mallëngjen, me gjithë rëndomtësinë e saj. Shqipëria zyrtare dukej se po fillonte nga hiçi, asnjë institucion, as ushtri, as universitete e as burgje, përveç aty institucion, as ushtri, as universitete e as burgje, përveç atyre të patriotizmit dhe afshit për të qenë të lirë, patriarkalisht.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali, si dhe Pleqësinë. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, aq sa na bën krenarë siç do t’u thuhej nëpër shkolla radhëve të nxënësve, po aq të habit paradoksi, ajo mënyra aq parake e pabesueshme e shpalljes. Dhe dosja e saj është pothuajse e zbrazët.
Mungon pikërisht ajo deklaratë, që mund ta mbante në kuletë kushdo nga firmëtarët, askush s’kishte pse e vidhte dhe përse. Dhe pse pikërisht kjo mungon? Studieusit tanë e thonë si zbulim që ajo s’është, por ende nuk e kanë zbuluar pse s’është dhe ku është. Patjetër që ka dhe botime serioze për shpalljen e Pavarësisë, studime e monografi e albume, vepra letrare, poezi e drama e romane…Nga hulumtimet e tyre kemi këtë pasqyrë të qyteteve dhe krahinave dhe delegatëve të tyre:
Berati: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara).
Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati
Delvina: Avni Bej Delvina
Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri
Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Langu
Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Dajiu, Qemal Karaosmani, Dervish bej Biçaku
Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi
Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli
Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci
Kosova, Gjakova, Plava-Gucija: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit’hat Bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel Bej Begolli, Qerim Begolli
Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo
Kruja: Mustafa Merlika
Lushnja: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa
Mati: Ahmet Bej Zogolli, Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu
Ohri dhe Struga: Zyhdi Bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima
Peqini: Mahmud Efendi Kaziu
Përmeti: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora
Pogradeci: Hajdar Blloshmi
Tepelena: Feim Bej Mezhgorani
Tirana: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani, Ymer Sollaku
Skrapari: Xhelal Bej Koprencka, Hajredin Bej Cakrani
Shijak: Xhemal Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu
Shkodra: Luigj Gurakuqi
Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora
Kolonia shqiptare Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.
Siç shihet, delegatët më të shumtë kishin ardhur nga Kosova: 11; nga Çamëria: 4; po kaq dhe nga Kolonia shqiptare e Bukureshtit; nga Vlora: 6; nga Shkodra: 1; nga Gjirokastra: 7; nga Ohri dhe Struga: 6 delegatë; nga Janina: 2. Si u lajmëruan? A kishte telefona e shtylla telefonike maleve? Me lajmëtarë që rendnin si në balada… Me zë nga njëri breg në tjetrin, nga një anë e malit në tjetrën, kushtrim… eeeehheeeej… Vërtet një mrekulli. Dhe u nisën përfaqësuesit, i zgjodhi kush apo e vendosën vetë, ata më me fame, që kishin bërë trimërira, po edhe shkollë nëpër Europë, një nga një, vetëm, në grup, në këmbë, me kuaj, me makinat e rralla, vinin nga jashtë me anije, nga kryeqytete nga vende të humbura e kulla maleve, kalonin rreziqe, kufij, garnizone të turkut, mjegull, të serbit e grekut, erë dhe shi… e nga është rruga për në Vlonë… për në të ardhmen?
