
Task-Forca e Fierit zbuloi ndërhyrjet nga përgjimet në burg. Agron Lumeshit iu gjetën 20 mijë euro me vete.
Prokuroria: Pazare për lirimin e të dënuarit me 20 vjet për vrasje.
Një skemë korrupsioni që “prek” Gjykatën e Lartë është bërë publike dje nga Prokuroria e Përgjithshme me anë të një deklarate për median. Tre persona janë marrë në hetim nga Prokuroria e Fierit me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek anëtarët e Gjykatës së Lartë. Agron Lumeshi, 38 vjeç, Enard Lushakaj, 32 vjeç dhe Mariglen Mellaraj, 30 vjeç, sipas Prokurorisë, kanë mbledhur shuma parash duke premtuar se do t’i jepnin për lirimin në Gjykatën e Lartë të një personi, të cilin Shkalla e Parë dhe Apeli e kishin dënuar me 20 vjet burg për vrasje. Personi i dënuar për të cilin po ndërhynin tre “sekserët”, sipas Prokurorisë, ishte shtetasi Vilson Mellaraj, i shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr. 125, datë 21 prill 2010, ku është dënuar me 20 vjet burgim. Pikërisht ky vendim i Gjykatës së Apelit të Durrësit ishte ankimuar në Gjykatën e Lartë ku sipas Prokurorisë, kanë nisur ndërhyrjet e tre personave të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se personi i kontaktit me Gjykatën e Lartë ka qenë shtetasi Agron Lumeshi, 38 vjeç, të cilit në momentin e kontrollit nga policia i është gjetur një shumë prej 20 mijë eurosh. Ndërkohë, nga përgjimet e bisedave që ai ka kryer me personat në Gjykatën e Lartë dhe me të implikuarit e tjerë, del se shuma për të cilën përflitej lirimi i të akuzuarit për vrasje ka qenë të paktën dy herë më e madhe se sasia monetare që i është gjetur Agron Lumeshit.
Prokuroria
Prokuroria e Përgjithshme tha se tentativa për lirimin e të akuzuarit për vrasje është zbardhur me anë të përgjimeve telefonike, nga të cilat ka rezultuar se tre personat e akuzuar në Fier, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar lirimin nga burgu të shtetasit Vilson Mellaraj, i dënuar me 20 vite burgim për vrasje. Sipas Prokurorisë, Vilson Mellaraj akuzohej se në vitin 1999 kishte vrarë në Athinë me armë zjarri shtetasin Dorjan Sula dhe kishte plagosur shtetasin Stavri Lalo. Për këto krime, i akuzuari u dënua me 20 vjet burg në Durrës dhe ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku është regjistruar çështja me nr. 52104- 00694-00-2010, datë 26.05.2010. Gjykata e Lartë, në janar 2011, ka vendosur kalimin për gjykim të rekursit të të dënuarit Vilson Mellaraj. “Nga veprimet hetimore me mjete speciale të hetimit rezulton se shtetasit Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj interesohen tek të njohurit e tyre për të mbledhur shuma të konsiderueshme të hollash, të cilat duhet t’i paguanin për të zgjidhur çështjen në favor të të dënuarit në Gjykatën e Lartë”, tha Prokuroria. Sipas saj, personi që premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte i pandehuri Agron Lumeshi, i cili është i afërm i kryesuesit të trupit gjykues. Organi i akuzës pranoi se Gjykata e Lartë nuk e kishte shpallur të pafajshëm të dënuarin për vrasje. Me vendimin e saj nr. 71, datë 11.05.2011, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimeve të mëparshme për të dënuarin Vilson Mellaraj, por nga përgjimet telefonike rezulton qartë se të pandehurit ishin vënë në dijeni të vendimit gjyqësor një ditë para shpalljes së vendimit, se vendimi do të ishte në disfavor të të dënuarit Vilson Mellaraj dhe se njëkohësisht kishin rënë në dijeni të faktit që të gjithë personat e përfshirë ishin në përgjim”, deklaroi Prokuroria.
Hetimi ndaj Gjykatës së Lartë filloi më 1 mars 2011
Përgjimi i të dënuarit në qeli zbuloi ndërhyrjen në gjykatë
Zanafilla e hetimit të filluar nga Prokuroria e Fierit, e cila ka vënë nën akuzë tre personat që ndërhynë te Gjykata e Lartë, ka qenë një ngjarje e ndodhur vitin e kaluar në Fier. Pas një sherri me armë mes disa të rinjve në qytetin e Fierit më datë 10 shkurt 2011, në lagjen “29 Nëntori”, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri Mariglen Mellaraj dhe Pëllumb Gashi. Për këtë rast, prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr.75 për veprat penale të parashikuara nga nenet 76, 22 e 278/ 2 të K. Penal. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi janë kryer veprime hetimore me mjete speciale të hetimit, duke realizuar përgjime telefonike”, thuhet në kërkesën për gjykim. Gjatë përgjimeve telefonike ka rezultuar se përveç komunikimeve që lidheshin me ngjarjen, janë kryer edhe biseda ndërmjet shtetasit Vilson Mellaraj, i dënuar me 20 vite burgim për vrasje dhe personave të tjerë në funksion të lirimit nga burgu të tij. Prokuroria, duke analizuar faktin se Vilson Mellaraj ishte i dënuar për vrasje me 20 vite burgim me vendim të formës së prerë, ka ngritur dyshimet se persona të tjerë po shfrytëzonin gjendjen emocionale të të dënuarit me qëllim që të realizonin përfitime ekonomike në funksion të lirimit të tij nga burgu. Hetimi për ndërhyrjen te gjykata u regjistrua më datë 21 mars 2011.
Gjykata e Lartë: Vendimi, i mbështetur në ligj
TIRANE – Vendimi i Gjykatës së Lartë në lidhje me shqyrtimin e rekursit të të pandehurit Vilson Mellaraj është dhënë në zbatim të plotë të procedurave dhe të ligjit. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë mohuan dje çdo ndikim apo ndërhyrje nga personat e dyshuar nga Prokuroria në lidhje me këtë vendim. Gjykata e Lartë reagoi pas publikimit të njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e hetimeve ndaj Agron Lumeshit, Enard Lushakajt dhe Renato Mellarajt, pas dyshimeve se kishin bërë përpjekje të ndikonin në vendimmarrjen e Kolegjit Penal në lidhje me shqyrtimin e rekursit të shtetasit Vilson Allaraj. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë konfirmuan se asnjë nga anëtarët e Kolegjit Penal që kanë shqyrtuar çështjen e shtetasit Vilson Mellaraj, nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti me personat nën hetim.











