Kapet autori i dytë i vrasjes së 9-vjeçarit

Jul 5, 2012 | 15:11

KURBIN – Autori i dytë i pritës në hyrje të Mamurrasit, ku mbeti i vrarë një 9-vjeçar dhe u plagos xhaxhai i tij, është arrestuar nga Policia e Kurbinit gjatë një aksioni të përbashkët me forcat RENEA. Altin Shkreta, 32 vjeç, është vënë në pranga rreth orës 23:30 të së martës, në kuadër të operacionit të koduar “Taksisti”. Ai po lëvizte me taksi në drejtim të Milotit, ndërsa gjatë kontrollit nuk iu gjetën armë. Postblloku i policisë dhe RENEA janë vendosur në afërsi të Mamurrasit përgjatë superstradës F.Krujë-Lezhë, pasi kishin sinjalizime për lëvizjen e tij.  Ai u kap në shoqërinë e një femre, teksa po shkonte drejt zonave bregdetare të Lezhës për të kaluar mbrëmjen. Gjatë marrjes në pyetje, Altin Shkreta nuk e ka pranuar krimin dhe as pjesëmarrjen në të, ndërsa largimin e ka justifikuar me shmangien nga një gjakmarrje e mundshme ndaj tij. Por Policia bëri të ditur se pas krimit të rëndë, Altin Shkreta ka mundur të largohej dhe është strehuar në Elbasan. Ai ka përdorur disa miq të tij në këtë qytet, por liria e tij zgjati vetëm një muaj pasi Policia në rrugë operative mundi të binte në gjurmët e tij dhe ta arrestonte pa asnjë rezistencë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se motivi i ngjarjes ka qenë hakmarrja ndaj 24-vjeçarit i cili ishte konfliktuar me dajat e dy vëllezërve në tregun e Mamurrasit për shkak të konkurrencës.                 gj.f

VRASJA
Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ndodhi më 5 qershor rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Kthesa e Bushneshit”. Bashkë me të vëllain, Vladimir Shkreta, i bënë pritë mjetit “Volkswagen” ku udhëtonte Muharrem Llani me kunatën, nipin dhe dy fëmijë të tjerë. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vdekur fëmija 9-vjeçar i familjes Llani, i cili ndodhej në prehrin e nënës së tij, ndërsa u plagos rëndë xhaxhai i tij, Muharrem Llani, 24 vjeç. Njëri prej autorëve, Vladimir Shkreta, u arrestua disa orë pas ngjarjes, ndërsa një muaj më pas u prangos edhe vëllai i tij, Altini.

© Panorama.al

Te lidhura