KARTELAT E 40 FIRMËTARËVE
Ata që firmosën, të shquar, me Ismail Qemalin në krye, që mbetën në histori, të tjerë, që dhanë pasuri e jetë, flori dhe gjak, të vrarë, një pjesë sakrifikuan dhe emrin, të goditur, të përndjekur, të harruar, të pa shpërblyer kurrë, të gjithë… Po sjell kartelat e tyre, duke nisur nga i pari, por duke i ndarë, ata që ndërruan jetë në vitet pas shpalljes së Pavarësisë, pra pas 28 nëntorit të madh e deri në mbarimin e Luftës II Botërore, e ata që vdiqën në atdhe, që i vdiq atdheu, pas 29 nëntorit të kuq që sundimtarët e rinj do ta vendosnin si datë të çlirimit të vendit, si festën konkuruese dhe më të rëndësishmen për ata. Pas festës do të ishte masakra…
1. ISMAIL QEMAL BEJ VLORA (1844-1919)
Nga Vlora. Familje patriotike, e larguar qellimisht në Selanik. Më 1858 shkoi në gjimnazin e famshëm të Janinës “Zosimea”, ku pati shokë Sami Frashërin dhe Naim Frashërin. Më 1860, filloi punë si përkthyes i frëngjishtes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Stamboll, ku dhe u diplomua për drejtësi. Më 1868, u emërua kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe dy vjet më vonë, deri më 1875, guvernator në Varnë në Bullgari dhe guvernator i Danubit të Poshtëm. Si kundërshtar i Portës së Lartë, e inernojnë në Qytahi, pranë Anadollit, vend ku qendroi deri më 1882.
Në fillim të shek. XX, Ismail Qemali filloi t’i përkushtohej Shqipërisë, autonomisë së saj. U lidh me të gjitha kolonitë patriotike të shqiptarëve jashtë e vendit, duke forcuar bashkëpunimin me Vlorën. Në nëntor 1908, hyri në parlamentin osman si deputet i sanxhakut të Beratit. Një vit më vonë, u arratis nga Stambolli, shkoi nëpër Evropë, duke nisur kështu kalvarin e patriotit shqiptar. Afrohet me Luigj Gurakuqin, ndihmon “kryengritjent përgjithshme” të viteve 1910- 1912. Është organizatoi kryesor i mbledhjes historike të 5 nëntorit 1912 në Bukuresht, ku u vendos se si duhej të ishte e ardhjma e Shqipërisë.
Më 28 nëntor, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Porta e Lartë, shtet më vete. Firmosi i pari dokumentin e pavarësisë kombëtare në Vlorë, “Ismail Kemal”. U zgjodh kryeministër i qeverisë shqiptare dhe ministër i Punëve të Jashtme. Do t’i linte detyrat shpejt, do të dorëhiqej e do ta shpërndante kabinetin e tij duke e dorëzuar pushtetin pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe do të largohej nga Shqipëria. Vdiq në Peruxhia të Italisë, në rrethana misterioze, i helmuar në hotelin ku kishte bujtur, fjalët e tij të fundit ishin: “Më hëngër në besë!”. Varri i tij është në Vlorë me shtatoren me Flamur në dorë. Familja, fëmijët e tij, do të përndiqeshin nga regjimi komunist, do të burgoseshin e do të iknin…
2. DOM NIKOLL KAÇORRI (1862-1917)
Nga Bajraku i Lurës. Babai katolik, nëna myslimane. Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. U emërua famullitar në Durrës. Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë për Kishë dhe Paqe”. Emërohet Ipeshkv. Gjatë viteve 1905-1907, drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në nëntor të vitit 1912 si delegat i Durrësit mer pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Dokumentin e Pavarësisë “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Pas rënies së qeverisë, mërgoi jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë politike e patriotike. Vdiq në Vjenë në maj 1917. I harruar nga regjimi komunist…
3. VEHBI DIBRA AGOLLI (1867-1937)
Nga Dibra e Madhe. Biri i Myftiut atje, ku mori dhe mësimet e para. ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll. Kthehet në vendlindje si i emëruar Myfti. Më 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës. U zgjodh kryetar i Kongresit më 1912. Firmosi Vendimin e Pavarësisë si përfaqësues i Dibrës me siglën në turqisht “Vehbi Dibra”. Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Pleqësisë, si dhe nënkryetar i qeverisë. Në vitin 1913, qeveria e Përkohshme e Vlorës e ngarkon me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë. Më vonë do të jetë kryetar i Gjyqit të Lartë të Sheriatit, i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë. Shkroi, përktheu dhe botoi kryesisht në revistën “Zani i Naltë” në Tiranë, ku dhe e mbylli jetën. I harruar nga regjimi komunist
4. JORGJI KARBUNARA – BABË DUDË KARBUNARA (1842 – 1917)
Nga Berati. Mësues i shqipes… bashkëpunëtor me Kostandin Kristoforidhin. Meshonte në shqip, por iu ndalua nga turqit, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë. Iu përkushtua Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Kryen studimet e larta në Itali për italisht dhe në shekullin e ri u mor me hapjen e shkollave shqipe dhe mësimit të shqipes. Shkoi delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, firmosi aktin e shpalljes së Pavarësisë “J. Karbunara”. U zgjodh anëtar i Pleqsisë. U konfliktua me ndjekësit e Esat pashë Toptanit, kurse ata të Haxhi Qamilit, kur hynë në Berat, e kapën dhe e tërhoqën zvarrë në qytet. Prej këtij dhunimi mbeti keq, me dëmtime derisa ndërroi jetë… Ka një bust në vendlindje.
