Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, shprehet se partitë në Shqipëri janë të bindura se fitoja e tyre në zgjedhje është e njëjtë me interesin kombëtar, por që nuk rezulton të jetë kështu.Zyrtari i lartë amerikan pati disa ditë më parë një bisedë të zgjeruar me korrespondentët e “Zërit të Amerikës” në SHBA, për të gjitha vendet e Ballkanit, ku ai foli gjerësisht edhe për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Kantrimen u shpreh se SHBA presin me padurim zgjidhjen që do të japë Kolegji Zgjedhor për Tiranën, ndërsa vlerësoi në tërësi procesin zgjedhor të 8 majit. “Ajo që për ne është thelbësore, përsëri është fakti se të gjitha palët duhet të veprojnë me po të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar – të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin, të mos kërkojnë të provokojnë dhunë. Të gjitha këto çështje duhet të shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor. Presim me padurim të dëgjojmë se ç’do të thonë ata, por e rezervojmë gjykimin mbi rezultatet derisa të kemi dëgjuar mendimin e tyre përfundimtar”, tha Kantrimen. Ai foli më tej edhe për mundësinë e përfshirjes në proces të Komisionit të Venecias, por vetëm nëse një gjë të tillë e vendosin institucionet shqiptare. “Ky është një vendim që u takon institucioneve shqiptare ta marrin. Vërej këtu se shumë demokraci të tjera europiane kanë përdorur shërbimet e Komisionit të Venecias si mënyrë e pavarur për të marrë mendime të mira në lidhje me standardet europiane për zgjedhjet. Nuk më vjen në mendje ndonjë rast kur të shkuarit në Komisionin e Venecias ishte ide e keqe. Por ky vendim u përket institucioneve shqiptare dhe jo Shteteve të Bashkuara”, tha Kantrimen. Në bisedën e plotë me gazetarët, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, ndalet edhe në zhvillime të tjera në Shqipëri.
Mund të diskutojmë për zgjedhjet në Shqipëri? Duket sikur ka një spirale bojkotesh, marrëveshjesh, mosmarrëveshjesh, zvarritje pa fund që nga qershori i vitit 2009 deri tani, më parë zgjedhjet parlamentare e tani zgjedhjet lokale. Çfarë po ndodh atje?
Po më pyet mua se ç’po ndodh?! (Qeshje)
Po keni shkuar tri herë atje kohët e fundit?
Po.
Dhe unë kam qenë atje shumë kohë para jush, por jo kohët e fundit… (Qeshje)
Jo kohët e fundit. Mirë atëherë, përsëri e përsëris, mendoj se ishte një sjellje jashtëzakonisht e mirë nga ana e popullit shqiptar. Mund të mbani mend komentet që kam bërë unë, që ka bërë z. Lajçak, që ka bërë ambasadori i BE-së, ai amerikan dhe ambasadori OSBE-së, se i përket popullit shqiptar të vendosi pronësinë e tij ndaj zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk i përkasin njërës parti apo tjetrës, ato i përkasin popullit. Dhe më bëri shumë përshtypje se si populli shqiptar u ngrit para kësaj sfide, u paraqit me shumicë, u soll paqësisht e me dinjitet, siguroi mijëra monitorues jopartiakë për të vëzhguar zgjedhjet bashkë me monitoruesit ndërkombëtarë që shkuan atje. Dhe në të gjitha bashkitë, me përjashtim të njërës, procesi shkoi shumë mirë. Në atë një bashki, në më të madhen, Tiranë, votimi ishte shumë i ngushtë.
Kështu, ka pasur manovra të ngjeshura. Kemi shprehur dyshimet tona në lidhje me bazën ligjore për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar votash. Kjo çështje është tani përpara Kolegjit Zgjedhor, i cili është trupi më i lartë kushtetues për këto çështje në Shqipëri. Ajo që për ne është thelbësore, përsëri është fakti se të gjitha palët duhet të veprojnë me po të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar – të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin, të mos kërkojnë të provokojnë dhunë. Të gjitha këto çështje duhet të shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor. Presim me padurim të dëgjojmë se ç’do të thonë ata, por e rezervojmë gjykimin mbi rezultatet derisa të kemi dëgjuar mendimin e tyre përfundimtar.
Sipas këndvështrimit tuaj, a po sillet lidershipi politik në Shqipëri siç u soll populli?
