Kapen rreth 110 kg marijuanë në Igumenicë, arrestohen dy persona në Athinë, hetime edhe nga policia e Sarandës

Jun 9, 2026 | 9:11

Një operacion i policisë greke ka çuar në sekuestrimin e mbi 109 kilogramëve marijuanë në zonën e Igumenicë, ndërsa dy shtetas grekë janë arrestuar në Athinë si të dyshuar për përfshirje në organizimin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

droge

Ngjarja u regjistrua dy ditë më parë në zonën e Nea Selefkia, ku policia greke ndaloi një automjet tip BMW që po lëvizte nga kufiri i gjelbër greko-shqiptar drejt brendësisë së territorit grek. Gjatë kontrollit të mjetit, në sediljet e pasme dhe në bagazh u gjetën çanta sportive që përmbanin 102 pako me gjithsej 109 kg e 364 gramë marijuanë.

Në pranga përfundoi drejtuesi i automjetit, një shtetas turk 43-vjeçar, i cili dyshohet se kishte marrë përsipër transportimin e lëndës narkotike drejt Athinës.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë njoftuar edhe homologët shqiptarë, konkretisht strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë. Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ka kaluar kufirin nga fshati Çiflik, përmes një shtegu të gjelbër kufitar të njohur historikisht për trafikimin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare e Sarandës ka ngritur grupe kontrolli përgjatë vijës kufitare dhe në zonat detare, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë në trafik. Në bashkëpunim me hetimet greke, janë identifikuar dhe arrestuar në Athinë dy shtetas grekë të dyshuar si bashkëpunëtorë në rrjetin e trafikut, ndërsa autoritetet shqiptare po punojnë për të zbuluar bashkëpunëtorët në Shqipëri.

Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime për riaktivizimin e linjave të trafikut të drogës nga zona e Sarandës drejt Greqisë.

 

© Panorama.al

Te lidhura