5. ELMAS BOCE (1852-1925)
Nga Gjirokastra. Shok me Ismail Qemalin dhe me Naim e Sami Frashërin në gjimnazin e Janinës “Zosimea”. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës, themelues në klubin patriotik “Drita”, përkrahës i flaktë i shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”, etj. Ndërsa, në nëntor 1912, u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Dokumentin e Pavarësisë Kombëtare “Elmas Boce”. I harruar…
6. VELI HARÇI (1850-1914)
Nga Gjirokastra. Studimet i përfundoi në Stamboll si economist, ku u lidh me veprimtarë të çështjes shqiptare. Kthehet në Shqipëri, i emëruar i Portës së Larë në nënprefekturën e Vlorës. Përfaqësoi Gjirokastrën në kuvendin e Vlorës dhe firmosi “Veli Harçi”. I harruar…
7.DHIMITËR TUTULANI (1875-1937)
Nga Berati. Përfundoi gjimnazin “Zosimea” në Janinë e më tej vazhdoi studimet për jurist në Athinë. U kthye në Berat, ku filloi të punojë si avokat, ndërkohë bashkëpunëtor i veprimtarëve dhe idealeve kombëtare. Në nëntor 1912, u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi aktin e pavarësisë kombëtare “Dh. Tout.” Në dhjetor 1918, delegat në Kongresin e Durrësit, në 1920, delegat në Kongresin e Lushnjes. Përkrahës i politikës së Fan Nolit dhe më 1925, u zgjodh kryetar bashkie i Beratit. Mori pjesë edhe në formimin e kishës autoqefale shqiptare, që doli nga Kongresi i Beratit, më 1922. Në testament pasurinë e tij ia falte qytetit për shkolla, rrugë, etj. Është gjyshi i Kristaq dhe Margarita Tutulanit, të varur nga fashistët.
8. ABDI TOPTANI (1864-1942)
Nga Tirana. Në vitin 1902, organizoi forcat kryengritëse kundër osmanëve në Shingjergj dhe Shupal. Në nëntor 1912 priti në Durrës Ismail Qemali dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, ku ngritën Flamurin… Në Kuvendin e Vlorës, përfaqësoi Tiranën e Krujën dhe firmosi aktin e Pavarësisë “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare. Me ardhjen e Princ Vidit më 1914, caktohet ministër i Bujqësisë dhe Industrisë. Viti 1915, e gjen jashtë atdheut, në organizimet patriotike të shqiptarëve në Zvicër. Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh antar i Këshillit të Lartë. Përkrahu kryengritjen e marsit 1922, të udhëhequr nga Bajram Curri… I harruar…
9. ABAS DILAVER CELKUPA (1855-1926)
Nga Durrësi. Patriot dhe bashkëpunëtor në kryengritjet anti-osmane. Priti në Durrës Ismail Qemalin, shkuan në Vlorë. Aktin e pavarësisë kombëtare e firmosi si delegat i Durrësit “Abas Dilaver”… I harruar…
10. XHELAL KOPRËNCKA (1876-1919)
Nga Skrapari. Veprimtar i luftës për çlirim kombëtar, pjesëtar i komitetit të fshehtë “Për lirin’ e Shqipërisë” në Korçë dhe Manastir. Përkujdesës për shkollën shqipe të Korçës, atë të vashave dhe djemve, etj. Si delegat i Skraparit, merr pjesë në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe firmosi Dokumentin “elal Ko.” Merr pjesë në Kongresin e Durrësit si delegat nga Skrapari. I përndjekur, Koprëncka u vra pabesisht në vitin 1919 në Skrapar nga forcat greke. Djali i tij do të pushkatohej nga komunistët në 1979…
11. HAJREDIN CAKRANI (1860-1942)
Nga Fieri, i dinastisë së Cakranit. Shkollën e mesme e përfundoi në Janinë dhe u diplomua në Stamboll. Shërbeu si ushtarak në vilajete të ndryshme të perandorisë turke. Në vitin 1883, ai solli në zonën e Mallakastrës librat e parë në shqip dhe hapi shkollën e parë shqipe në shtëpinë e tij. Veprimtar i lëvizjeve patriotike, shpërndarës i programeve kombëtare për emancipimin e vendit. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, firmosi aktin: “Hajredin Cakrani”.
Ai ka lënë një dëshmi të rëndësihme si askush, ditarët e tij mbi rrugëtimin e pavarësisë, ai ishte shoqëruesi kryesor i Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë. I besuan post ministror dhe kabineti i parë qeveritar i merrte pagat nga pasuria e tij. Dha ndihmesë të shquar në organizimin e ushtrisë së parë shqiptare, në pajisjen me armatime dhe stërvitje ushtarake. Mori pjesë si i mandatuar nga Mallakastra në Kongresin e Durrësit. Shkoi në Luftën e Vlorës, më 1920, komandoi me sukses disa njësi ushtarake. Vdiq në vitin 1942, ndërsa teqeja, ku kishte varrin u hodh në erë gjatë regjimit komunist. Familja e madhe e Cakranit, patriotike dhe veprimtare, do të përndiqej, me dënime të rënda, burgje, pushkatime e varje.
12. ILJAZ VRIONI (1882-1932)
Nga Berati… Djali i Mehmet Ali Pashë Vrionit, patriotit të shquar, nënkryetarit të Lidhjes së Prizrenit, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë “Iljas Vrijon” si delegat i Beratit. Tri herë kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar (diplomat) në Paris e Londër. Deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Kryetari i delegacionit të Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Dekoruar nga Republika Franceze në vitet ’20 me urdhrin e lartë “Grand Officier de la Légion d’Honneur”.
Vdiq në Paris dhe u varros në Berat. Në vitin 1946, komunistët zhvarrosën eshtrat e tij dhe i hodhën ato në lumin Osum siç do të bënin dhe me eshtrat e një deputeti tjetër, poetit kombëtar At’ Gjergj Fishta. Iljaz Vrioni është babai i intelektualit të shquar Jusuf Vrioni, i burgosur politik dhe më pas përkthyes i parë i nivelit europian i Veprës së Kadaresë në frengjisht, ambasador në UNESCO, e dekoruar nga qeveria franceze…
13. SALI GJUKA (1876-1925)
Nga Peja… Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u shpërngul si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Ndoqi Fakultetin e Drejtësisë në Selanik dhe punoi në gjykatën e atij qyteti. Në vitin 1909, hapi shkollën shqipe në Pejë dhe një vit më pas do të jetë mësuesi i parë i shqipes në Normalen e Shkupit. Mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Me nismën e tij u formua në Selanik klubi shqiptar “Bashkimi”. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në Shpalljes e Pavarësisë kombëtare dhe firmosi aktin “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë (Senatit). Në janar 1913, filloi punën si drejtor i Arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë, hapi shkollën “Normale të përkohëshme”. Përkrahës i Kongresit të Lushnjes, mbështetës i Nolit, mori pjesë në lëvizjen e qershorit 1924. U dënua me 10 vite burg për pjesëmarrje në vrasjen e Abdyl Ypit, akuzë që s’e pranoi kurrë. Bëri katër vite burg… Ka titullin “Mësues i Popullit”.
