Kapelo jep dorëheqjen nga Anglia

Feb 9, 2012 | 12:14

Fabio Kapelo nuk është më trajneri i Anglisë. Italiani ka dhënë dje zyrtarisht dorëheqjen nga posti që mbante pas një takimi që pati me presidentin e federatës, David Bernshtain dhe sekretarin e Përgjithshëm, Aleks Horn. Trajneri i “tre luanëve” kritikoi publikisht vendimin e federatës për t’i hequr shiritin e kapitenit Xhon Territ dhe kjo shkaktoi një përplasje mes tij dhe drejtuesve të Federatës. Por Bernshtain i tha në një takim teknikut italian se ai nuk mund të vërë në dyshim autoritetin e Federatës, që vendosi t’i hiqte shiritin kapitenit të akuzuar për racizëm. Ai i shpjegoi 65-vjeçarit se nuk mund të lëshonte të tilla deklarata. Siç dihet, Kapelo tha për “Rai 1” të dielën se ai nuk kishte qenë dakord që Federata t’i hiqte shiritin Territ, pa përfunduar ende procesi gjyqësor, por një injorim i tillë nuk u prit mirë nga institucioni. Ndërkohë që telashet për Xhon Terrin nuk kanë të sosur. Pas heqjes së shiritit, atë e ka braktisur edhe sponsori i kombëtares, “Umbro”.

© Panorama.al

Te lidhura