Përgjimet telefonike dhe krahasimi i fotove të kamerave të sigurisë së bankave me fotot e profileve në Facebook kanë identifikuar tre persona që bënë “kërdinë” në dyqanet e Tiranës duke blerë bizhu të florinjta me karta krediti të klonuara.Ata kishin vjedhur rreth 30 mijë euro në kohën kur u arrestuan, ndërkohë që po përpiqeshin të kryenin një tjetër përvetësim për shumën 200 mijë euro. Gjurmimi i dy telefonave të blerë me një kartë krediti të klonuar kanë çuar më pas hetuesit e çështjes në “shënjestrën” e kërkuar. Tre të akuzuarit për “mashtrim kompjuterik”, mes të cilëve edhe një punonjëse policie, u arrestuan pak ditë më parë nga operacioni policor “Skimmer 3”. Për të arrestuarin Maliq Kaca dhe Bedri Muda, Gjykata e Tiranës caktoi më pas masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për të arrestuarën Rajmonda Muda (Kaca), bashkëshorte e Mudës dhe motër e Kacës, masën e “arrestit shtëpiak”. Vendimi i zbardhur për caktimin e masës së sigurisë ndaj Berdi Mudës zbardh mënyrën si funksiononte “treshja” e mashtrimit dhe si mbërriti policia në gjurmët e tyre. Fillimisht denoncimi se disa persona po kryenin blerje përmes kartave të kreditit të falsifikuara ka ardhur nga dy banka të nivelit të dytë. Në vijim, njëra nga këto banka ka vënë në dispozicion të hetuesve foto të marrë nga kamerat e sigurisë të dy personave, të cilët kanë qenë prezent gjatë kryerjes së transaksionit, që dyshoheshin si autorët e veprës penale. Sipas vendimit, më 2 shkurt 2011 janë blerë dy aparate telefoni celularë, blerje e dyshuar nga zotëruesit e kartave false. Identifikimi i vendndodhjes më pas i njërit prej këtyre dy aparateve përmes numrave të IMEI-t të tyre, u ka bërë të ditur hetuesve se ai po përdorej nga babai i Bedri Mudës në Dibër. “Është bërë këqyrje e sistemit TIMS dhe e rrjetit social Facebook dhe ka rezultuar se fotot e këtij shtetasi (Bedri Muda) kanë shumë ngjashmëri me foton e bërë nga kamerat e ATM-së së bankës në qendrën tregtare”, thuhej në vendimin e gjykatës. Ndërsa më 12 mars 2011, një shtetase e veshur me uniformë policie ka tentuar të blejë bizhu në një argjendari të një qendre tregtare duke përdorur karta bankare të huaja me emra personash të tjerë. Por, shitësja nuk ka pranuar përdorimin e kartave që nuk përputheshin me identitetin e blerëses. Mësohet se femra me uniformë policie e ka justifikuar këtë fakt duke i thënë se kartat me emra të huaj ia ka dërguar një kushëri nga SHBA me postë, me qëllim për të blerë një dhuratë. Pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë së dyqanit ka rezultuar se shtetasja me uniformë policie është Rejmonda Muda (Kaca), bashkëshortja e shtetasit Bedri Muda dhe motra e shtetasit A. Kaca. Në vijim publikohen përgjimet e cituara në vendimin e gjykatës, që sipas prokurorisë, zbardhën mashtrimin me kartat e klonuara.
PERGJIMET
Në datën 24 mars 2011, ora 18:41, Rajmonda bisedon nga numri i Bedriut me vëllain e saj A., i cili e pyet Rajmondën nëse ka folur me Maliqin. Rajmonda i thotë se Maliqi ka kohë që nuk i ka telefonuar meqenëse ai po flet me bashkëshorten e tij. A. e pyet Rajmondën se dy të tjerat nuk kishin pasur kurrë gjë, ndërsa Rajmonda i përgjigjet se nuk kishin pasur gjë dhe ishin të bllokuara. Edhe maqedonasi i kishte nxjerrë të bllokuara dhe nuk i pranonte fare. Rajmonda i thotë se është bërë e vështirë, pasi i kanë rënë hiles. Bëhet fjalë për aparatet P.O.S., ndërsa A. i thotë se nuk i kanë rënë hiles, por janë të bllokuara, pra i kanë bllokuar bankat dhe me to nuk mund të bëhen veprime. Për këtë Rajmonda i ka thënë Maliqit që t’i shohë dhe njëherë se mund të mos jenë përpunuar mirë. Pra dyshohet se kartat janë falsifikuar (klonuar) me probleme në një mënyrë të tillë që nuk mund të përdoren. Rajmonda i thotë se e verdha nuk ka probleme në përdorim sepse është e ngjashme me tonat, ndërsa bluja është e veçante dhe njerëzit që e kanë parë, që dyshohet se janë pronarët e dyqaneve ku janë instaluar aparate P.O.S., nuk kanë parë ndonjëherë të tilla. Rajmonda i thotë A. se kur të vijë Maliqi do ta marrë me vete dhe do ta provojë bashkë me të për t’i treguar se nuk punojnë.
