
Sulmuesi akuzon Kuzhenë: Më thërriste dhe më linte në stol.
“Luaj prej vitesh në Gjermani, por siç duket nuk mjafton”
Nuk ndalet më Edmond Kapllani. Sulmuesi shqiptar ka shënuar dje golin e vetëm për FSV Frankfurtin në përballjen ndaj Aue-së, duke i dhënë tri pikë të tjera skuadrës së tij. Pas dopietës javën e kaluar ndaj Ingloshtadit, Kapllani tregoi edhe një herë klasin e tij, duke mbajtur në vend të tretë Frankfurtin me 10 pikë. Mirëpo, edhe pse po kalon një formë të mirë, ai nuk është grumbulluar në Kombëtare dhe për këtë nuk nguron të lëshojë edhe një lloj akuze, më së shumti për faktin që ndaj tij ka mungesë respekti, që nga koha e Kuzhesë.
Dy ndeshje, tre gola të rëndësishëm për ju dhe skuadrën, po kthehet Kapllani goleador?
(Qesh) Unë personalisht nuk do ta shikoja vetëm në këtë prizëm. Sigurisht, jam shumë i kënaqur që kam arritur të shënoj, por në fund të fundit ky është profesioni im, të shënoj gola. Këtu kam gjetur ambientin e duhur, qetësinë që më mungonte, ndaj edhe po bëj atë që di të bëj më mirë: golat.
Duket sikur e gjithë loja e Frankfurtit rrotullohet rreth jush…
Pak a shumë, por edhe unë luaj shumë për skuadrën. Jua thashë se ajo që më ka munguar ka qenë besimi. Unë kam pasur probleme në të shkuarën në ekipet e tjera ku kam luajtur, me trajnerin në përgjithësi, gjë që këtu nuk e kam. Trajneri i Frankfurtit ka besim tek unë, e di se ku mund të jap maksimumin, ndaj edhe arrij që të jem jo vetëm unë rezultativ, por edhe skuadra.
Jeni në vend të tretë në Bundesligë, mendoni se mund të ngjiteni këtë sezon në elitën e futbollit gjerman?
Me thënë të drejtën, në klub ka mjaft entuziazëm, por që në fillim kur erdha këtu drejtuesit ma patën bërë të qartë se për momentin luftonin që të qëndronin pa problem në Bundesligën 2 dhe në harkun e dy-tri sezone të arrinin që të krijonin një skuadër që jo vetëm të mund të ngjitet, por edhe të konkurrojë denjësisht në Bundesligën 1. E në këtë këndvështrim, po qëndroj me këmbë në tokë. Të shohim se si do të ecin gjërat deri në fund.
Me golat që po shënoni, duket se në fund do ta detyroni De Biazin që t’ju kthejë në Kombëtare…
Shikoni, unë do të bëj punën time. Dhe ashtu sikundër ju thashë në intervistën e një jave më parë, dhënë gazetës suaj, po e rithem se ky është Kapllani dhe të tjerëve u mbetet më pas të bëjnë vlerësime. Ndoshta ndaj meje ka munguar disi respekti, këtë nuk e kam vetëm për tani, por edhe në kohën kur ishte Kuzhe.
Çfarë doni të thoni me këtë?
E thjeshtë: unë luaj në Gjermani prej shumë vitesh dhe pavarësisht dëmtimeve e problemeve që kam pasur me trajnerin (bëhet fjalë për ish-trajnerin e Augsburgut, Jos Luhakai), kam qenë gjithnjë një lojtar profesionist që është aktivizuar në elitën e futbollit europian. Në këtë aspekt e them se ndaj meje duhej pasur më shumë besim dhe respekt, pasi kam pasur dhe kam eksperiencën e duhur për t’i shërbyer Kombëtares me profesionalizëm. Kjo gjë, e rithem, më ka munguar.
Ju ka munguar nga De Biazi?
S’di të jem preciz në këtë rast, pasi De Biazi ka pak kohë në krye të Kombëtares sonë, por le të kujtojmë kohën e Kuzhesë. Ai më thërriste në Kombëtare, më mbushte me fjalë të bukura që këtë apo atë herë do luaja, etj., etj. dhe më pas nuk më aktivizonte. Një lojtar, sidomos sulmuesi, ka shumë nevojë për mbështetjen e trajnerit dhe një lloj besimi edhe në fushën e lojës, që unë nuk i kam pasur. Gjithsesi, unë do të bëj punën time si futbollist.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











