Kanceri i lëkurës, çdo vit zbulohen 300 raste të reja

Jul 18, 2011 | 11:53

Një nishan në trup, i ekspozuar për një kohë të gjatë në diell, mund të shkaktojë një prej kancereve më të rrezikshëm.Në listën e 10 tumoreve me shpeshtinë më të madhe, ai i lëkurës renditet i dyti me rreth 17% të rasteve ose rreth 300 të reja në vit. Një pjesë e pacientëve humbin jetën pasi vijnë në spital në stad të avancuar. Sipas mjekëve, melanoma është forma më e përhapur në botë e kancerit të lëkurës. Në vendin tonë parandalimit të kësaj sëmundjeje por edhe trajtimit nuk i jepet përparësia e duhur. “Të gjithë njerëzit kanë nishane në trup, por tendenca për melanomën kanceroze shfaqet vetëm te disa prej tyre”, shprehet mjekja dermatologe, Monika Fida. Ajo sqaron se ekzistojnë disa tipa nishanesh, që kanë karakter malinj dhe përbëjnë një rrezik për shfaqjen e sëmundjes së rrezikshme. Sipas saj, evidentimi dhe kurimi në stadin fillestar nuk përbën rrezik për jetën e personit. “Nëse kapet në stad të përparuar, mund të shkaktojë përhapjen e metastazave në organe të tjera, si mëlçia apo mushkëritë”, shprehet mjekja. Madje, nëse ajo ka përparuar deri në metastaza, është tepër rezistente ndaj trajtimit me ilaçe dhe rreze. Sipas studimeve të kryera në vende të ndryshme të botës, vetëm 2-3 % e pacientëve, të cilëve melanoma i ka kaluar në fazën e metastazës, jetojnë deri në 5 vjet. Personat me rrezikshmëri të lartë janë ata që kanë një numër të madh nishanesh në trup, personat me lëkurë të çelët dhe sy të kaltër. Të rrezikuar janë gjithashtu edhe ata që punojnë në ambiente të hapura apo që qëndrojnë për orë të tëra në diell. Më e përhapur melanoma është tek moshat e rritura, mbi 35-vjeç, por rastet e shfaqjes së këtij kanceri tek fëmijët nuk mungojnë. Përveç tendencës gjenetike, ekspozimi i gjatë në diell është një nga faktorët kryesorë, që ndikon në shfaqjen e melanomës. Vetëm pak ditë më parë, mjekët më të njohur të Universitetit të Hawardit kanë dalë në përfundimin se përdorimi i aspirinës çdo ditë, për 5 vite rresht, ndikon në mosshfaqjen e kësaj sëmundjeje. Kjo ka rezultuar nga studimi disavjeçar që ata kanë kryer.. “Në fakt, për parandalimin veç këshillave që ne japim për të evituar ekspozimin në diell për orë të zgjatura, mjekët e huaj japin së fundmi edhe një tjetër këshillë.. Përdorimin e aspirinës rregullisht për 5 vjet.  Janë studiuar mbi 600 persona, të cilët kanë nishane dhe janë të predispozuar për t’u prekur nga melanoma. Ata kanë përdorur aspirinë për një kohë të gjatë. Përdorimi i saj ka rezultuar i suksesshëm për vetë faktin se ata nuk kanë pasur asnjë shenjë apo risk për t’u prekur nga kjo sëmundje e rëndë”, sqaroi mjekja dermatologe, Monika Fida.

300 raste
të reja në vit zbulohen në vendin tonë me kancer të lëkurës. Melanoma është një prej tumoreve më të përhapur në të gjithë botën me vdekshmëri shumë të lartë, nëse nuk kapet në kohë dhe jep metastaza.

Si të ruheni

Melanoma mund të shfaqet në moshë të rritur edhe tek ata individë, të cilët në fëmijëri kanë pasur djegie dhe plagë të shkaktuara nga rrezet e diellit. Sipas mjekëve është e domosdoshme që njerëzit të mësojnë të mbrohen nga dielli, duke nisur nga fëmijëria. Kjo pasi tek pjesa më e madhe e njerëzve, 80% e rrezeve të diellit që merren gjatë gjithë jetës janë përthithur përpara moshës 18 vjeç.

Shenjat e melanomës malinje

• Mungesa e simetrisë
Melanomat e hershme nuk janë simetrike. Nishanet e zakonshme janë të rrumbullakëta dhe simetrike.
• Buzët e çrregullta
Buzët e melanomave të hershme shpesh janë të çrregullta dhe mund të kenë dhëmbëzime. Nishanet e zakonshme kanë buzë të lëmuara dhe më të rregullta.
• Larmia e ngjyrës
Nuanca të ndryshme të ngjyrës kafe, të kuqërremtë dhe të zezë janë shpesh shenjat e para të melanomës. Ndërkohë që melanoma përparon, mund të shfaqet e kuqja, e bardha dhe bluja. Nishanet normale janë vetëm ngjyrë kafe.
• Diametri
Melanomat e hershme në përgjithësi bëhen më të mëdha se nishanet e zakonshme dhe kanë një diametër më të madh se 6 milimetra.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura