
KORÇE – Dhjetëra qytetarë shqiptarë janë kthyer ditën e djeshme nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, pasi autoritetet doganore greke ua kanë refuzuar kalimin. Sipas të dhënave, pa asnjë arsye konkrete, punonjësit grekë u kanë kërkuar të kthehen mbrapa qytetarëve të ndryshëm, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me autobusët e linjave të agjencive të udhëtimit. Pas kalimit dhe përpunimit të dokumentacionit në sportelet doganore shqiptare, qytetarët janë drejtuar pranë atyre greke, ku refuzimi është bërë për ata që udhëtonin me pasaportë biometrike drejt shtetit helen. Edhe pse sipas të dhënave pjesa më e madhe e tyre plotësonin të gjitha kriteret për të kaluar përtej kufirit, atyre u është mohuar kjo e drejtë pa asnjë sqarim konkret. Burime nga pika doganore thanë se në ditë të zakonshme kthimet e qytetarëve janë në shifra të pranueshme dhe të justifikuara, ndërsa dita e djeshme ka shënuar kulmin e kthimeve, të shoqëruara nga një paqartësi për këtë veprim të palës greke. Territori kufitar është mbushur nga udhëtarë të qyteteve të ndryshme të vendit, të cilët të habitur janë detyruar të udhëtojnë sërish në qytetet e tyre pasi nuk mund të udhëtonin vetëm me pasaporta biometrike dhe kriteret përkatëse që duhen përmbushur për të lëvizur në një nga vendet e “Shengen”-it. Vetëm një pakicë e tyre janë kthyer për pamjaftueshmëri të shumës së nevojshme për ditë qëndrimi, ndërsa të tjerët, pasi kanë paraqitur dokumentacionin në përputhje me kërkesat, kanë marrë urdhrin për të ecur mbrapa dhe nëse kërkonin shpjegime janë kërcënuar me “apelas”, një masë e cila nuk lejon hyrjen e tyre në shtetin helen për një afat të caktuar. Burime të rezervuara pranë pikës kufitare thanë se në njërin prej autobusëve ku udhëtonin 45 pasagjerë janë lejuar të kalojnë vetëm 5 prej tyre, të cilët ishin të pajisur me dokumente të rregullta qëndrimi në fqinjin tonë. Tre janë kthyer pasi nuk kishin mjaftueshëm euro për ditët që kishin planifikuar të qëndronin, ndërsa pjesa tjetër ka pasur synim qëndrimin e përkohshëm atje, por, pa asnjë motiv konkret dhe pa asnjë dokument zyrtar të refuzimit të kalimit, nuk janë lejuar të ecin përtej traut grek. Pas ankesës së të kthyerve te doganierët shqiptarë, këta të fundit u janë drejtuar kolegëve grekë, të cilët janë shprehur se nuk ka pasur rregullsi në dokumentet e atyre që po kalonin.











