Edmond Kapllani mund të rikthehet te Karlsruher në Bundesligën e Dytë gjermane. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e këtij vendi, sipas të cilave drejtuesit e këtij klubi po mendojnë rikthimin e ish-sulmuesit të tyre. Me këtë skuadër, Kapllani ka luajtur për plot pesë sezone nga viti 2004 deri më 2009-n, duke realizuar 29 gola në 127 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Por, sezoni më i rëndësishëm dhe më i miri për Kapllanin te kjo skuadër, ka qenë ai 2006-2007, ku ai realizoi 18 gola në 31 ndeshje (kampionat dhe Kupë), duke u shpallur edhe si golashënuesi më i mirë i Bundesligës së Dytë. Atë sezon skuadra u ngjit në Bundesligën e Parë, por rendimenti i Kapllanit ra ndjeshëm, aq sa në 52 ndeshje shënoi vetëm tri gola. Në 2009-n lojtari u largua nga kjo skuadër (fillimisht te Augsburg, pastaj te TuS Koblenz dhe Paderborn) për të menduar rikthimin vetëm këtë sezon. Karlsruher ka varur shpresat te sulmuesi Andrei Kristea, por ky i fundit është dëmtuar dhe do të operohet në gju, ndaj rikthimi i Kapllanit duket më shumë se i detyrueshëm. Momentalisht sulmuesi i Kombëtares është nën kontratë me Augsburgun, por sipas të gjitha gjasave, nuk do të qëndrojë te kjo skuadër, pasi nuk ka të sigurt një vend në formacion.