Në datën 25 mars 2011, A. merr një telefonatë nga një numër anglez, që dyshohet se është përdorur nga vëllai i tij, shtetasi Maliq Kaca, emigrant në Angli. Gjatë kësaj bisede rezulton se A. i kërkon Maliqit që të gjejë ca të tjera nga ato, rreth 20 copë, që dyshohet të jenë karta. Sipas bisedës, A. ka folur me një person tjetër, që ai e quan Loli dhe dyshohet të jetë Rajmonda. Ky person i ka thënë që të gjejë edhe për në maj disa të tjera. Nga ana tjetër, A. i thotë Maliqit që ato kanë një problem, pasi dyqanet e shitjes i kanë rënë në të. Pra, i kanë kuptuar dhe nuk bëjnë më veprime, pasi të pyesin fillimisht për identitetin.
Sipas A., Loli ka marrë përsipër që t’i përdorë ato në një vend ku ka turizëm dhe që të mund të bëjë namin. Pra dyshohet se ata po përgatiten që t’i përdorin kartat gjatë verës, në një vend ku ka fluks turistësh dhe ata të mos identifikohen. A. informon Maliqin se të motrës i kanë dalë fonde të pamjaftueshme, dhe kjo në katër copë. Sipas bisedës, Maliqi i ka dhënë Rajmondës tetë karta gjithsej dhe habitet që si ka mundësi që pesë prej tyre kanë dalë me fonde të pamjaftueshme. A. i thotë Maliqit se ajo nja dy telefona i kishte shitur, pra dyshohet se Rajmonda, nëpërmjet kartave, ka bërë blerjen e dy telefonave dhe i ka shitur më pas. Nga biseda duket se A. kartat që i ka dërguar Maliqi ia ka dhënë për t’i përdorur Rajmondës dhe kjo ia ka dhënë një personi tjetër për t’i përdorur në Maqedoni. Nga biseda rezulton se Maliqi dhe A. kanë dyshime nëse kartat kanë pasur apo jo gjë, pra kanë dyshime nëse ato kanë qenë të bllokuara ose nëse Bedriu dhe Rajmonda i kanë gënjyer. A. në këtë kohë porosit Maliqin për t’i sjellë nja 10-15 copë karta, ndërsa Maliqi i thotë se dhe ato janë me shans.
Në datën 22 prill 2011, rreth orës 07:38, A. flet me një person në një numër grek dhe A. i thotë se Maliqi kishte nja pese copë të tjera. Personi që posedon numrin grek e pyet të sigurohet nëse kanë a s’kanë lekë.
Nga procesverbali i këqyrjes së sistemit TIMS i datës 31 maj 2011, rezulton se shtetasi Anert Kaca ka hyrë në Shqipëri në datën 18 maj 2011, nga pika e kalimit kufitar Rinas.
Në datën 6 qershor 2011, ora 12:05, Maliqit i telefonon një person që posedon një numër anglez 0044xxxxx-xx158. Gjatë kësaj bisede, personi që telefonon me numër anglez i thotë Maliqit se një shoku i tij e kishte marrë në tel dhe kërkonte një kartë të njëjtë me atë që Maliqi i ka nxjerrë shokut të tij që i telefonon. Maliqi i thotë që të presë se të kthehet ai në Angli. Nga biseda del që Maliqi, për sigurimin e kësaj karte, kërkon një shumë prej 500 (pesëqind) paundësh, nga të cilët 100 (njëqind) ishin të personit që po i telefonon dhe 200 (dyqind) të Maliqit.
Të arrestuar
• Maliq Kaca, në masën e sigurisë: arrest me burg
• Bedri Muda, në masën e sigurisë: arrest me burg
• Rajmonda Muda (Kaca), në masën e sigurisë arrest shtëpie
Blerjet me kartat e klonuara
. 2 shkurt 2011 në qendër tregtare blerje 2490 lekë
. 3 shkurt 2011 në argjendari blerje 100 lekë
. 3 shkurt 2011 në argjendari blerje 34500 lekë
. 3 shkurt 2011 në argjendari blerje 9000 lekë
. 5 shkurt 2011 në argjendari blerje 25 000 lekë
. 5 shkurt 2011 në dyqan konfenksionesh blerje 13 000 lekë
. 5 shkurt 2011 në dyqan eleltro-shtëpiake blerje 11 050 lekë
. 5 shkurt 2011 në argjendari blerje 100 000 lekë
. 2 shkurt 2011 në dyqan elektronike 24 000 lekë
. 5 shkurt 2011 në bizhuteri blerje 9800 lekë
. 5 shkurt 2011 në dyqan elektronike blerje 27 000 lekë
. 5 shkurt 2011 në argjendari 7 blerje me total 1 620 000 lekë
. 4 shkurt 2011 në bizhuteri blerje 100 lekë
. 4 shkurt 2011 në bizhuteri blerje 100 lekë
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











