Tri ditë pas lirimit nga Gjykata e Nju Jorkut, për Dominik Shtraus Kan, ish-kreu i FMN-së dhe ish-kandidat potencial për President të Francës, doli një telash i ri. Kjo i vuri kapakun mundësisë së tij për të kandiduar si president. Kandidatja socialiste, Martine Aubry, tha se Shtraus Kan nuk ka ndërmend të kandidojë për Elizenë në vitin 2012. Po dje, Tristane Banon, shkrimtare dhe gazetare franceze, ka njoftuar se do ta denoncojë atë për tentativë përdhunimi. Ajo i referohet një episodi të ndodhur në vitin 2002, dhe në atë kohë, nëna e saj nuk e kishte lënë ta kryente denoncimin pasi ishte mike me familjen e Shtraus Kanit. Por Kan e ka konsideruar sfidën e re që pritet t’i lançohet një shpifje, madje i është kundërpërgjigjur akuzave me denoncim për shpifje. Lajmin e dha për të përjavshmen “L’Express” avokati i shkrimtares, David Koubi. “Të martën do të bëj denoncimin në gjykatë. Ai duhet të përgjigjet përpara Drejtësisë franceze. Faktet nuk kanë të bëjnë me agresion seksual, por me një tentativë përdhunimi, për të cilën dënimi është dhjetë vjet”, tha Koubi. Banon, 32 vjeçe, e kishte treguar njëherë ngjarjen në një transmetim televiziv në vitin 2007, se si Shtraus Kan ishte përpjekur ta përdhunonte gjatë një interviste. Por, emri i tij ishte mbuluar nga sinjali censurues televiziv “bip”.