14. MURAD TOPTANI (1867-1918)
Në internim lindi, në Aká (Turqi), ku kishin degdisur të atin e tij, Seremedin pashë Toptani për veprimtari patriotike shqiptare. Erdhi në Tiranë, kur po mbaronte shekulli XIX, kthehet në Stamboll, ku martohet me vajzën e Naim Frashërit, Asijen dhe sërish në Tiranë. Në një raport të shërbimit të fshehtë anglez të vitit 1916 shkruhet “Murad beu”. Nga familja e Toptanasve. Kushëri me Esatin, por në konflikt të vazhdueshëm me të, nga kjo shtrëngohet të jetojë jashtë shtetit.
Ka ndikim të madh në popullsinë e Shqipërisë së Mesme. Murad Toptani bashkëpunoi me shtypin e shqiptarëve jashtë atdheut. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës si delegat i Tiranës, firomosi aktin “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pasha i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj. Mërgon në Vjenë. Vjen për të vdekur në atdhe… Njihet si skulptori i parë shqiptar.
15. PANDELI CALE (1879 – 1923)
Nga Korça… Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë”. Në 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910-1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës… Shoqëron kthimin e Ismail Qemalin në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Pavarësinë “Pandeli Cale”. Emërohet ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregëtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919, kthehet në atdhe. Më 1920, hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920, prefekt i Korçës. Në shkurt 1921, deputet në të parin parlament shqiptar. Dhe vdes në një spital në Selanik.
16. LUIGJ GURAKUQI (1879-1925)
Shkodran… studenti i Kolegjit Saverian. Më pas në Kalabri, në liceun e “Shën Adrianit”, nxënës i poetit Jeronim De Rada. Në vitin 1906, takon Ismail Qemalin dhe nisi bashkëpunimin. U lidh me patriotin Bajo Topulli në organizimin e komitetit të fshehtë kombëtar. Në 1908 në Manastir, në Kongresin e Alfabetit, përfaqësues i Shkodrës, zgjidhet nënkryetar i Komisionit. Një vit më pas në Elbasan, themelohet shkolla “Normale e mësuesve”, drejtori i parë i saj. Me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme… takon sërish Ismail Qemalin nëpër kancelaritë e huaja në mbrojtje të Çështjes Shqiptare. Si përfaqësues i vetëm i Shkodrës merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Shkruan Deklaratën e Pavarësisë firmos aktin “Luz Gurakuqi”. Ministër i Arsimit.
Më 1913, prapë nëpër Europë për të drejtat e Shqipërisë. Pret princ Vidin. Themelues i “Komisisë letrare” të Shkodrës më 1916 dhe më vonë, pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit. Bashkëpunëtor me Nolin dhe Avni Rustemin. Ne qeverinë e Nolit emërohet ministër i Financave. Me triumfin e legalitetit, në dhjetor 1924, u largua përgjithmonë nga Shqipëria. E vrasin në Itali, në qytetin e Barit. Kushëriri i tij i dytë, Balton Stamolla, i bën atentat në rrugën që tani mban emrin e tij. Poet dhe gazetar shkruhet në tabelë. A ishte dora e mbretit Zog, që urdhëroi të zbarazej ai revolver? Ka mbetur ende enigma…
17. DR. MYRTEZA ALI STRUGA (1876-1937)
Dibran që lindi në Strugë… Nuk dihet shumë për të, thonë historianët. Studioi për mjekësi dhe teologji dhe ishte Hafiz. Në Kuvendin e Vlorës, përfaqësoi Strugën dhe firmosi katin e shpalljes së Pavarësisë “Dr. H. Myrteza”. Shërbeu në Tiranë si mjek dhe farmacist, ku dhe vdiq vitin 1937 dy vjet para pushtimit…
18. NURI SOJLIU (1870-1940)
Nga Struga. Veprimtar i lëvizjeve për çlirim kombëtar. Pjesëtar i Klubit patriotik “Bashkimi”, që bëri të mundur çeljen e shkollës së parë shqipe të Strugës në vitin 1910. Mbështeti dy kongrese, atë të Manastirit dhe atë të Elbasanit. Nuri Sojliu bashkë me babain e shenjtores Nënë Tereza, përgatitën një grup nxënësish nga Shkupi për t’i dërguar në “Normalen e Elbasanit”. Në nëntor 1912, u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi aktin “Nuri”. Mbështeti lëvizjet politiko-demokratike të viteve ’20. Në Strugë, rivarrimi i eshtrave të tij me ceremoni si firmëtar i Pavarësisë.
