DURRES – Pas më shumë se 2 muaj nga zhdukja zbulohet në Portin e Durrësit 20-vjeçarja nga Lushnja. Vajza me inicialet D. P. ishte shpallur në kërkim që prej 7 prillit të këtij viti nga ana e familjes së saj. Por, një ditë më parë e reja ka zbritur normalisht nga trageti i linjës Ankona-Durrës. Menjëherë policia ka bërë identifikimin e vajzës së denoncuar nga familjarët, duke e shoqëruar deri në sqarimin e zhdukjes së saj. Burime zyrtare të Drejtorisë së Kufirit kanë sqaruar se vajza 20-vjeçare ishte larguar nga banesa e saj në Lushnjë më datë 7 prill 2011 dhe që nga ajo kohë nuk kishte asnjë kontakt me familjarët. Ata e kanë kërkuar gjithandej vajzën, por pa gjetur asnjë shenjë të saj. Pasi kanë dështuar në kërkime, kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke dhënë dhe dyshimet e tyre mbi ngjarjen. Familja i është druajtur ndonjë mashtrimi me qëllim shfrytëzimin për prostitucion të saj ose rrëmbimin e vajzës. E reja, nga ana e saj, ka pohuar vetëm se kishte qenë në Itali si turiste, duke shfrytëzuar mundësinë pas heqjes së vizave. Ajo ka pohuar se largimi ishte i vullnetshëm dhe atje kishte gjetur punë sezonale për të siguruar paratë. l.m











