Çmimet e karburanteve pritet që të bien shumë shpejt nga niveli ku kanë mbetur që pas amullisë që kaploi tregjet dhe bursat, për shkak të problemeve në disa nga vendet prodhuese. Në vendin tonë nafta dhe benzina, edhe pse kanë pasur një luhatje të vazhdueshme me ulje-ngritje, vijojnë të mbeten relativisht të shtrenjta, por lajmi i mirë që bëhet i ditur nga “Deutsche Welle” nuk pritet të kalojë pa efekt edhe këtu. Së fundmi, disa vende të BE-së, por edhe më gjerë, kanë marrë vendimin që të shesin një pjesë të rezervave strategjike të naftës që disponojnë. Vendimi bëhet i ditur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila shpjegon se kjo vjen si rezultat i trazirave në Libi dhe në vendet e tjera prodhuese, ku prodhimi është ulur dhe si rezultat i kësaj çmimi i naftës është rritur. Më shumë naftë në treg përkthehet në një çmim më të lirë dhe këtë herë vendet e BE-së apo dhe SHBA kanë vendosur të përdorin rezervat për të luftuar çmimet stratosferike që mund të ndikojnë te rimëkëmbja e ekonomisë, që është ende e brishtë pas krizës. Nxjerra e rezervave të Gjermanisë në shtije pritet që të ketë një efekt direkt edhe në çmimin e naftës që importohet për vendin tonë. Në vendin tonë në ditët më të këqija benzina arriti nivelet 185 lekë/litri, ndërkohë që tani është kufirit 175-180 lekë/litri. Sipas “Deutsche Welle”, Gjermania shet për herë të parë që prej gjashtë vjetësh një pjesë të rezervave të saj. Ministria e Ekonomisë e këtij vendi bëri të ditur se do të shiten 4.2 milionë fuçi naftë. Por kjo është vetëm sa i përket Gjermanisë, ndërkohë që, sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në korrik do të dërgohen në treg për shitje 60 milionë fuçi (me 159 litra secila) nën kujdesin e kësaj agjencie dhe kjo me misionin e uljes së çmimit që mund të cenojë rimëkëmbjen ekonomike.
60 milione
fuçi nafte do të dërgohen në treg në muajin korrik nga vendet e industrializuara. Këto fuçi do të merren nga rezervat strategjike të naftës që disponojnë shtetet e ndryshme për të luftuar çmimet e shtrenjta që ekzistojnë aktualisht në tregje