19. YMER DELIALLISI (1873-1944)
Nga Shijaku. Mërgoi herët… Bashkë me miqtë e tij Abdi e Murad Toptani, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme dhe shkoi në Vlorë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ku firmosi “Ymer”. Lajmëroi Shijakun që ta ngrinin Flamurin Kombëtar sa më parë dhe atje. Në Kongresin e Lushnjes ngarkohet me detyrën e kryetarit të Bashkisë së Shijakut. U mpleks me kryengritjen e vitit 1922 dhe pas dështimit të saj, u largua jashtë vendit. Pas disa vitesh, i kthyer në atdhe, u arrestua dhe u burgos. Iu përkushtua luftës antifashiste. I dënuar nga nazistët, vdes në burg në Tiranë.
20. XHEMAL DELIALLISI (1880-1941)
Nga Shijaku. Veprimtar i lëvizjeve për çlirim kombëtar. Në nëntor 1912, delegat i Shijakut, merr pjesë në shpalljen e Pavarësisë. Firmosi dokumentin në osmanisht “Xhemmalyyddin bej”. Gjatë viteve ’20, përkrahu forcat e Bajram Currit dhe Elez Isufit. Më 1924, mbështeti kryengritjen e Fan Nolit. Pas dështimit të saj, u largua nga Shqipëria, për t’u rikthyer pas disa vitesh. U vendos në Tiranë. Vdes në Tiranën e pushtuar.
21. NEBI SEFA (1861-1942)
Nga Lushnja. Përkrahu Kongresin e Manastirit, shkrimin e shqipes me gërma latine dhe mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911- 1912. Në nëntor të atij viti, u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës. Nënshkroi Aktin e Pavarësisë: “Nebi Sefa Lushja”. Mori pjesë në organizimin e njësive të para ushtarake të qeverisë së Vlorës në zonën e Mallakastrës si i Ministrisë e Luftës, kreu i së cilës ishte Mehmet pashë Kalkandeleni Tetova (Dërralla). Në vitet ’20, përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane. Në vendlindje është busti i tij.
22. ZYHDI OHRI (1872-1938)
Nga Ohëri. Studioi në Turqi dhe mori pjesë në lëvizjen kombëtare dhe luftën për çlirim nga osmanët. I zgjedhur nga Ohri si delegate shkon në Kuvendin e Vlorës dhe firmoi aktin e Pavarësisë “Zuhdi Ohria”. U zgjodh në Senatit e dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Më pas, shkoi në Elbasan, ku bashkëpunoi me Aqif pashë Biçakçiun. Mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjes më 1920. U SHUAN PAS ÇLIRIMIT:
23. QAZIM KOKOSHI (1882-1945)
Nga Vlora… Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit të tij, Vlorës dhe më pas shkoi në Janinë, ku mbaroi gjimnazin “Zosimea”. Me t’u kthyer, u lidh me Klubin “Labëria”, iu përkushtua përhapjes së gjuhës shqipe në fshatrat e Labërisë. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, si delegat i Vlorës. Firmosi aktin e madh “Qazim Kokoshi”. Në gusht 1913, qeveria e përkohshme e Vlorës e caktoi me detyrën e nënprefektit të Lushnjes dhe më pas kryesekretar i Prefekturës së Vlorës… Pas rënies së qeverisë së Vlorës pati takime si anëtar delegacion me princ Vidin. U zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar. Pas tre vjetësh, në Lëvizjen e qershorit të vitit 1924, u bashkua me grupin opozitar të Fan Nolit e Luigj Gurakuqit. Pas dështimit mërgoi në Itali e më pas në Austri. Pas amnistisë së mbretit, në 1928 u kthye në atdhe, por në vitin 1932 u arrestua me akuzën “Komplot kundër Zogut” dhe u burgos dhe lirohet në 1936. Pas vrasjes së dhëndrit të tij, dëshmorit Reshit Çollaku (i shoqi i së bijës), Kokoshi u arrestua nga GESTAPO dhe u internua në Bergamo. Kthehet në atdhe në 1945 dhe komunistët e arrestojnë menjëherë. Vdes nga torturrat në burgun e Vlorës.