Sigurisht që shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve të mund të shohim komunikim më të mirë në çdo nivel në Shqipëri, komunikim me bazë respekti, pjesëmarrje më të mirë nga të gjitha partitë, në të gjitha institucionet drejtuese. Ky do të ishte një hap i madh. Dhe mendoj se kur njerëzit paraqiten në numër kaq të madh, pikërisht kjo është ajo që ata kërkojnë. Dhe këtë shpresojmë të shohim dhe ne si rezultat i periudhës aktuale, si paraprirje në dy vitet e ardhshme, deri në zgjedhjet e tjera të përgjithshme.
Mund të bëj një pyetje pasuese? Nuk dua të…
Po, sigurisht. Ka shumë gjëra atje.
Po, në rregull. Ka shumë, shumë probleme që Parlamenti shqiptar, lidershipi shqiptar në përgjithësi, qoftë kjo pozita apo opozita aktuale, duhet të zgjidhin. Duket sikur kanë ngecur në këtë betejë për pushtet kur nuk është zgjidhur çështja e pronësisë, ku reforma gjyqësore nuk është realizuar ende, si edhe gjëra të tjera. Ka shumë të rinj që studiojnë jashtë shtetit e nuk kthehen në vend. Pra praktikisht ka një rrjedhje truri nga ai vend. Mund t’i trajtoni këto çështje? Keni qenë atje kohët e fundit tri herë rresht brenda një kohe të shkurtër. Në fakt, dikush që po na jepte reagime në lidhje me intervistat me ju tha se avioni e merrte kthesën në ajër për t’u rikthyer atje. Pra…
Nuk e kam dëgjuar këtë. Në rregull. Ajo që kam për të thënë është kjo: Nuk kemi parë mjaftueshëm drejtues politikë që janë të gatshëm të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë përpara interesave të partive të tyre. Tani, zakonisht, drejtuesit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e barasvlershme me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kaq e dukshme për gjithë të tjerët. Ajo që është në interesat kombëtare të Shqipërisë sot është që të tregohet, veçanërisht shteteve anëtare të Bashkimit Europian, se Shqipëria mund të funksionojë si çdo demokraci tjetër që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian. Dhe në dy vitet e fundit nuk e ka përmbushur këtë kriter. Ajo që kam frikë sot është se ajo çka duhet të ishte shfaqje shumë pozitive për Europën, për Brukselin, për gjithë vendet anëtare, si maturi politike e Shqipërisë – siç e thashë, kudo në vend ky proces zgjedhor ishte pozitiv – në vend që të ishte sinjal pozitiv, mund të kthehet në sinjal negativ nëse nuk ka përpjekje të sinqerta nga palët për t’iu qasur kësaj çështjeje në mënyrë të qetë e kushtetuese.
Kjo u shtohet gjithë çështjeve të tjera që ngrini ju. Ka nevojë për më shumë bashkëpunim për kërkesat që ka renditur Bashkimi Europian. Ka kaq shumë mënyra që tregojnë se Shqipëria po ecën mirë, në ekonomi dhe në përpjekjet për reformë. Megjithatë, politika e saj ia dëmtoi imazhin në Bruksel dhe gjetkë në Europë. Dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë që ta përmbysim këtë imazh jo me fushatë marrëdhëniesh publike, por me zgjidhje të arsyeshme dhe komunikim me bazë respekti.
Në këtë betejë zgjedhjesh, në lidhje me rezultatet, partitë, në njëfarë mënyre patën prirje ta vinin këtë përpara Komisionit të Venecias. Keni ndonjë sugjerim apo qëndrim të Departamentit të Shtetit, Qeverisë së SHBA?
Ky është një vendim që u takon institucioneve shqiptare ta marrin. Vërej këtu se shumë demokraci të tjera europiane kanë përdorur shërbimet e Komisionit të Venecias si mënyrë e pavarur për të marrë mendime të mira në lidhje me standardet europiane për zgjedhjet. Nuk më vjen në mendje ndonjë rast kur të shkuarit në Komisionin e Venecias ishte ide e keqe. Por ky vendim u përket institucioneve shqiptare dhe jo Shteteve të Bashkuara.
Kantrimen mund të vizitojë Tiranën
Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, mund ta vizitojë së shpejti Tiranën zyrtare. Në një bisedë që pati me korrespondentët e Ballkanit në “Zërin e Amerikës”, Kantrimen tha se nuk ka qenë kohët e fundit në Shqipëri, por kjo s’do të thotë që ai të mos e vizitojë atë së shpejti. Gjithsesi, ai shtoi se e vizitoi Shqipërinë pak kohë më parë, duke thënë se e ka vizituar Shqipërinë tri herë rresht. “Sigurisht që shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve të mund të shohim komunikim më të mirë në çdo nivel në Shqipëri, komunikim me bazë respekti”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.











