Miqësorja kundër Malit të Zi ishte një provë reale edhe për repartin e mesfushës, ndaj jo më kot Kuzhe spostoi Currin pas shumë vitesh në qendër.Provoi Duron para mbrojtjes dhe “bashkëjetesën” Bakaj-Hyka në të njëjtën kohë. Një eksperiment deri diku i kaluar me sukses, por ka mundësi përmirësimi. Këtë e thotë kapiteni Altin Lala, një nga “senatorët” e skuadrës që pritet t’i japë fund me fanellën kuqezi në fund të këtij edicioni. Atij i ka pëlqyer Kombëtarja që dhuroi spektakël kundër Malit të Zi, por nuk i kursen as kritikat. Sponsorizon Currin në vendin e tij, si dhe Bakajn në vend të Skelës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Lala pohon se vitet e shumta në Kombëtare i kanë krijuar një ide fikse në kokë: “Duhet të heqim dorë nga grinta dhe duhet të bazohemi vetëm te disiplina”.
Altin, a ju bindi Kombëtarja në ndeshjen me Malin e Zi?
Më pëlqeu, s’mund ta mohoj, por kemi disa gjëra për të rregulluar.
Çfarë gjërash?
Në sistemin e lojës, në lëvizjet në mesfushë, dhe pse jo në mentalitet.
Çfarë problemi ka me mentalitetin?
Shikoni, unë kam mësuar një gjë gjatë këtyre viteve me Kombëtaren: grinta nuk duhet të na mungojë kurrë gjatë ndeshjes, por ndeshjen nuk e fitojmë dot me grintë.
Që do të thotë…
Që do të thotë se duhet disiplinë, gjithnjë disiplinë. Shikoni pak me kujdes 15 minutat e para të pjesës së dytë. Sapo tentuam që t’i merrnim gjërat me vrull dhe të luanim me zemër për të rrezikuar gjithçka, u çorientuam, rrezikuam të pësonim disa herë gol dhe nuk po mblidheshim më. E kundërta ndodhi në fillimin e pjesës së parë. Sigurisht, nuk po bënim spektakël në fushë dhe dukej sikur ishim të organizuar jo mirë, por ama kishim kontrollin e lojës dhe ishim të sigurt se me atë sistem dhe me ato lëvizje nuk do të ndëshkoheshim. Menjëherë sapo tentuam të dalim paksa nga skemat, u bëmë të brishtë. Disiplinë, shumë disiplinë. Kjo na duhet.
Trajneri eksperimentoi në mesfushë, madje pas daljes suaj vendosi Currin në këtë repart, e po ashtu edhe Hykën e Bakajn. Si duhet të jetë mesfusha pa Lalën në të ardhmen?
Mendoj se kalimi i Currit përpara është një zgjidhje e mirë. Debatiku ka luajtur edhe në të kaluarën në mesfushë, ka vizion për lojën, madje e njeh edhe konceptin ndërtues të lojës, pavarësisht se ka tipare mbrojtëse. Ajo që unë dua të them është se ne kemi alternativa të mira edhe pa Lalën. Unë në fund të fundit nuk e kam me tapi atë vend…(qesh).
Çfarë nuk ju pëlqeu nga mesfusha në ndeshjen me Malin e Zi?
Ishim shumë të hapur në disa momente. Pra, ishim shumë larg sulmit. Kjo ndodh përgjithësisht kur të mungon një ndërlidhës, pra një organizator që të japë pasimin final për gol apo të mbajë disa sekonda topin, me qëllim që skuadra të fitojë metra në fushë. Kur hyri Bakaj në lojë, gjërat ndryshuan për mirë dhe ky aspekt u korrigjua. Muzaka vuajti në pjesën e parë, pasi Shqipëria ende nuk ka krijuar një modul loje që të luajmë nga krahët.
Po thoni se Bakaj duhet të jetë gjithnjë në fushë?
Formacionin nuk e bëj unë. Thjesht po them se jemi mësuar gjithnjë me një mesfushor organizator, kjo na ndihmon të orientohemi më mirë në fushë.
Po mbrojtja dhe sulmi si ju janë dukur?
Mendoj se në mbrojtje duhet të rregullojmë disa gjëra, por jo vetëm mbrojtësit, por e gjithë skuadra në sistemin e saj difensiv. Por kjo është më e lehtë sesa të organizohesh në sulm, më besoni. Sa për sulmin, nuk mund të ankohemi, pasi shënuan të dy lojtarët.
Ju jeni në Gjermani tani?
Po, u ktheva sot (dje).
E kishte parë ndeshjen familja jote?
Po, sigurisht, madje sapo erdha, vajza filloi nga kritikat. Atë e kam kritiken më të madhe.
Pse, çfarë ju tha?
Po ja, në vend që të më përqafonte, nisi të më thoshte se pse nuk shënova as këtë herë. Pastaj nga fundi po më thoshte si ka mundësi që Shqipëria fiton gjithnjë me një gol diferencë. Mbase është edhe faji im, duhet ta lë që të jetojë për një kohë pak më të gjatë aty… (qesh).
JETMIR HALILAJ