24. JANI MINGA (1872-1947)
Nga fshati Shënpjetër i Fierit. U shkollua në Vlorë. U lidh me klubin patriotik “Labëria” që në vitin 1908. Duke qenë dhe mësues, mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore, ndërkaq hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj. Në korrik 1911, mori pjesë në kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Në vitin 1912, fitoi në një konkurim në Janinë që të të jepte lëndën e historisë dhe gjeografisë dhe zgjidhet delegat i Vlorës për pavar:esinë dhe firmosi Deklaratën “J. Minga” dhe, me t’u hapur shkolla e Vlorës, emërohet drejtor i saj. Do të jetë përkrahës i Nolit gjatë rebelimit të qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur u futën në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit. Në 1944, dy djemtë e tij, të përfshirë në luftën antifashiste, u mbyllën në kampet naziste të Mat’hauzenit. Kthehet vetëm njëri, që do të humbë jetën në “një aksident të çuditshëm”. Dhimbje pas dhimbjeje, Jani Minga. “Mësues i Popullit”
25. THANAS FLOQI (1884-1945)
Nga Korça… U laurua në Athinë në Fakultetin e Drejtësisë. Në vitin 1905 shpërngulet në qytetin Xhejmstaun. Merr pjesë në themelimin e shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” më 1906. Shërben si kronikan i gazetës “Kombi” të Sotir Pecit. Kthehet në atdhe në korrik 1908, qëndron në Vlorë. Themelon mandolinatën “Labëria” dhe bëhet dirigjent i saj. Në Kongresin historik të Vlorës shkon si delegat i Korçës dhe më 28 nëntor 1912, firmoi vendimin e Pavarësisë “Thanas V. Floqi”. Caktohet gjyqtar në Elbasan. Ka përkthyer mjeshtërisht në shqip veprat “Tre muskëtjerët” e A. Dumasë, “Jeta Ushtarake” të E. de Amiçis, romanet “Ditët e prapme të Pompeit” të Lyttonit, “Arsen Lupeni kundra Sherlock Holmesit” të M. Leblanc; ka botuar dhe një fjalor italisht – shqip më 1939. Më 1910, botoi një gramatikë të gjuhës shqipe. Me të mbaruar Lufta II Botërore, vdes në Elbasan.
26. ARISTIDH RUÇI (1875-1950)
Nga Sheperi i Zagorisë, fshati i Çajupit, shkoi në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Kthehet në Vlorë, i bashkohet klubit patriotik “Labëria” dhe nis dhënien e mësimeve të gjuhës shqipe te të vegjlit. Me armë në dorë merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Si delegat i Vlorës shkon në Kuvendin që shpalli pavarësisë dhe firmosi aktin “A. Ruci”… dhe prapë në luftë, në atë të Vlorës të 1920. Anëtar i federatës “Atdheu” me kryetar Avni Rustemin. Zgjidhet në Kryesinë e Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937; frymëzoi krijimin e degës së Kryqit të Kuq në Vlorë. Pushtuesit fashistë e internuan në Itali… Vdes në Vlorë.
VIJON…
** Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al